Mendim

A duhet të rikthehet shërbimi ushtarak i detyrueshëm?

Pas Luftës së Ftohtë, shumica e vendeve europiane pezulluan shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por me shtimin e sulmeve terroriste, atentateve të armatosura dhe fatkeqësive natyrore, nuk janë të paktë ekspertët që bëjnë thirrje për rikthimin e tij. Tani për tani, ndër vendet me shërbimet më te rrepta ushtarake janë Turqia dhe Greqia, ndërkohë që vendi ynë vendosi ta hiqte rreth një dekadë më parë. Shërbimi ushtarak shihet më shumë si një barrë sesa një ndihmë për ushtrinë, por me rritjen e fatkeqësive natyrore si zjarret, tërmetet apo përmbytjet, shumica e qeverive kanë kuptuar se qytetarët kanë nevojë për trajnime të mirëfillta.

“Duhet do ta duhet të diskutojmë në mënyrë intensive çështjen e shërbimit ushtarak kombëtar ", tha Annegret Kramp-Karrenbauer, sekretarja e përgjithshme  qeverisë së Kancelares Angela Merkel këtë muaj, dukë dhënë një mesazh që nxiti ​​debatin më të madh të kësaj vere në Gjermani.

Qeveria gjermane pezulloi rekrutimin e qytetarëve shtatë vjet më parë, duke bërë që përgjatë viteve të fundit, vetëm një e treta e gjermanëve të kryenin shërbimin ushtarak. Forcave të armatosura të Gjermanisë pas Luftës së Ftohtë nuk iu lejua të rekrutonin shumë ushtarë, por tanimë situata në vend dhe në kontinent ka ndryshuar. Sugjerimi i zonjës Kramp-Karrenbauer nuk duhet të habisë askënd.  Suedia ka rivendosur rekrutimin selektiv për të fuqizuar forcat ushtarake, ashtu siç ka bërë edhe Lituania. Norvegjia ka zgjeruar rekrutimin e grave, ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron po planifikon një formë të re të shërbimit të detyrueshëm, duke përfshirë batalione civile dhe ushtarake.

Angela Merkel dhe ushtria gjermane 

 "Njerëzit e përdorin konceptin e rekrutimit për të gjitha llojet e problemeve që ata duan të zgjidhin: integrimin, të rinjtë e padisiplinuar apo fuqizimin e ushtrisë”, tha Annika Nordgren Christensen, një ish-deputete suedeze- Por ajo që me të vërtetë ka rëndësi është vlera e tij ushtarake." Propozimi i Kramp-Karrenbauer nxiti shumë qytetarë që të bënin thirrje për rikthimin e modelit të mëparshëm ushtarak të Gjermanisë, kur të rinjve u kërkohej të shërbenin në ushtri ose në një organizatë të shoqërisë civile. Edhe pse disa kombe do të përfitonin më shumë nga shërbimi ushtarak, vetë qytetarët kanë nevojë të mësojnë në mënyrë urgjente si të mund të mbijetojnë. Nëse Rusia vendosi të sulmojë një vend tjetër nesër, me anë të mjeteve kibernetike ose konvencionale, popullsia mund të ketë nevojë të mbijetojë disa ditë pa energji ose ushqime. Aftësi të tilla ndihmojnë komunitetet të përballojnë edhe fatkeqësitë natyrore.

Aktualisht, komunitetet e goditura nga fatkeqësitë natyrore presin të evakuohen nga qeveria dhe ekipet e emergjencës. Disa banorë mund të zbatojnë ende aftësitë e mësuara gjatë kohës kur shërbimi ushtarak ishte i detyrueshëm, por shumica prej nesh nuk do të kishin asnjë ide se çfarë duhet të bëjnë nëse një stuhie shkatërron linjat elektrike. Mund të keni instinkte të mira, por pa trajnim dhe organizim përpjekjet tona janë joefikase. Pjesa më e madhe e dëmit të uraganit Katrina ndodhi kur banorët e New Orleans prisnin që autoritetet të vinin në ndihmë. Uragani Gudrun , i cili goditi Suedinë jugore në vitin 2005, la gati gjysmë milioni njerëz pa energji. Sikur këta banorë të zonave rurale të mos dinin të kujdeseshin për veten, numri i viktimave do të kishte arritur në mijëra.

Ushtria suede 

Imagjinoni, pra sa ndryshe do të ishte shoqëria jonë nëse do të kishim qytetarë të trajnuar të cilët e dinë se çfarë duhet të bëjnë në raste urgjente. Asnjë vdekje në pritje të ambulancës gjatë aksidenteve dhe asnjë vdekje gjatë përmbytjeve, në pritje të ekipeve emergjente. "Ne jemi mësuar t’i trajnojmë të rinjtë për detyra ushtarake, por do të ishte më mirë t'i stërvitnim ata për të mbijetuar gjatë fatkeqësive natyre”, tha gjenerali Richard Barrons, ish-komandant i Forcave Britanike.

Sigurisht që qeveritë do të duhet të luajnë rolin kryesor, por kur diskutojmë për shërbimin kombëtar, duhet të fokusohemi tek aftësia e qytetarëve për t’u mbijetuar fatkeqësive natyrore. Për shembull, adoleshentët mund të kalojnë një verë duke u stërvitur në kampe ushtarake dhe duke marrë mësime sesi duhet të veprojnë në rast fatkeqësie natyrore. Ata do të mësonin të mbijetonin dhe trajnimi do t'u jepte atyre mundësi të bashkëveprojnë me adoleshentët e tjerë.  Mbi të gjitha ata do të mësonin se çfarë do të thotë të jesh një qytetar dhe të jesh pjesë e një komuniteti me të cilin duhet të bashkëpunosh./Wall Street Journal/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë