Menaxhim

Nga 1 qershori, bileta e autobusit shkon 70 lekë… nëse e paguani me kartë

Nga Gazeta ‘Si’- Nga 1 qershori, pagesat në transportin publik pritet të kalojnë edhe përmes sistemit elektronik POS/POI, si pjesë e fushatës kundër informalitetit, por ky ndryshim mund të sjellë një efekt të drejtpërdrejtë në çmimin final të biletës për qytetarët.

Sot bileta e autobusit kushton 40 lekë, por sipas operatorëve të transportit urban, në rast se qytetarët zgjedhin të paguajnë me kartë bankare përmes POS-it, kostoja mund të rritet me rreth 30 lekë për çdo transaksion, duke e çuar çmimin deri në rreth 70 lekë.

Kjo do të thotë se pagesa me kartë mund të jetë deri në 75% më e shtrenjtë se pagesa cash, për shkak të komisioneve dhe tarifave fikse të sistemit bankar.

Drejtoria e Tatimeve ka bërë me dije se deri më 30 maj, të gjitha subjektet që operojnë me pagesa cash, përfshirë edhe transportin publik, duhet të pajisen me terminale POS/POI.

Por kjo nismë ka hasur kundërshtime nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, e cila paralajmëron se struktura e kostove nuk i përshtatet natyrës së transportit urban, ku çdo biletë ka vlerë shumë të ulët, por volumi i transaksioneve është shumë i lartë.

Sipas shoqatës, vetëm tarifa fikse për një pagesë me kartë arrin deri në 30 lekë, ndërsa mbi të shtohen edhe komisione përqindjeje dhe shpenzime të tjera që lidhen me përdorimin e terminaleve.

Në një komunikim zyrtar drejtuar disa institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Infrastrukturës, Drejtorinë e Tatimeve dhe Bashkinë e Tiranës, operatorët e transportit kërkojnë sqarime mbi mënyrën se si do të funksionojë sistemi në praktikë.

Ata ngrenë pyetje për ndarjen e kostove, duke kërkuar të dihet nëse ato do të mbulohen nga shteti, nga kompanitë e transportit apo do të kalojnë te qytetarët përmes rritjes së çmimit të biletës.

Gjithashtu, operatorët kërkojnë të sqarohet nëse do të ketë kufizime për komisionet bankare, si do të menaxhohet procesi i pagesës në autobusë gjatë orëve me fluks të lartë pasagjerësh dhe nëse do të aplikohet një sistem i unifikuar elektronik për transportin publik.

Shoqata kërkon gjithashtu informacion mbi mundësinë e një periudhe tranzitore, mbështetje financiare për pajisjet POS, si dhe udhëzime të qarta për trajtimin fiskal të biletave elektronike.

Ndërsa mbështet modernizimin dhe formalizimin e pagesave, Shoqata e Transportit Qytetas thekson se implementimi i sistemit duhet të marrë parasysh specifikat e sektorit, duke qenë se operon me çmime shumë të ulëta dhe numër shumë të lartë transaksionesh çdo ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë