Ka ndodhur

IMT-ja në Tiranë kontroll në zyrat e FSHF-së për lejen e ndërtimit të godinës

Gazeta Si - Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake në Tiranë, kanë zbarkuar mëngjesin e të enjtes për kontroll në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, pranë ish-kompleksit sportiv “Dinamo”.

Administratori i shtëpisë së futbollit, Hasan Gurabardhi, tregoi se ishin dy inspektorë nga IMT-ja e Tiranës për të kontrolluar dokumentacionin e lejes së ndërtimit të shtëpisë së futbollit, ku hyjnë zyrat e Federatës, dy ministadiumet, fizioterapia dhe fusha që janë duke përfunduar.

"Duket i çuditshëm pse vijnë sot, kur ndërtimi dhe leja e ndërtimit është dhënë në vitin 2017 dhe erdhën çuditërisht sot. I vumë në dispozicion lejen e ndërtimit. Ndërtesa ka nisur 5 vite më parë dhe u habitëm pse erdhën”, tha  Hasan Gurabardhi.

Një gjë e tillë ndodh në kulmin e një konflikti të ndezur mes FSHF-së dhe Bashkisë së Tiranës në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të federatës që do të mbahen në 2 mars.

Në media, FSHF publikoi  një audio-përgjim të bërë në mbledhjen e anëtarëve të komunitetit të futbollit dhe Shoqatës Rajonale Tiranë, të drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Po atë mbrëmje, 24 janar 2022, pak orë pas publikimit të audio-përgjimit shpërtheu një sasi dinamiti në banesën e presidentit të FSHF-së Armando Duka në Durrës.

Policia arrestoi për këtë ngjarje 34-vjeçarin Arlen Hasanaj, i cili ka mbajtur një qëndrim mohues, duke thënë se nuk është ai autori i vendosjes së tritolit.

Më herët, UEFA, përmes një reagimi shprehu shqetësimin për ndërhyrjen e politikës në FSHF dhe lajmëroi se shumë shpejt do të sjellë disa zyrtarë në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë