Mendim

Psikopatia profesionale e Ministrisë së Financave

Mënyra që ka gjetur Ministria e Financave për të taksuar profesionet e lira do të krijojë padrejtësi sociale, pabarazi, deformime dhe burgos sipërmarrjen.

Ajo tenton të njehësojë biznesin me punëtorinë, duke vrarë shpirtin e sipërmarrjes që është thelbi i ekonomisë kapitaliste. Është një psikopati profesionale.

Kur po shpjegonte idenë e çartur, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, në një intervistë të fundit në Top Channel, tha se “brenda ligjit kemi një elementë që nëse ti si person fizik një përqindje të lartë të aktivitetit tënd e ke me një biznes tjetër, atëherë e kategorizojmë si punësim dhe e taksojmë si punësim”.

Ndërhyrja në ligj me logjikë të tillë do të sjellë disa pasoja të cilat po mundohemi t’i sqarojmë me shembuj.

Kur personi është i punësuar, punëdhënësi ka detyrime që rrjedhin nga Kodi i Punës, p.sh. lejet e lindjes, lejet e zakonshme, sigurinë në punë etj.

Nëse një biznes plotëson kushtin siç parashtroi ministrja dhe ai fillon taksohet si i punësuar, a do të marrë në këmbim të drejta që ka edhe një i punësuar?!

Ja, imagjinojeni kështu, sikur një zyrë kontabiliteti private, pjesën më të madhe të aktivitetit e ka me një biznes tjetër, p.sh. në një televizion. A e imagjinoni dot që lejen e lindjes, pagën dhe gjithë detyrimet që janë mbi punëdhënësit, kontabilisti privat ta kërkojë nga televizioni?

Një i punësuar në këmbim të pagës vendos prezencën e tij fizike, mendore dhe profesionale. Nuk ka risk dhe nuk kontribuon më asnjë input tjetër. Ndërsa një profesionist i lirë privat paguan qira për karrigen dhe zyrën ku qëndron, konsumon ide dhe lufton për marketing të biznesit të tij, siç mund të marrë përsipër fitimin merr mbi kurriz edhe humbjen, lobon për biznesin e tij, harxhon orë të gjata në ditë më shumë se një i punësuar, investon nga kapitali i tij për të rritur biznesin dhe për ta bërë atë konkurrues. Pra, biznesi investon përtej fizikut dhe mendjes. Por jo, me propozimin e ri Financat i trajtojnë të ngjashme. Kjo është pabarazi e hapur shumëdimensionale.

Po kontributet, në këtë rast, si do të llogariten? Të punësuarit i llogariten mbi pagën bruto. Po biznesit të një profesionisti të lirë? Ai do të paguajë edhe kontributet edhe tatim në burim edhe tatim fitimi? Apo do të ketë vetëm një taksë unike mbi të ardhurat bruto? Nuk mund të ketë dy mënyra të ndryshme për të njëjtën të ardhur, sepse ky quhet diskriminim. Ky lloj diskriminimi hap një tjetër problem edhe më të madh shoqëror sepse krijon një model shtetëror që dënon sipërmarrjen dhe ndrydh çdokënd që kërkon të jetë zot i vetes. Frymëzon tutelën dhe jo lirinë.

Sot një biznes i vogël, qoftë dhe i kategorisë “profesionist i lirë”, p.sh. këngëtar me nipt, paguan edhe taksë mjedisi, edhe taksë arsimi, edhe taksë tabele edhe disa taksa të tjera bashkiake. Nëse do të trajtohet si punëmarrës, a do të shkarkohet ai nga këto taksa dhe tarifa sepse një punëtor nuk paguan të tilla detyrime.

Siç e shikoni, fillojnë e rrjedhin disa paradokse që kanë një burim: Ministria e Financave nuk bën dot dallimin në kapitalizëm mes sipërmarrjes dhe punëtorit.

Në intervistë zonja Ibrahimaj e shpjegoi këtë ndërhyrje me faktin se sipas saj “Në shumë raste janë konstatuar shkelje ku një person fizik hap niptin e tij me qëllim për të mos paguar taksa si i punësuar!” Çfarë shkeljeje është të bësh biznes kur Kushtetua e sanksionon këtë të drejtë. Kur ligjet ta japin këtë të drejtë?! Për sa kohë paguan taksat dhe zbaton ligjet, nuk ka shkelje. Nuk mundet qeveria të përcaktojë se kush duhet të jetë biznesmen e kush punëtor, por vullnetet e lira!

Ky lloj budallallëku ku ka edhe sjellje me mutacione komunizmi, ka prekur kufijtë e psikopatisë.
Fjala “psikopat” rrjedh nga greqishtja e vjetër nga bashkimi i fjalëve “shpirt" (psyhe) dhe “vuajtje” (pathos).
Sipas ekspertëve, një person me këtë patologji (psikopati), shpesh dominohet nga emocionet negative dhe e ka shumë të vështirë për t’u përshtatur në shoqëri. Mënyra e propozuar nga Ministria e Financave për taksimin e profesioneve të lira dhe logjika që ajo ndoqi për të arritur në këtë përfundim, ka të njëjtat simptoma, por që po e shndërrojnë psikopatinë nga një sëmundje, në një profesion. E keqja e parë që i vjen shoqërisë prej saj është se psikopatët nuk dihen as fajtorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë