Ngjarje

50-vjetori i Akademisë së Shkencave, Rama: Mbrojti interesin kombëtar të gjuhës shqipe

Nga Gazeta Si - Këtë të hënë u zhvillua në Kuvend një konferencë në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij theksoi se falë Akademisë së Shkencave, ne kemi sot një gjuhë të unifikuar.

"Nëse sot ne kemi një gjuhë të shpëtuar, kjo i detyrohet akademikëve të para viteve ’90”, deklaroi Rama, duke theksuar se ky institucion mbrojti interesin kombëtar të gjuhës shqipe.

“Para viteve ‘90 kur liria ishte e kufizuar dhe hapësirat e njerëzve të shkencës ishin tejet të ngushta, por krahasimi mes para dhe pas ‘90 e bënë pas ‘90 të duket jo mirë për ta thënë me fjalë të buta përballë të gjithë atyre veprave dhe figurave. Kaq e vërtetë është sa t’ju them të drejtën kur vizitoj Akademinë e Shkencës pas ‘90 dhe dëgjoj ato kërkëllitjet e parketit të vjetër më duket sikur ishte Eqerem Çabej që rrotullohej në varr nga gjendja e dëshpëruar e atij institucioni. Institucion që mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe.

Nëse sot kemi gjuhë të unifikuar dhe të shpëtuar, kjo i detyrohet akademikëve të asaj kohe dhe asaj akademie që sot është në një proces përpjekjeje për t’u rikthyer në lartësinë dhe vendin që i takon. Debatet që pasuan pas rënies së komunizmit në ballafaqimin me vendet e tjera të rajonit nuk do t’i bënim dot me argumentet shkencore që disponojmë nëse s’do na i kishin lënë trashëgimi themeluesit e Akademisë së Shkencave”.

Ndër të tjera, Rama vlerësoi akademinë gjatë kohës së komunizmit duke thënë se ishte një institucion që qëndronte i mënjanuar nga ndikimi politik dhe shoqëror i vendit.

"Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë qëndronte mënjanë nga ndikimi politiko-shoqëror i vendit. Një ndër episode që do të doja të rikujtoja është fjalimi i lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e Selman Rizës.

Thuhet se ky akt i Aleks Budës, si dhe prania në varrimin e gjuhëtarit bëri bujë qoftë në institute, qoftë në mjedisin politik. Por qëndrimi i profesor Budës ishte një sfidë ndaj regjimit, por një shprehje e mënjanësisë së akademisë në nderim të dijes dhe rrugës së shkencës. Një nderim për një punë kolosale, siç ishte puna e Selman Rizës kushtuar kombit”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se falë gjuhëtarëve, sot ka argumente për t’u përballur me botën si shqiptarë, pavarësisht se politika ndërhyri për shpërbërjen e Akademisë së Shkencave.

"Nëse s’do kishin ekzistuar Çabej, Buda, do të ishim të paarmatosur në të gjithë rrjedhën e debatit të hapur mes vendeve për prejardhjen e tyre, gjuhën e tyre, historinë e tyre e kështu me radhë. Çfarë historie do të mund të shkruanim sot nëse nuk do të ishin disa prej nxënësve të atyre kolosëve të mëdhenj si profesor Paskali apo Pëllumbi. Kemi tepër argumente sot për t’u përballur me botën si shqiptarë se sa nga dialogu që pasoi dhe shkatërroi Akademinë e Shkencave, sigurisht me dorën e politikës që ndërhyri për shpërbërjen e strukturave të Akademisë së Shkencave dhe për braktisjen e atij rezervuari burimesh njerëzore që mbase ishin pjesa më e çmuar e trashëgimisë së të shkuarës. Sot jemi në kushtet kur mund të themi se falë reformës së vitit 2019 që u realizua në një ndërveprim të udhëhequr nga vetë Akademia e Shkencave dhe më lejoni ta them, edhe kjo është në vazhdën e asaj që po përpiqem të them, në lidershipin e Skënder Gjinushit. Duhet dikush i asaj kohe akademike që të garantojë këtë kohë kaotike me shpresën që të kemi dhe ne kohën tonë akademike”, tha Rama, teksa vlerësoi drejtuesin aktual Skënder Gjinushi.

Gjinushi: Në rrugëtimin 50-vjeçar Akademia u çlirua gradualisht prej ideologjisë moniste

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi gjatë fjalës së tij tha se në këtë 50-vjetor të themelimit të Akademisë nderojmë më së pari gjithë historinë e gjatë shekullore të akademizmit shqiptar në tërësinë e vet, që nis të shpërfaqet qysh në shekujt e ndritshëm të humanizmit europian.  

“Akademia jonë e Shkencave, e krijuar si kurorëzim i procesit të ngritjes e zgjerimit të rrjetit të instituteve kërkimore në Shqipëri, e përligji vendimin historik që u mor, në plotësim të ëndrrës disashekullore të mendjeve më të ndritura të popullit shqiptar; vit pas viti e dekadë pas dekade, ajo erdhi e u rendit me dinjitet ndër akademitë e dijes evropiane”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi gjatë fjalës së tij

Sipas tij, Akademia e re u kthye në institucionin më të rëndësishëm dhe merita për këtë u takon gjuhëtarëve dhe të gjithë atyre që kanë kontribuuar në shkencë.  

“Merita për këtë i takon më së pari Asamblesë së parë, Aleks Budës e Eqrem Çabejt, së bashku me Shuteriqin, Kostallarin, Domin e Pollon, u dhanë prestigjin dhe vendin e merituar shkencave albanologjike; iu takon Petrit Radovickës, Selaudin Bekteshit e Mentor Përmetit, së bashku me Hoxhën, Prezën, Kumbaron, Dajën, Biçokun, Këlliçin e Kakariqin, që vendosën themelet e shkencave të inxhinierisë, bujqësisë dhe mjekësisë dhe i vunë ato në shërbim të ekonomisë e shoqërisë; Popës, Pilikës, Paparistos, Kuneshkas, që janë etërit e shkollës shqiptare, Omarit, Xholit, Marës, Dedjaa e Çamit që kontribuuan në shkencat shoqërore. Reformimi e riktheu Asamblenë në funksionet e veta, e ripërtëriti atë me 14 anëtarë të rinj. Pranë saj funksionojnë mbi 90 kërkues shkencorë, 7 njësi e qendra kërkimore shkencore dhe 2 institute virtuale’, u shpreh Gjinushi.

Ndër të tjera, Gjinushi tha se “në rrugëtimin e saj gjysmëshekullor Akademia e Shkencave ka ditur të çlirohet gradualisht prej ideologjisë moniste pa u ndrojtur e ndikuar nga përbaltja e presionet pluraliste, duke ditur të ndajë të vërtetat shkencore e ato historike nga keqinterpretimi e keqpërdorimi politik i tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë