Drejtësia

Konflikti me Dukën, Veliaj padit zyrtarin e FSHF-së: Manipuloi zgjedhjet në Shoqatën e Klubit Tirana

Gazeta Si - Në kulmin e një beteje të ndezur për garën e kreut të ardhshëm të FSHF-së, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka paditur në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik, drejtuesin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku.  

Shkak për këtë kallëzim, është bërë zgjedhja e kryetarit të Shoqatës Sportive Tirana, që sipas Veliajt është bërë me vota të falsifikuara, pasi nuk kanë qenë të gjithë votuesit anëtarë.

Në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit Tirana, Veliaj akuzon Ilir Shulkun, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ardian Haçin, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, se kanë manipuluar në bashkëpunim zgjedhjet për Kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.

“Në ambientin ku ishte planifikuar të zhvillohej mbledhja, kanë qenë prezent 67 anëtarë nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarë kanë qenë persona anonim (delegatë jo-legjitim) të përzgjedhur në mënyrë të kundraligjshme nga përfaqësues të FSHF-së, me qëllim ndikimin në procesin e zgjedhjes së Kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, duke paracaktuar rezultatin”, thuhet në kallëzimin drejtuar Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit.

Veliaj rendit disa shkelje, duke pretenduar e ato janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjes së Kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, sipas interesave klienteliste të kreut aktual të FSHF-së.

“Ka informacione që në mbledhjen e datës 24.01.2022 të orës 15 të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me telefon nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, është kërkuar dhe kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me shoqatën në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakton që delegatët duhet të jenë punonjës të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë”, - vijon kallëzimi.

Sipas tij, Komisioni i Verifikimit nuk ka bërë identifikimin e plotë të delegatëve me të drejtë vote, si dhe lista përkatëse e delegatëve legjitimë nuk i është vënë në dispozicion kandidatëve paraprakisht. “Zhvillimi i mbledhjes mbi kuorumin e nevojshëm, me pjesëmarrjen e 67 anëtarëve nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarët prezent kanë qenë persona anonim (delegatë jo-legjitimë). Në këto kushte çmojmë së janë përdorur lista fiktive votuesish, duke falsifikuar nënshkrimet e delegatëve legjitim me të drejtë vote, të cilët kanë kërkuar thirrjen e mbledhjes”.

Veliaj thekson se edhe njoftimet e anëtarëve te Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, janë kryer nëpërmjet një emaili, i cili nuk administrohet nga anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, por “sipas informacioneve, këto emaile janë hapur nga punonjës të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe administrohet po nga ata. Duke futur në këtë mënyrë apo hequr të dhëna në mënyrë të paautorizuar nga sistemi elektronik nën administrimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me pasojë pavlefshmërinë e njoftimeve dhe vendimeve të kësaj shoqate”, nënvizon ai.

Ndodhur para këtij fakti, kryebashkiaku Veliaj kërkon kryerjen e një hetimi të plotë nga organi i akuzës, në lidhje me identifikimin e plotë të listës së delegatëve pjesëmarrës në mbledhjen e zhvilluar me datë 24.01.2022, për zgjedhjen e Kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës si dhe sekuestrimin e provave.

Një ditë më parë, Eduard Prodani, një nga kandidatët për kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë u tërhoq nga gara, duke akuzuar për shkelje FSHF-në dhe konkretisht për shtim të numrit të delegatëve.

Pas shumë polemikash në votim, kreu i Shoqatës së Futbollit Tirana u zgjodh ish-futbollisti Krenar Alimehmeti, duke marrë 44 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim.

Po ashtu, Prokuroria e Tiranës, pas referimit të policisë, ka regjistruar një procedim penal ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë