Futbolli ka vendosur në dy llogore lufte Armand Dukën, presidentin e FSHF-së dhe kandidat për të fituar mandatin e 6-të, dhe Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës. Një luftë që është ashpërsuar shumë ditët e fundit. Sot zhvillohen zgjedhjet për shoqatën rajonale të Tiranës, që duket se ka shumë rëndësi për zgjedhjet e 2 marsit për presidentin e FSHF-së.
Prokuroria ka nisur sot një hetim për Dukën, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Vetëm pak orë më pas FSHF ka organizuar një konferencë shtypi, ku denoncon kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për presion të hapur para zgjedhjeve për shoqatën rajonale të Tiranës.
FSHF vë në dispozicion edhe një material audio, ku dëgjohet zëri i kryebashkiakut Veliaj, që kërkon mbështetjen në bllok të kandidatit Eduard Prodani. Po ashtu, Veliaj dëgjohet të thotë se “futbolli është i vetmi ishull që na ka mbetur pa pushtuar”. Në materialin audio ka një fjalor mjaft të ulët.
Fjalët e kryebashkiakut Veliaj, gjithmonë sipas audios së vënë në dispozicion nga FSHF, janë thënë në një takim të organizuar ditën e diel, një ditë para zgjedhjeve për shoqatën rajonale të Tiranës. Veliaj i drejtohet edhe Sulejman Memës, një figurë e njohur e futbollit shqiptar dhe kandidat për kreun e kësaj shoqate, duke i kërkuar ‘llogari’ se si ka mundësi që Duka i ka marrë burrërinë.
Lufta mes palëve sa vjen dhe intensifikohet dhe në vazhdim priten të tjera zhvillime interesante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.