Rend dhe Ligj

Arrestohet ‘polici’ në Tiranë, kryente marrëdhënie me eskortat dhe iu merrte paratë pas shantazhit. I zbulohen 10 adresa ‘fake’ Instagrami

Gazeta Si - Një 27-vjeçar, Ajet Salla, i cili prezantohej si punonjës policie është arrestuar, pasi u zhvaste shuma parash punonjëseve të seksit në Tiranë me qëllim për të mos i “arrestuar”.

Fillimisht, ai linte takime me vajzat që shërbejnë si eskorta nëpërmjet rrjeteve sociale dhe më pas i takonte. Ai hiqej si klient, por më pas u deklaronte se ishte polic dhe në këmbim të parave mund t’i linte të lira.

Për të mos i arrestuar, përmes kërcënimit ai kërkonte dhe merrte atyre vlera monetare që varionin deri në 2 mijë euro.

Sipas burimeve, ai rezulton i përfshirë edhe në rrjetin e prostitucionit, ku dyshohet se Salla kishte të paktën 10 adresa në Instagram me emra vajzash.

Në këto adresa, gjithnjë sipas burimeve, i shkruanin meshkujt, ku Salla hiqej si punonjëse seksi. Pasi linte takimin në hotel, ai dërgonte një nga vajzat që punonin për të për t’u takuar me klientët. Gjatë arrestimit, AMP i ka gjetur të riut një stemë policie.

Në një njoftim, AMP, thotë se vijojnë hetimet për identifikimin dhe dokumentimin me prova ligjore të implikimit të mundshëm të punonjësve të policisë si dhe lidhje shoqërore me personin e arrestuar.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), nga veprimet hetimore të kryera me metoda specale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka arrestuar në flagrancë të shtetasit A. S., 27 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes, ose dhunës për dhënien e pasurisë'. Nga kryerja e veprimeve hetimore procedurale, rezulton se ky shtetas, duke u prezantuar si punonjës policie dhe duke përdorur mjete identifikuese si ato të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit, kontaktonte nëpërmjet rrjeteve sociale shtetase të ndryshme, ku me anë të shtrëngimit e kanosjes, iu kërkonte dhe merrte atyre vlera monetare që variojnë deri në 2 mijë euro, kundrejt premtimit për të mos i arrestuar", - thuhet në njoftimin e AMP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë