Njerez

Atifete Jahjaga- Nga politika te lufta për të drejtat e grave   

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe drejtorja e DokuFest, Nita Deda, Prizren 6 gusht, 2018.



Suadela Balliu - Vitin e kaluar, Nita Deda, drejtore e festivalit ndërkombëtar të filmit “DokuFEST”,  i dhuroi ish-presidentes së Kosovës një bluzë të stampuar me sloganin “Future is a Girl”.

Një vit më pas, ndërsa ish-presidentja ka shkuar të ndjekë festivalin,  që po zhvillohet aktualisht në qytetin e Prizrenit, ka marrë dhuratë një tjetër bluzë, por kësaj here me tekstin “Girls now”- motoja  kryesore të këtij edicioni, që i ka kushtuar një pjesë të programit fuqisë së gruas, nisur edhe nga lëvizjet botërore si “Me Too” dhe “Time’s Up” ku ishin me dhjetëra gratë e famshme që patën guximin të dalin publikisht dhe të denoncojnë abuzuesit, burra me pushtet, që nisnin  nga Hollivudi. Janë plot 210 regjisore dhe producente gra që këtë vit prezantohen në DokuFEST me realizimet e tyre, grishur edhe nga hapësira që i është lënë temës së fuqizimit të gruas. 

“Tejet krenare me ‘DokuFest2018’ që sivjet në programin e vet i ka të përfshira 210 gra regjisore dhe producente. Tema e tyre “Reflektimi” jetëson pasqyrimin që vendi ynë duhet ta japë për gratë.”- ka shkruar në faqen e saj të Facebook-ut Jahjaga, ndërsa ka përgëzuar organizatorët.Dy vjet pasi përfundimit të mandatit si presidente e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka themeluar një fondacion,  që ka për qëllim të çojë përpara rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Shtysën e parë e pati marrë më herët, në javën e parë të detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës, në vitin 2011. Ishin një grup grash nga Drenica që i kërkuan presidentes një takim. Tema për të cilën do diskutohej ishte tejet delikate dhe thuajse e varrosur në heshtje për 13 vjet. Tridhjetë e gjashtë gra do i rrëfenin një e nga një tmerret që kishin përjetuar në luftë.

Asokohe, Jahjaga ishte një grua e re, vetëm 35 vjeç, moshë që e rendiste si liderja më e re në botë , ndërsa dëgjonte e shtangur dhe e tmerruar sesi , një nënë 37 –vjeçare ishte përdhunuar në të njëjtën ditë së bashku me tri vajzat e saj; të madhen 17 -vjeçare, të dytën 15 e të tretën 13 -vjeçare me Sindromën Down. Sesi gjyshja e vajzave dhe mamaja e gruas vrau veten, duke mos gjetur dot kuptim a fjalë ngushëlluese për të dashurat e saj. Ja ku ishin këto gra, trembëdhjetë vite pas luftës,  në mëshirën e askujt; të stigmatizuara nga shoqëria, të refuzuara nga familjet.

Ende në shoqërinë e Kosovës –do  të rrëfente Ahtifete Jahjaga, për një grup studentësh të Universitetit Europian të Tiranës  pak muaj më parë, teksa prezantonte nismën e re –çështja  e dhunimit mbetet temë tabu. Faji i ka mbetur  viktimës dhe jo atyre që e kanë kryer; forcat paramilitare e militare të aparatit të shtetit serb. Jahjaga është e mendimit se këto forca serbe e kanë përdorur dhunimin si si mjet lufte ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës.

Gjatë një vizite në varrezat e një fshati ku më 1999 u vranë 113 djem. Foto: Valerie Plesch/Al Jazeera 

Ai takim, shtatë vjet të shkuar, shënoi një pikë të fortë kthese në jetën e presidentes, ndërsa çështjen nuk e mori vetëm si detyrim ligjor e kushtetues. Ishte kauza e  një gruaje  që mundohet dhe lufton për gra të tjera, për t’i njohur ligjërisht me statusin  e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Thuhet se bëhet fjalë për mbi 21 mijë gra e burra, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, ku njëmijë prej tyre numërohen të jenë burra. Ka pasur raste, sipas Jahjagës, ku vajzat në Kosovë janë urdhëruar prej familjarëve të dalin prej shtëpisë, si njollë turpi për familjen, gra që janë divorcuara dhunshëm prej bashkëshortëve.

Veprimin e parë publik e ndërmori në vitin 2012, përmes Kongresit Ndërkombëtar të Gruas që u organizua, me nismën e Sekretares Madlaine Allbright në Prishtinë dhe morën pjesë 109 shtete.Aty u hodhën për herë të parë disa parime që,  të mbijetuarat e  dhunës seksuale të luftës të njiheshin si viktima civile të luftës.

Jahjaga dhe Madlaine Allbright

Ajo që ndodhi më pas, në Parlamentin e Kosovës,  do ta trondiste. Deputetët e Parlamentit të Kosovës kërkuan që, 13 vite pas luftës, secila grua t’i nënshtrohej ekzaminimit gjinekologjik. Prej asaj kohe, nisi lufta e hapur jo vetëm me institucionet, por edhe me qytetarët, që në opinionin e përgjithshëm prireshin të fajësonin viktimën.

Në vitin 2014 iu desh të analizonte kompetencat kushtetuese e ligjore, me qëllim që të vepronte në mënyrë institucionale, duke themeluar Këshillin Kombëtar të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës dhe uli në tavolinë të vendimmarrjes kryeministrin, qeverinë, ministrat, shoqërinë civile, bashkësinë ndërkombëtare dhe mediet. Një muaj më pas përfundoi ligji për njohjen ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale. Ligji u garanton viktimave një pension mujor nga buxheti i shtetit të Kosovës. Shifrat e atyre që kanë aplikuar për të drejtën e tyre ligjore janë të ulëta, numëron diçka më shumë se treqind gra, të forta për të tejkaluar stigmën.

Sipas Jahjagës asnjë fajtor nuk është ballafaquar me drejtësinë, qoftë në gjykatat e Kosovës, Serbisë apo ato ndërkombëtare. 19 vite pas përfundimit të luftës ende nuk njihet ky krim. Sipas ish-presidentes edhe në publikimin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kosova është shpërfillur dhe anashkaluar për shkak se nuk është vend i Kombeve të Bashkuara dhe nuk është potencuar që dhunimi është përdorur si armë lufte.

Jahjaga me artisten Alketa Xhafa Mripa. 

Vitin e kaluar, kur dokumentari i realizuar mbi krijimin e instalacionit “Thinking of You” - të artistes kosovare Alketa Xhafa Mripa për të përkujtuar të gjithë gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës- do të udhëtonte për t’u projektuar në Beograd, ish-presidentes së Kosovës, e cila kishte dhënë mbështetjen e saj në realizimin e kësaj  vepre,  iu refuzua hyrja në shtetin serb, gjest të cilin Jahjaga e pa si tregues që Serbia nuk është ende gati të përballet me krimet që ka bërë në Kosovë dhe rajon. Janë 20 mijë viktima të luftës në Kosovë, 44 mijë në Bosnje dhe 7 mijë në Kroaci.

Pas përfundimit të mandatit, Jahjaga po e vazhdon këtë luftë, tashmë personale. Ka vendosur të lërë karrierën politike e t’i përkushtohet aktivizmit në shoqëri, duke themeluar fondacionin “Jahjaga”. Një luftë që po e lufton me institucionet e brendshme e deri në nivel ndërkombëtar. “Dhe nuk do të pushoj asnjë çast derisa të rregulloj çdo viktimë brenda Kosovës dhe jashtë, derisa të vendoset drejtësi ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës.” , ka thënë ajo.

Sipas Jahjagës Kosova si shtet, por edhe bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në detyrën themelore të dhënies së drejtësisë e ka vazhduar në kulturën e mosndëshkimit. Në pesë vite të detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës, ka rrëfyer se jo pak herë është përballur me natyrën maskiliste e patriarkale të shoqërisë shqiptare. “Nuk u intereson çfarë flet apo ç’vendime merr presidentja, por me veshjen, këpucët, çantën, stilin e flokëve. Këto janë qënë sfidat me të cilat jam përballur pesë vite, por këta kryetituj vazhdojnë ende sot, dy vjet pas mandatit”.

Por këto duket se nuk janë pengesë në rrugën e ish-presidentes, dikur udhëheqësja më e re e një shteti, ndërsa sot një grua e vendosur për të çuar përpara kauzën e saj dhe të çdo gruaje në shoqërinë kosovare. Ndihmesa që u jep atyre viktimave të dhunës, është ajo çka e ka përmbushur më shumë, ka pranuar Jahjaga.

Nëntëmbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, kur shoqëria e Kosovës gëzon lirinë, në një shtet më në fund të pavarur, në mendjet e viktimave lufta ende nuk ka përfunduar e nuk do të përfundojë derisa përgjegjësit të ballafaqohen me drejtësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë