Ekonomi

BSH rrit me 0.25% normën e interesit. Sejko: Inflacioni kthehet në objektiv në vitin 2024

Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të dytë brenda pak muajsh normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko në një konferencë për media tha sot(6 korrik) se norma bazë është rritur me 0.25 pikë përqindje duke shkuar në nivelin 1.25%. Ky është vendimi i dytë pas marsit, ku norma bazë u rrit nga 0.5 në 1%.

Në mars u shënua dhe kthesa e parë e politikës monetare nga kahu lehtësues, – tendencë që kishte nisur që nga marsi i vitit 2011, në atë shtrëngues.

Sejko tha se inflacioni i lartë vijon të mbetet rreziku kryesor dhe ai do të arrijë në objektivin e tij në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Inflacioni shënoi rritje në muajin prill dhe maj duke shënuar 6.2 dhe 6.7%. Ishin në kahun e sipërm të parashikimeve tona. Pasqyroi rritjen e çmimeve të ushqimeve. Sipas të dhënave të INSTAT, GDP u rrit me pothuajse 6% në tremujorin e parë të këtij viti. Rritja ekonomike u diktua nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private dhe rritja e eksporteve. Rënia e investimeve publike dhe rritja e importeve kanë shkuar në kahun e kundërt”, tha ai.

Sejko shtoi se do të ketë një rritje ekonomike mes 3 dhe 4% këtë vit.

“Projeksionet e skenarit bazë parashikojnë një normalizim gradual të politikës monetare në periudhën në vijim. Shpejtësia e normalizimit do të synojë një harmonizim sa më të mirë të intensitetit të stimulit monetar me intensitetin e presioneve afatmesme inflacioniste”, tha Sejko.

Në muajin maj të këtij viti, inflacioni sipas matjeve kombëtare arriti në 6.7%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë