Drejtësia

Pëllumb Gjoka dëshmon në gjyq: Më keni futur në hasmëri në bazë të thashethemeve

Gazeta Si – Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar për dosjen e operacionit “Metamorfoza”, ku u zbuluan disa ngjarje kriminale, ka dhënë dëshminë e tij në gjyqin që u zhvillua këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme.

I akuzuar për veprat penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” dhe “korrupsion ndaj funksionarëve të drejtësisë”, ai ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e akuzës, duke deklaruar se po dënohet vetëm bazuar në thashetheme dhe asnjë provë konkrete.

“Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe e kam shkruar e marrë vrasësit. Kushdo që ka organizuar, marrë pjesë, sikur një herë të vetme që të vritet, kushdo që ka gjetur vendin e makinës ka bërë një veprim kriminal. Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje, – ka thënë Gjoka. – Herën e kaluar më pyetët a jam i dënuar. Unë de facto jam dënuar, se më është bërë një gjyq publik. Çfarë nuk kam dëgjuar. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh kam dëgjuar. Gjyqet publike nuk janë për të zbardhur të vërtetën. Gjyqet publike bëhen për t’i bërë presion gjyqtarëve. Gjithë këtë histori e kanë bërë për shkëmbime favoresh. Unë kam 30 vjet që merrem me biznes. Bizneset kryesore i kam pasur lokalet e natës dhe lojërat e fatit. Janë biznese që paragjykohen. Unë jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin. Për këtë jam habitur, nuk di ku kam shkelur. Kam 3 vjet në paraburgim e nuk di çfarë kam bërë. Gjithë kjo histori nuk di si do sqarohet. Siç e tha avokati, dy palët jemi futur në llogore.

Ai akuzon prokurorët, që sipas tij e kanë futur në hasmëri, ndërsa i janë bllokuar edhe aktivitetet e biznesit.

“Për të futur në burg një njeri është përgjegjësi e madhe. Në burg je një i vdekur që ecën. Me thashetheme e me lehtësi me të futur në burg e në hasmëri, nuk e di. Janë shumë familje të ngujuara edhe unë ju garantoj, që historia që kanë nisur këta, do vazhdojë. Këtu do të vriten njerëz, por përgjegjësia e kujt është? Këta po i detyrojnë njerëzit të bëhen kriminelë. Jo të futesh në burg e në hasmëri e të bllokohet ekonomia nga thashethemet. Napoloni ka thënë “Gjylja e topit e maja e lapsit kanë një material, por maja e lapsit vret më shumë”. Këta e kanë mprehur fort majën e lapsit”, shtoi Gjoka.

Gjoka shpjegoi se gjithashtu se nuk ka asnjë provë që ai është përdorues i llogarisë në aplikacionin SKY, ku janë marrë bisedat që kanë çuar në arrestimin e tij.

“Procedimi penal nuk ka nisur kur thonë prokurorët. Ka nisur më herët. Është bërë një kërkesë që unë të futem në burg. Pastaj kanë gjetur modalitetet. Kanë gjetur një kushërirën time. I kanë thënë të bëjë një kallëzim. Më vonë dy oficerë i kanë marrë një deklarim. Ndërkohë, këta policë kanë pasur edhe përgjimet e SKY. Ato përgjimet i kanë pasur policët e antiterrorit. I kanë pasur rrugëve. Po për çfarë e kanë nisur procedimin. Kushërira ime e ka bërë kallëzimin edhe në Shkodër edhe në Lezhë e pastaj edhe në Tiranë. Kallëzimi i referohet një procedimi penal të bërë në Shkodër”, tha shtoi ai.

Gjoka mohoi të ketë qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC. “Edhe nëse këto thashethemet e SKY, kanë vlerën e provës, edhe sikur të jenë të mirëqena, po gjykohem mbi thashetheme. Unë nuk kam qenë përdorues i SKY. Por për një moment, po themi se jam. Të them, si është bërë identifikimi? Nuk ka asnjë provë shkencore, që të jem abonent i SKY, asnjë provë fizike që unë jam abonent i SKY. Procesverbali thotë, se nga analiza e një komunikimi rezulton se fjalia e parë thotë: ‘Jam Dritani’. Këta thonë, është Arditi”.

Gjoka foli edhe për ditën e arresitmit të tij. “Më kanë ardhur nja 50 policë. Nuk kanë gjetur asnjë gjë, një armë gjahu. Marrim analizën e kodeve. Për një moment, po i marrim si të vërteta, sikur kodi i pretenduar është i Behar Bajrit. Nëse e marrim të mirëqenë, në çdo bisedë ai flet vetëm për punë dhe të gjitha thëniet e tij janë kontradiktore. Në një vend ai thotë ‘dua ta hek njënin, por emrin nuk ia di’. Në një tjetër bisedë, kodi i pretenduar si i tij, thotë ‘sa lekë me jep për Visin’. Nuk di sa i thotë ai. Njëherë thotë ‘e bej se janë shumë lekë’. Pastaj thotë, ‘duan me t’vra’. Më vonë thotë, ‘nuk vras njeri se kam fëmijë’. Më akuzojnë për korrupsion. Po e quajmë se ai kodi në SKY është i imi. A mund ta di se për çfarë kam bërë korrupsion? Unë nuk e di për ç’episod jam. Thonë kam ndërhyrë tek dy gjyqtarë. Vetë dy gjyqtarët, thonë, ‘nuk e njohim’. Tani, cilët janë më të besueshëm, gjyqtarët, apo kapterët që kanë zbardhur SKY”, tha ai.

Gjoka hodhi poshtë edhe akuzën për përgatitjen e kushteve për të vrarë Genc Tafilin. “Nuk ka asnjë bisedë, asnjë komunikim. Unë nuk kam asnjë konflikt me ta. Për Ibrahim Licin e Dorian Dulin janë thashetheme SKY. Për Kleathi Musabelli është e vërtetë që kam pasur një konflikt me të. Shkojmë tek arma. Policët në shtëpi më gjetën veç një çifte me letra. Të të vijnë policët në shtëpi e për thashetheme të më fusin në burg, të fortë janë. Tani të di, për çfarë arme jam në burg, se nuk e di. Për grupin kriminal e sqaroi avokati. Nëse kam qenë, të di me kë kam qenë. Nëse ka një komunikim mes kodit që prokurori thotë që kam pasur unë dhe atij që thotë se ka pasur Behar Bajri, ku flitet për vrasjen e Gjin Ndojit, pranoj çdo lloj akuze. Nëse ka ndonjë bisedë se ku do të rrijë makina e vrasësve , unë pranoj çdo lloj akuze”, tha ai.

Procedimi për dosjen “Metamorfoza”, ka nisur nga Prokuroria e Posaçme, në 16 janar 2023i. Në SPAK, pronarët e 39 hektarë tokë në fshatin Pulaj në Velipojë, kanë depozituar një kallëzim, për falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.

Ata pretendojnë se prona e tyre është tjetërsuar nga Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me disa persona të tjerë. 

Po ashtu, sipas SPAK, në komunikimet përmes aplikacionit SKY, ish-prokurori Xhevahir Lita shfaqet duke folur me biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajrin për lirimin nga burgu të këtij të fundit.

Bajri i thotë biznesmenit se do ishte mirë që çështja e tij të merrej nga Lita. Pasi dosja vendoset që do të ndiqet nga prokurori Lita, Bajri flet sërish me biznesmenin Gjoka, ku e pyet se sa lekë do prokurori për ta liruar.

Ndërkohë, për vrasjen e Gjin Ndoj, zbuluar nga SPAK falë zbërthimit të komunikimeve në “Sky” dhe “Encro Chat”, për të cilin në akuzë janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe Edmond Preka, çështja do të gjykohet me procedurë të zakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë