Nga Gazeta ‘Si’-Sëmundjet infektive dhe mangësitë në infrastrukturë për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike janë dy shqetësimet më të rëndësishme të drejtuesve ekzekutivë shqiptarë sipas raportit të fundit të Forumit Ekonomik Global.
Në raportin që identifikohen rreziqet kryesore globale për vitin 2023, theksohet se shqetësime të tjera të rëndësishme për Shqipërinë janë rritja e shpejtë e inflacionit, problemet gjeopolitike të cilat shkaktojnë krizën e lëndëve të para dhe kriza e furnizimit me ushqime.

Ky raport i cili bazohet në Anketën e Perceptimit të Rreziqeve Globale (GRPS) që realizohet prej dy dekadash merr parasysh pikëpamjet e më shumë se 1200 ekspertëve globalë të rrezikut, politikëbërësve dhe liderëve të industrisë.
Përgjigjet për anketimin u mblodhën nga 7 shtatori deri më 5 tetor 2022.
Vitin e kaluar, ndonëse pandemia e Covid 19 ishte në kulmin e saj, sëmundjet infektive ishin shqetësimi i pestë i drejtuesve ekzekutivë shqiptarë, ndërsa i pari ishte kriza politike (Luhatje të marrëdhënieve ndërshtetërore), të ndjekura nga dëmtimi i mjedisit nga dora e njeriut; më pas mangësi në masat e sigurisë kibernetike dhe e katërta kriza e borxhit.
Shqetësimet e ngritura nga drejtuesit shqiptarë në raportin e 2023 janë gjithashtu të ndryshme nga ato globale, ku mbizotëron “Kriza e furnizimit me energji”, që është e para, e ndjekur nga “Kriza e kostos së jetesës”; “Inflacioni në rritje”; “Kriza e furnizimit me ushqime” dhe “infrastruktura për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike”.
Në rajon, konfrontimi gjeo-ekonomik dhe kostot e larta të jetesës,problemet kryesore
Në Kosovë shqetësimet kryesore janë dëmi mjedisor i shkaktuar nga njeriu, inflacioni i shpejtë, kostot e larta të jetesës, konfrontimi gjeo-ekonomik, dështimi i masave të sigurisë kibernetike dhe pabarazia digjitale.
Kurse, Serbia, rrezikohet nga konfrontimi gjeo-ekonomik, goditje të rënda të çmimeve të mallrave, konflikte ndërshtetërore, kriza të kostos së jetesës dhe kriza të rënda të furnizimit me mallra.
Maqedonia e Veriut, në anën tjetër, mund të përballet me krizë në kosto të jetesës, kriza të borxhit, dëm mjedisor të shkaktuar nga njeriu, inflacion i shpejtë dhe i qëndrueshëm dhe ngecje në rritje ekonomike.
Edhe Mali i Zi, thotë raporti, mund të pëballet me krizën e kostos së jetesës, konfrontim gjeo-ekonomik, stagnim i rritjes ekonomike, dështim në përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, dëm mjedisor të shkaktuar nga njeriu, kriza të rënda të furnizimit me mallra, kriza të borxhit, si dhe kriza në punësim dhe jetesë.
Pasojat ekonomike të COVID-19 dhe luftës në Ukrainë kanë rezultuar në inflacion të lartë dhe ndryshime në politikat monetare, duke shënuar rritje të ulët ekonomike dhe të investimeve në rang global.
“Rikthimi në ‘jetë normale’ pas pandemisë së COVID-19, u ndërpre shpejt nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, duke sjellë kriza të reja, veçanërisht në ushqim dhe energji”, shkruan raporti.
Raporti vë në dukje se dekada e ardhshme do të karakterizohet nga krizat mjedisore dhe shoqërore, të nxitura nga tendencat gjeopolitike dhe ekonomike. Gjithashtu, humbja e biodiversitetit dhe kolapsi i ekosistemit janë përkeqësimet më të shpejta globale gjatë dekadës së ardhshme.
“Pothuajse 3.6 miliardë njerëz në mbarë botën janë të ekspozuar në mënyrë të rrezikshme dhe të pambrojtur ndaj ndikimeve klimatike. Vendet në zhvillim, pavarësisht kontributit të tyre të kufizuar në ndryshimet klimatike, po mbajnë mbi supe barrën, por asnjë vend dhe asnjë ekonomi nuk është imune nga kriza klimatike”, thotë raporti.
Kriza e kostos së jetesës, rreziku më i madh global
Kriza e kostos së jetesës do të jetë rreziku më i madh global gjatë dy viteve të ardhshme, paralajmëroi raporti.
Inflacioni global mbetet në nivele të larta pasi kostot e energjisë dhe ushqimit u rritën vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kufizimet e furnizimit të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit kanë kontribuar gjithashtu në çmime më të larta të konsumit prej dekadash.
“Konflikti dhe tensionet gjeoekonomike kanë shkaktuar një sërë rreziqesh të ndërlidhura globale.
Këto përfshijnë vështirësitë e furnizimit me energji dhe ushqim, të cilat ka të ngjarë të vazhdojnë edhe për dy vitet e ardhshme, shoqëruar me rritje të madhe në koston e jetesës dhe shërbimi i borxhit”.
Në raport thuhet gjithashtu se “kriza të tilla rrezikojnë të minojnë përpjekjet për të trajtuar rreziqet afatgjata, veçanërisht ato që lidhen me ndryshimet klimatike, biodiversitetin dhe investimet në kapitalin njerëzor”.
Raporti e përshkroi krizën e kostos së jetesës si “rrezikun më të madh në terma afatshkurtër” deri në vitin 2025, e ndjekur nga fatkeqësitë natyrore, ngjarjet ekstreme të motit dhe “përplasja gjeoekonomike”.
Raporti u bëri thirrje “liderëve të veprojnë kolektivisht dhe me vendosmëri, duke balancuar pikëpamjet afatshkurtra dhe afatgjata”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



