Gazeta Si – Dy ditë pas vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, 39 dhe 32 vjeçe më 26 prill, policia ka gjetur njërën nga makinat e përdorura nga autorët në Balldren të Lezhës.
Sipas autoriteteve, grupi hetimor ka sekuestruar automjetin tip “Volkswagen Polo” të përdorur nga autorët gjatë atentatit, nga i cili dyshohet se është hapur zjarr në drejtim të viktimave.
Brenda mjetit janë gjetur edhe dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me xhamin e pasmë dhe xhamat anësorë të dëmtuar.
Gjithashtu, në një banesë në fshatin Torovicë, është gjetur edhe një tjetër automjet identik me atë të përdorur në krim, si dhe veshjet e dyshuara të autorëve në momentin e ngjarjes.
Hetimet tregojnë se shtetasi F. M., ka marrë automjetin e përdorur në atentat, i ka hequr targat dhe, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, e ka përdorur për të qëlluar ndaj çiftit. Pas ngjarjes, mjeti është fshehur në një banesë në Torovicë i mbuluar me kashtë.
Në kuadër të hetimeve, është shpallur në kërkim shtetasi Besnik Kolndreu, 22 vjeç, ndërsa ndaj babait të tij, N.K., 79 vjeç, janë referuar materialet në prokurori për “mbajtje pa leje të armëve”.
Policia bën me dije se kontrollet në terren vijojnë për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Ditën e djeshme, në një konferencë për mediat Drejtori i Policisë Lezhë Arben Nasufi bëri të ditur se tre autorët e ngjarjes së rëndë që ndodhi në fshatin Balldren të Lezhës, janë: A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç.
Të tre janë banues të Lezhës. Sipas policisë ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet për kapjen e tyre.
Policia zbërtheu dhe skemën se si autorët i zunë pritë çiftit të bashkëshortëve. Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje