Art dhe Kulture

Ylljet Aliçka: Në karantinë shkrova tregime…pastaj më trokiti Covid

Nga Suadela Balliu - Në librin e tij “Qenia dhe Hiçi”, Jean-Paul Sartre argumentonte se edhe të burgosurit janë të lirë, sepse kanë fuqinë e vetëdijes.Filozofi frëng besonte se qenie njerëzore jetojnë në angështi të vazhdueshme, jo vetëm sepse jeta është e mjerë, por sepse jemi të dënuar “të jemi të lirë”. Në kohë pandemie, si ato të përshkruara nga një tjetër ekzistencialist si Albert Camus  tek libri “Murtaja”, të cilit iu rikthyem të gjithë qysh në ditët e para të karantinës, ndoshta vetëm shkrimtarët mundën ta ndienin veten të lirë brenda rrethimit të katër mureve dhe kufizimeve – të parrokshme nga logjika në kohë normale – që vendosën qeveritë e të gjithë botës, ku më e rrepta u duk ajo shqiptare, duke sjellë me masat edhe ndjesinë jo edhe aq të largët të Shqipërisë së izoluar për gjysmë shekulli.

Sipas Camus, të arrish në realizimin e vetes, një individ ka nevojë për liri personale, që është edhe një nga viktimat e despotizmit totalitar, karakteristikë që shqiptarët e provuan gjatë regjimit komunist. Kur njerëzit nuk janë të lirë, nuk mund ta kërkojnë kuptimin e tyre në jetë e për pasojë të arrin lumturinë në një botë të padrejtë, mendonte Camus, që thoshte se asnjë e keqe nga ato që totalitarizmi rrezikon të kurojë është më e keqe se totalitarizmi vetë.

Pandemia globale e shkaktuar nga koronavirusi i ri e vuri botën përballë zgjedhjeve dhe mëdyshjeve të mëdha që secila zgjedhje do të peshonte rëndë mbi tjetrën; rëndësia e jetës apo liria?  Shëndeti apo të Drejtat e Njeriut? Në kohë lufte ato të drejta që merren të mirëqena apo për të cilat një komb ka luftuar t’i arrijë kalojnë në plan të dytë dhe megjithëse pati aty-këtu nëpër ShBA dhe Europë protesta kundër masave të izolimit, thuajse i gjithnjë njerëzimi u kyç për ta lënë “armikun” jashtë, të luftohej nga masat e qeverive dhe eksperimentet e shkencëtarëve, që ende nuk e kanë zhvilluar një vaksinë – megjithë përpjekjet – kundër koronavirusit.

Por po aq sa mund të jetë ndier i lirë një shkrimtar për ta shfrytëzuar kohën për dorëshkrime të lëna në sirtarë apo për të nisur atë projektin për të cilin nuk e gjente kohën kurrë, aq edhe parehati i ka shkaktuar, kur për të parën herë kushtet dhe kohët e izolimit nuk i kanë vendosur vetë, por u  erdhën të imponuara? A doli e vërtetë maksima e Sartre-it se njeriu me vetëdije është i lirë në çdo situatë?

Shkrimtari Ylljet Aliçka, i cili gjithashtu u prek nga Covid-19, rrëfen për “Gazeta Si”,   si kanë qenë muajt i mbyllur në shtëpi... Ndoshta, ashtu si një tjetër francez Marcel Proust, ishte "në kërkim të kohës së humbur" në kaosin e përditshmërisë që na vjedh çdo ditë një rriskë nga ajo që mund të kishte qenë më prodhimtarja. Megjithatë gjithçka bëhet më e qartë dhe e kthjellët, kur bota përreth hesht dhe resht së lëvizuri...

Si ndikoi tek ju izolimi në shtëpi, krahasuar me familjaret e tjerë apo edhe miqtë?

Ndjesia e parë,  sapo u vendos karantina kishte të bënte me mungesën e hapësirës,  shoqëruar me tepricë kohe. Natyrisht, si çdokënd u lëkund uniciteti i jetës së përditshme, u mjegulluan kufijtë mes individit dhe grupit, jeta mbeti pezull, ndërkohë që vetëdija e të qenit vulnerabil,  kapi nivelet më të larta. Çdonjëri prej nesh e prek ndryshe frikën apo infektimin me Covid-19, pasi dhe vetë frika është asimetrike. Për pasojë dhe shpërndarja e rrezikut rezultoi  e pabarabartë.

Personalisht, në një farë mënyre  koha e izolimit më rezultoi diçka më mirë se ç’e mendova në fillim. Apo të paktën nuk pata ndjesinë e një dite të gjatë apo monotone. Frikën nga mundësia e infektimit u përpoqa ta harmonizoj me punë dhe angazhime të përditshme.  Gjithsesi nuk jam i sigurt nëse ky ekuilibër do rezistonte, të themi, nëse izolimi do të  zgjatej më shumë..  

Megjithëse shkrimtarët kalojnë shpesh periudha izolimi total, ku shpesh preferojnë të jenë vetëm, pa e ndare hapësirën me të tjerë.  Çështja  e lirisë është një pikë e rëndësishme për  qenien e shkrimtarit. Si u ndjetë, kur erdhi e imponuar?

Izolimin e rëndë mund ta ushtrojnë  vetëm qeveritë që gëzojnë besimin e qytetareve. Vendosja e izolimit të imponuar, ose jo ka lidhje me besimin publik te institucionet, thënë ndryshe te raporti mes pajtimit vullnetar me shtrëngimin e imponimit. Nuk jam i bindur nëse ishte zgjidhja e duhur apo jo, ka opinione në favor, siç ka dhe kundër, gjithsesi mund të them se efektiviteti i demokracisë mbi autoritarizmin provohet në kohëra pasigurie dhe frike, si kjo e tanishmja.

Vetë Covid-19 është një dukuri risiprurëse, dhe e kapi krejt njerëzimin në befasi. Por si në shumë vende mendoj se dhe në Shqipëri pati përpjekje  të politikës për ta përdorur krizën për të propoganduar modelin qeverisës përkatës, sadoqë modelet e sotme nuk po tregojnë ndonjë lidhje varësie pra të efikasitetit të  administrimit të Covid-19 me  llojin e sistemit politik.Retorika e izolimit të imponuar dëshmoi shpesh më shumë për një pedagogji dhe didaktikë të mangët komunikimi se sa një instrument në favor të jetës. Kërkimi i ndihmës te retorikat e luftës krijon hapësirë për autoritarizëm dhe rrezikon të skualifikojë çdo lloj debate dhe mendimi të lirë, sado që aktualisht të tilla të drejta mund të duken luks i tepruar.

A ishte periudhë  produktive nga ana e krijimtarisë? Shkruat, përkthyet? Shumica prej nesh u bllokuam si në  një  rreth vicioz që  përsëritej çdo ditë, pa ndonjë produkt....

Fatmirësisht Arti na bën të shohim të rëndomtën me sy të freskët. Them se atë periudhë e shfrytëzova efektshëm:  së pari,  më ktheu shijen e shkrimit të tregimeve që kisha kohë që e kisha braktisur, përfundova dy skenarë filmash, më pas banja dielli në ballkon,  muzikë, filma në televizor  apo kompjuter, shkurt nuk po më dilte koha…. !

Ju u prekët nga  Covid-19 dhe e u shëruat.  Si ishte përjetimi i sëmundjes? A ishit skeptik ndërsa virusi dukej  i largët dhe nuk kishte prekur njerëz të njohur, derisa e provuat vetë? 

Jo, s’kam qenë ndonjëherë skeptik për realitetin e Covid-it. Sidoqoftë jam përpjekur të mos bie asnjëherë rob i një të vërtete absolute apo të nxjerr përfundime të nxituara ose të vonuara qofshin. Gjatë gjithë kësaj kohe, jam përpjekur t’i dëgjoj me interes të gjitha teoritë, informacionet, konspirative ose jo, hipotezat, përfundimet, eksperimentet, pra të marr sa më shumë informacion, duke shmangur krijimin e bindjeve përfundimtare. Pra njohjen ta konsideroj më shumë si proces, se sa si të vërtetë përfundimtare. Kjo ndofta më bëri më realist teksa më zuri dhe mua virusi, pa mohuar dhe momente paniku, kur në momente të pamundësisë për t’u mbushur me frymë, e sidomos kur truri nuk ushqehej me oksigjen e kur gati të binte të fikët, ato çaste të “familjarizonin”,  më shumë se kurrë me ndjesinë e humbjes së jetës.

Sidoqoftë, mund të them, se unë e kalova sëmundjen pa ndonjë pasojë dramatike, apo më i panikuar se të tjerët. Le të themi si një grip i fortë. U trajtova në shtëpi, me protokollet e njohura tashmë, nën kujdesin e mjekut të familjes dhe veçanërisht një mjeku vërtet të talentuar, Arjan Harxhi, që përfitoj t’i  falënderoj publikisht. Pas afro 6-7 ditë i izoluar në një dhomë më vete, ndjeva  një përmirësim të shpejtë dhe bota nisi të më dukej më interesante se sa koha para se të infektohesha. Ato çaste ti kupton vlerën e të jetuarit, veçanërisht vlerën e ngrohtësisë së  marrëdhënieve njerëzore.. Ka afro dy muaj që e kalova, dhe tashmë infeksioni nga Covidi më duket si diçka më e lehtë se më parë, thënë ndryshe e relativizova rrezikun e saj. Nëse do  riinfektohem, (siç po thuhet se të humb imuniteti pas tre-katër muajsh), tashmë e di çfarë është dhe them se nuk do e përjetoja  me të njëjtin dramacititet. Natyrisht, nëse virusi do ma kursejë jetën.

"Efektiviteti i demokracisë mbi autoritarizmin provohet në kohëra pasigurie dhe frike, si kjo e tanishmja"-Ylljet Aliçka

U infektuat pas karantine ? 

Po, dhe nuk e di se nga ku dhe kur. Natyrisht  prioritare janë  masat e njohura mbrojtëse, por nga ana tjetër shikoj se mundësitë e infektimit janë të panumërta.

Si do ta përjetonit një karantinë të dytë, nëse do të vendosej në vjeshtë? 

Fatkeqësisht ka pak të dhëna të çmuara se kur do marrë fund pandemia, madje nuk e dimë se si do përfundojë. Nuk jam në gjendje ta përfytyroj, një karantinë të dytë por natyrisht do e prisja me mjaft  pezëm.Në një plan më të gjerë mendoj që tashmë kanë ndryshuar mjaft skema të menduarit dhe të sjellit, ku gjithçka po përcaktohet nga rigjetja e një ekuilibri të ri, të asaj që e quajmë homeostazë (unë vij nga shkencat natyrore), pra të një ekuilibri mes inercisë së gjërave, domethënë  prirjes së njeriut për ta gjetur sigurinë te referencat e mëparshme, nga njëra anë dhe aftësisë për t’u përshtatur, apo orientuar në rrethana të reja, nga ana tjetër. Pra, procesi drejt një ndërgjegjësimi të ri mbi ndjenjën e sigurisë, pranimit të idesë se bashkëjetesa me viruset është e pashmangshme, (shkencërisht, viruset e rrezikshme nuk do të zhduken kurrë dhe se pavarësisht dëshirës sonë, vetë globi ka mekanizmat e tij të ruajtjes së balancës të të kundërtave duke gjetur e rigjetur vazhdimisht ekuilibra të rinj).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë