Gazeta Si – Edison Adri, punonjësi i policisë i plagosur në Maliq gjatë një operacioni për kapjen e një shumëkërkuari, ka mbërritur në Spitalin e Traumës në kryeqytet me helikopter.
Kreu i Policisës së Shtetit, Skënder Hita doli në një prononcim për mediat nga ambientet e spitalit të Traumës, ku u shpreh: “Ngjarje që të lë pa fjalë, s’do doja sot të isha para jush”.
Ndërsa drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, si dhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, dhanë më shumë detaje mbi gjendjen shëndetësore të policit.
Adri fillimisht mori ndihmën e parë në spitalin e Korçës. Më pas u nis drejt Tiranës me helikopter për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
“Po bëhet maksimumi për të marrë rezultatin maksimal për shëndetin e pacientit”, tha Bode, e cila sqaroi se efektivi kishte marrë lëndime në pjesën e qafës dhe të kokës.
“Gjithmonë një traumë e këtyre përmasave është jetëkërcënuese, por se si, është ende herët për ta thënë.”.
Brataj nga ana tjetër tha se “dëmtimet janë të gjitha kërcënuese”, por falënderoi ekipin e mjekëve të Korçës për ndërhyrjet e tyre dhe sipas tij “për momentin nuk flitet rrezik jete.”
Ndërsa sa i takon 43-vjeçarit që plagosi efektivin Adri dhe i mori jetën kolegut të tij Enea Mekollit, pas mjekimit nga mjekët e Korçës është stabilizuar dhe është nisur me autoambulancë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje