Nga Gazeta Si- Ndërkohë që një pallat 12 katesh po digjej fund e krye, zjarrfikësit mund të ndërhynin vetëm deri në gjysmë të tij, në katin e 6. Kjo sepse me mentalitet dhe ligjërisht, vendi ynë është ende në të kaluarën, ku ndërtimet ishin deri në katin e 5-6.
Ekspertë thonë për Gazetasi.al se ndërsa sot ndërtohen objekte mbi 10 kate, kjo vjen pa pasur përgatitjen e duhur teknike për këto lartësi.
“Problematika ligjore lidhet me vjetërimin e kushteve teknike të detyrueshme për zbatim, të cilat nuk janë rinovuar dhe i referohen një kohe kur ndërtohej me materiale dhe lartësi të tjera.”
Kjo vjen edhe si pasojë e një mentaliteti të vjetër, ku historikisht zjarri nuk është konsideruar element problematik për ndërtesat e ulëta 4-5 katëshe.
Dhe është pikërisht kjo që i bën ndërtuesit që të mos i japin vlerën e duhur materialeve që përdorin, pasi zjarri nuk ka qenë kurrë një opsion.
Materialet e ndërtimit që përdoren në Shqipëri vijnë kryesisht nga tregu europian, por ekziston një paqartësi nëse këto materiale zotërojnë certifikatat e duhura të performancës kur aplikohen në ndërtimet tona.
Ligji “Për produktet e ndërtimit” parashikon se çdo produkt që përdoret duhet të plotësojë kushtet, ku ndër to është edhe siguria në rast zjarri.
Thënë kjo, burime për GazetaSi.al thonë se edhe pse një produkt mund të futet në Shqipëri dhe të jetë në përputhje me tregun europian, përsëri ka një organ kompetent për ta kontrolluar, por kjo shpesh nuk ndodh.
“Edhe pse ligji parashikon një certifikatë performance, zbatimi i saj mbetet i diskutueshëm. Kjo pasi kontrolli shpesh bëhet vetëm mbi letër dhe nuk verifikohet seriozisht në kantier nëse materiali është ai që deklarohet apo cilësi më e ulët. Nuk ka pasqyrim ‘de facto’ të performancës reale të elementëve ndërtimorë”, thotë burimi për GazetaSi.al.
Një rast specifik është përdorimi i gjerë i polisterolit, i cili ndonëse përdoret masivisht në Shqipëri, në shumë vende të Europës nuk konsiderohet i këshillueshëm për shkak të rreziqeve që mbart.
Më herët, në një prononcim të GazetaSi.al, inxhinieri Gëzim Beqaj ka thënë se janë 3 kategori materialesh për veshje të fasadës. I pari është ai i polisterolit, nënprodukt i naftës, me kosto më të ulëta. Më pas leshi i gurit dhe i xhamit, i përbërë nga fijet dhe ai më i shtrenjti dhe më i sigurti, korpanel (corepanel) që prodhohet nga lëkura e pemëve pa asnjë kimikat.
Inxhinieri Beqaj theksoi asokohe, se ndërtuesit kanë normativa për materialet që përdorin, sipas kritereve që përmbushin.
“Nëse nuk i zbaton do të thotë se ke dalë nga ligji, nga norma. Kjo duhet të përmbushë një shkallë të caktuar të mbrojtjes, mund të bësh më mirë por jo më keq.”
Çfarë na tregon fakti se zjarri përpiu gjithçka në pak orë?
Inxhinier Markel Baballëku thotë për GazetaSi.al se logjikisht, në momentin që një ndërtesë shumëkatëshe digjet me atë shpejtësi, do të thotë se ka diçka që nuk shkon.
“Idealja do të ishte që të përdoren materiale që janë rezistente ndaj zjarrit ose materiale që vonojnë djegien, dhe teknika që e izolojnë zonën e zjarrit”, thotë Baballaku, duke shtuar se elementët që përbëjnë ndërtesën në çdo rast duhet të kenë një durueshmëri kohore dhe rezistence ndaj zjarrit.
Baballëku shpjegon për GazetaSi.al se problemi fillon kur zjarri nuk izolohet në burim, nëse kjo nuk ndodh, atëherë çdo gjë vështirësohet.
Në aspektin financiar, masat tërësore të sigurisë ndaj zjarrit kanë një kosto të lartë, që mund të shkojë deri në 50% të vlerës së strukturës apo të arkitekturës së një ndërtese. Mjafton të shihen protokollet që ndiqen për hotelet markave të njohura.
Për shkak të kësaj kostoje të lartë, traditës tonë të pakët me zjarrin në ndërtesa dhe pranisë së kushteve pjesore teknike për zjarrin, ndërtuesit priren të kursejnë aq sa munden. Përfundimi- nuk i jepet rëndësia e duhur mbrojtjes ndaj zjarrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje