Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria shqiptare ka çelur zyrtarisht aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026, duke vënë theksin te zgjerimi i mbështetjes financiare për fermerët, blegtorët dhe agrobiznesin.
Paketa e këtij viti përfshin 9 masa direkte subvencionimi dhe 3 masa investimi, të cilat synojnë rritjen e prodhimit vendas, modernizimin e fermave dhe formalizimin e sektorit bujqësor.
Sipas qeverisë, prioritet kryesor këtë vit do të ketë blegtoria, mekanizimi dhe mbështetja për fermerët e rinj.
Një nga shtyllat kryesore të skemës është subvencionimi i tufës bazë të matrikulluar të gjedhit. Për çdo krerë gjedhi të regjistruar, fermerët do të përfitojnë deri në 12 mijë lekë, nga 10 mijë lekë që ishte mbështetja më parë. Qeveria argumenton se kjo rritje synon të frenojë uljen e numrit të bagëtive dhe të stimulojë prodhimin vendas të qumështit dhe mishit.
Rritje do të ketë edhe për tufat bazë të të imtave, ku subvencioni shkon në 1500 lekë për krerë, nga 1200 lekë më parë. Skema synon të mbështesë kryesisht zonat malore dhe fermerët që mbajnë aktivitet tradicional blegtoral.
Një tjetër sektor që merr mbështetje të shtuar është bletaria. Për çdo koshere të regjistruar, subvencioni dyfishohet nga 1 mijë në 2 mijë lekë.
Skema përfshin gjithashtu mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të dosave, me synim rigjallërimin e sektorit të derrit dhe shtimin e prodhimit vendas.
Në fokus mbetet edhe bujqësia moderne dhe e qëndrueshme. Përmes masës për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike, fermerët do të subvencionohen për përdorimin e metodave biologjike në vend të pesticideve kimike.
Mbështetje financiare do të ketë edhe për fermat organike, si dhe për fermerët që implementojnë dhe certifikojnë standardin Global GAP, një nga standardet ndërkombëtare më të rëndësishme për sigurinë ushqimore dhe eksportet bujqësore.
Ndërkohë, përmes masës së mbështetjes për sipërfaqet e mbjella, qeveria synon të nxisë shtimin e tokave të kultivuara dhe të ulë sipërfaqet e lëna djerrë. Një masë më specifike lidhet me ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme, që synon shtimin e fondit peshkor në liqene dhe rezervuarë.
Përveç subvencioneve direkte, qeveria ka parashikuar tre masa investimi për modernizimin e sektorit.
Një prej tyre është mbështetja për fermerët e rinj, të cilët do të mund të përfitojnë deri në 10 mijë euro grant, kryesisht për investime në blegtori dhe agrobiznes.
Mbështetje do të ketë edhe për ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve, ku grantet mund të arrijnë deri në 3 milionë lekë për blegtorët.
Ndërsa për pajisjet, makineritë dhe mekanizimin bujqësor, grantet do të shkojnë deri në 500 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen edhe pajisje si tanket për ruajtjen e qumështit dhe vajit të ullirit, të cilat konsiderohen kyçe për rritjen e cilësisë së produkteve.
Qeveria ka bërë me dije gjithashtu se Skema e Naftës nuk do të hiqet, por do të reformulohet me forma të reja mbështetjeje, ndërsa fermerët do të përfitojnë edhe rimbursim 10% për faturat e prodhimit.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar skemën si një tjetër hap drejt transformimit të bujqësisë shqiptare, ndërsa aplikimet do të kryhen online përmes platformës e-Albania.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje