Drejtësia

Prova të reja për dosjen ‘SASPAC’, Ilir Beqaj mbetet në kafazin e xhamit!

Gazeta Si – SPAK ka dorëzuar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme një provë të re ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe të bashkëpandehurve të dosjes “SASPAC”.

Sipas burimeve pranë GJKKO, provat e reja janë disa tabela në exel, të vlerësuara si të dhëna me interes për SPAK, të nxjerra nga këqyrja e laptop-it të të pandehurit Aldred Nikolla.

Prova e re që iu paraqit gjyqtares së posaçme, Elsa Ulliri është gjetur në një laptop të sekuestruar nga SPAK gjatë kontrolleve të kryera gjatë këtij viti. Nikolli akuzohet për mashtrim me pasoja, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion aktiv.

Duke qenë se avokatët kërkuan kohë të njiheshin me provën e re, gjykata caktoi datën 6 maj dhe orën 10:00 për seancën e radhës.

Ndërkohë, ndryshe nga procesi i “Sterilizimit”, në gjyqin për abuzimet me fondet e BE në SASPAC, Beqaj do të qëndrojë në kafazin e qelqtë.

Në seancën e sotme, ish-drejtuesi i SASPAC përsëriti kërkesën për të qëndruar krah avokatit gjatë seancave gjyqësore, por kërkesa iu rrëzua nga gjyqtarja e posaçme.

Për këtë proces, ndaj ish-ministrit rëndojnë 6 akuza dhe është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Ndryshe nga procesi për “Sterilizimin”, ku Beqaj po hetohet në masën “detyrim paraqitje”, një nga argumentet që GJKKO përdori një ditë më parë kur vendosi që ta nxjerrë nga kafazi.

Në këtë dosje, Beqaj akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave “korrupsion”, “shkelje barazie ne tendera” dhe “mashtrim”, të kryera gjatë kohës që drejtonte SASPAC, agjenci shtetërore që menaxhonte fondet e BE në Shqipëri. Të bashkëpandehur me të janë edhe 10 persona të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë