Ekonomi

Turizmi nuk mjafton, Banka Botërore: Ekonomia e Shqipërisë do ngadalësohet. Lufta do rrisë çmimet

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndjekja e reformave dhe përshpejtimi i procesit të integrimit në BE do të ndihmonin në rritjen e investimeve dhe përmirësimin e produktivitetit në ekonominë shqiptare. Ky është vlerësimi që jep Banka Botërore në raportin e saj më të fundit për Ballkanin Perëndimor.

BB thotë se turizmi mbetet kontribuues kryesor në ekonominë shqiptare, por kjo e bën Shqipërinë më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, duke theksuar nevojën për diversifikim të shtyllave ekonomike. Por, ndërsa turizmi arrin fazën e maturimit të tij, rritja ekonomike pritet të ngadalësohet gradualisht. Konsumi do të marrë një shtysë të përkohshme në vitin 2026, si pasojë e transfertave fiskale dhe rritjes së pagave, por një pjesë e këtyre përfitimeve do të zbutet nga rritja e çmimeve.

Në periudhën 2027–2028, pritet që rritja e konsumit të stabilizohet, ndërsa inflacioni të mbetet i qëndrueshëm pranë nivelit 3%. Në këtë periudhë, shpenzimet publike do të vijojnë të mbështesin investimet, veçanërisht në infrastrukturë.

Rritja e pagave mund të vazhdojë të tejkalojë produktivitetin, duke ushqyer presione inflacioniste. Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve globale të energjisë dhe ndërprerjet tregtare të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme pritet të shtojnë presionet mbi çmimet e brendshme në vitin 2026 dhe të dobësojnë fuqinë blerëse të familjeve, parashikon Banka.

Megjithatë, rritja e punësimit dhe e pagave pritet të kontribuojë në uljen e varfërisë në rreth 19.4% deri në vitin 2028.

Një tjetër sfidë e rëndësishme, sipas Bankës, mbetet kapitali njerëzor, i cili kufizohet nga mospërputhjet e aftësive në tregun e punës, emigracioni dhe plakja e popullsisë. Në të njëjtën kohë, presionet demografike dhe ato klimatike, së bashku me nevojat në rritje për shpenzime publike, theksojnë rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit fiskal përmes rritjes së të ardhurave dhe përmirësimit të eficiencës së shpenzimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë