Ngjarje

Zjarri te pallati pranë QSUT-së/ Dyshohet se një i mitur i vuri flakën mbeturinave të marketit

Nga Gazeta Si- Detaje të reja kanë dalë nga zjarri që përfshiu një pallat pranë QSUT, ku për pasojë u dëmtuan 71 apartamente.

Sipas raportimeve, policia ka siguruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth marketit ku dyshohet se nisi zjarri.

Sipas pamjeve, rreth orës 16:30 të së martës, disa fëmijë shihen duke luajtur në pjesën e pasme të marketit, në katin e parë të pallatit.

Pranë fasadës ndodheshin kartona të grumbulluar. Nuk dallohet qartë momenti i ndezjes së zjarrit, por një nga të miturit qëndron për disa sekonda pranë tyre. Menjëherë pasi largohet, në zonë nis të dalë tym.

Flakët u përhapën me shpejtësi, duke u aktivizuar fillimisht në ambientet e marketit dhe më pas duke përfshirë të gjithë fasadën e pallatit.

Një ditë më parë, u vunë në pranga administratori i pallatit me inicialet A.C., si dhe menaxherja e supermarketit me inicialet R.S. Supermarketi ndodhej në katin përdhe të këtij pallati, dhe nga aty dyshohen se kanë nisur flakët.

Po ashtu, në pranga janë vënë edhe inxhinieri me inicialet E.A., i kompanisë “Arlis” si dhe A.F., administratori i kompanisë (kontraktori) që ka bërë fasadat e ndërtesës. Po ashtu, u shpall në kërkim edhe pronari i kompanisë së ndërtimit, me inicialet A.L.

Nga flakët që përfshinë pallatin ditën e martë, u  shkrumbuan 30 apartamente, kurse 11 persona u dërguan në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë