Mendim

Wilhelm zu Wied dhe Shqipëria, 6 muaj ksenokraci

Nga Marenglen Kasmi - Më 29 qershor 1913, Shqipëria u njoh nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, si një shtet i pavarur. Në vendimin e saj të parë shkruhej se “Shqipëria shpallet autonome, sovrane, e bazuar në të drejtën e një Principate të trashëgueshme dhe ekzistenca e saj garantohet nga Fuqitë e Mëdha. Princi do të zgjidhet nga Fuqitë e Mëdha.” Kandidati duhej të përzgjidhej me konsensus nga Austro-Hungaria dhe Italia duke marrë edhe miratimin e shteteve të tjera pjesëmarrëse në konferencë. Të dyja këto shtete propozuan Wilhem Wied-in, një aristokrat gjerman, si princ të Shqipërisë së sapokrijuar.

Përzgjedhja e tij si sundimtar i Shqipërisë ishte bazuar mbi arsye të forta pragmatike. E para, si gjerman, ai përfaqësonte një shtet, i cili nuk kishte ndonjë interes të madh ndaj Shqipërisë dhe së dyti, Wied-i ishte protestant dhe nuk i përkiste asnjë nga besimeve fetare në Shqipëri. Një arsye tjetër jo më pak e rëndësishme ishte që Princ Wied-i ishte i varfër dhe si i tillë nuk mund të kishte shumë pretendime.

Pasi Wied-i mori nga Fuqitë e Mëdha një paradhënie prej 10 Milionë Frangash, më 7 Mars 1914 ai zbriti në Durrës, ku u prit me nderime të mëdha.

Fillimisht ai duhej të zgjidhte tri detyra të rëndësishme, të cilat ishin organizimi i administratës shtetërore, problemi i financave dhe çështja epirote.

Organizimi i qeverisë dhe administratës përbënte edhe në aspektin teknik një problem jo të vogël: “Gjithë bejlerët dhe çdo shqiptar që di sadopak shkrim e këndim do të kërkojë një portofol ministror”, kishte parashikuar me të drejtë Ulmansky, një kapiten i SHP austriak.

Kushtet dhe situata në të cilën Fuqitë e Mëdha vendosën të krijojnë Shqipërinë ishin shumë më të pafavorshme sesa në vendet e tjera të Ballkanit. Zhvillimi i vonuar social-ekonomik i vendit, niveli i lartë i analfabetizmit, heterogjeniteti fetar, prezenca e elitës shqiptare e brumosur me mentalitet turk, mungesa e infrastrukturës, prapambetja e shoqërisë shqiptare si edhe konfliktet me vendet fqinjë e bënin të pamundur krijimin e shpejtë të kushteve normale.

Pasi mori këstin e parë të ndihmës nga Fuqitë e Mëdha u krijua përshtypja se Wied-i mund të fillonte punën për organizimin e shtetit të tij. Por, nëse i referohemi burimeve italiane të kohës, shikojmë se Wied-i, nga paradhënia që mori nga Fuqitë e Mëdha, rreth 800.000 i përdori menjëherë për të shlyer borxhet e tij të vjetra. Rreth 1.5 milionë franga i harxhoi për ngritjen e oborrit të tij luksoz dhe me pjesën tjetër të parave duhej të organizonte administratën e tij civile dhe ushtarake.

Që në fillim të sundimit të tij, Wied-it, i duhej të ballafaqohej me probleme nga më të ndryshmet dhe më elementaret. Shqiptarët prisnin që Wied-i me anë të një shkopi magjik dhe me energji gjermane të bënte evropianizimin e vendit brenda një kohë të shkurtër. Që në javët e para ata do të kuptonin se, përveç faktit se në Durrës ishte shtuar një rezidencë Princërore, për ta nuk kishte ndryshuar ndonjë gjë e madhe.

Po ashtu, për të vënë në funksion të plotë makinën e tij shtetërore, Wied-i duhej të zgjidhte edhe dy probleme të tjera emergjente. Së pari ai duhej të zgjidhte sa më shpejt problemet në jug të vendit, i cili mbahej i pushtuar nga andartët greke. Kjo gjë ishte e nevojshme, sepse sa më shpejt të zgjidhej kjo çështje, aq më shpejt mund të përqendrohej vëmendja në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Së dyti, duhej të përgatitej sa më shpejt Statuti, në mënyrë që regjimi i tij të vendosej mbi baza të shëndosha. Ky regjim duhej të mbështetej në një administratë të shëndoshë dhe xhandarmëri të organizuar.

Ndonëse problemet u evidentuan saktë, realiteti shfaqej ndryshe, “në një vend që çdo njeri është politikan ose dëshiron të jetë një i tillë”, siç shkruante gazetari gjerman nga Durrësi Fritz Lorch për gazetën e tij.

Kabineti qeveritar i Turhan Pashës nuk ishte funksional: “Një kabinet qeveritar, anëtarët e të cilit flenë deri në mesditë dhe e fillojnë punën në orën tre të pasdites, ndërkohë që ekzistenca e shtetit të tyre është në lojë, nuk është i përshtatshëm për Shqipërinë. Është e rëndë, por ky është realiteti: pa kabinet qeveritar vendi do të ishte më mirë dhe shumë nga gabimet e mëdha që janë bërë kohët e fundit nuk do të kishin ndodhur. Këtu ka nevojë për punëtorë, organizatorë dhe situata është shumë serioze për të luajtur rolin e ministrit”, shkruante nga Durrësi korrespondenti gjerman Fritz Lorch.

Më tej, problemet e Wied-it do të kulmonin me kryengritjen kundër tij.

Nëse i referohemi raportimeve zyrtare të përfaqësisë diplomatike gjermane pranë Wied-it dhe shtypit të huaj të kohës, në muajin maj 1914, në Shqipëri ekzistonin disa lëvizje kundër qeverisë së Wied-it.

Njëra nga këto lëvizje drejtohej nga Arif Hikmeti, një shqiptar i lindur në Kumanovë, i cili kishte bërë karrierë si nëpunës në administratën turke. Si shumë të tjerë, edhe ai u kthye në Shqipëri për të marrë ndonjë post në administratën e Wied-it. Në ndryshim nga shumë të tjerë, që njësoj si ai nuk arritën të punësoheshin, Arifi nuk e kaloi kohën kot kafeneve të Durrësit duke sharë qeverinë, por shkoi në brendësi të vendit për të propaganduar kundër qeverisë dhe pro ardhjes së një prej djemve të sulltan Abdyl Hamitit në vend të Wied-it. Po ashtu, Arif Hikmeti bashkëpunoi ngushtë me Ahmet Zogun.

Lëvizja tjetër dhe më e madhja kundër Wied-it ishte një lëvizje fshatare, e cila shtrihej në zonën e Durrësit dhe Tiranës. Fshatarët e këtyre zonave u mblodhën të armatosur në Shijak. Sipas diplomatit gjerman në Durrës, Nadolny, kur ata pyeteshin se përse ishin mbledhur, përgjigjeshin se po bënin revolucion. Për arsyet e fillimit të këtij revolucioni, fshatarët kishin mendime të ndryshme. Një pjesë mendonin se revolucioni drejtohej kundër bejlerëve dhe agallarëve si edhe kundër politikës ekonomike të qeverisë, e cila favorizonte pashallarët dhe jo popullsinë e varfër.

Pjesa tjetër e tyre mendonte se do të luftonin kundër Esat Pashës. Korrespondenti i gazetës gjermane „Vossische Zeitung“ kreu një bisedë me një nga drejtuesit e kryengritjes, Shehun e Shijakut, Hamdi Rubjekën, i cili në qershor 1914 ishte plagosur dhe u kap rob. Shehu tregoi se kryengritja ishte drejtuar fillimisht kundër Esatit. Sipas tij, Esat Pasha, u kishte premtuar fshatarëve se ata do të merrnin tokë, nuk do të paguanin taksa etj. Të gjitha këto premtime rezultuan të pavërteta. Kështu që, revolta e drejtuar fillimisht kundër Esatit u shndërrua në një kryengritje kundër gjithë bejlerëve. Kjo lëvizje popullore u drejtua nga hoxhallarët dhe më pas mori edhe karakter religjioz. Kaq kaotike ishte situata, saqë kishte edhe mendime se lëvizja u iniciua nga kushërinjtë e Esatit për arsye xhelozie.

Në thelb, kjo ishte një kryengritje kundër kastës feudale sunduese të vendit, e cila gradualisht mori ngjyrime fetare dhe më pas edhe politike, duke u shfrytëzuar nga gjithë armiqtë e Wied-it dhe Shqipërisë.

Të parët që shpresonin të përfitonin nga kjo lëvizje ishin përkrahësit e xhonturqve. Duke shfrytëzuar besimin e thellë të fshatarësisë myslimane dhe duke propaganduar rrezikun që i kanosej fesë myslimane nga Princi katolik, ata premtonin që Perandoria Osmane jo vetëm që do t’u dërgonte atyre një sundimtar mysliman, por po ashtu do të plotësonte edhe gjithë kërkesat e tyre.

Së dyti, Serbia, e cila nëpërmjet mbështetjes që i jepte lëvizjes kryengritëse të Arif Hikmetit në Dibër, arriti me forcën e parave të ndikonte edhe në revoltën e Shqipërisë së Mesme duke i bashkuar këto rrymat antiWied.

Së treti, po ashtu edhe Italia ishte e interesuar në këtë kryengritje dhe shumë shpejt bëri për vetë kokat drejtuese të revoltës. Synimi kryesor i Italisë ishte krijimi i një Protektorati italian në Shqipëri. Duke qenë se shumica e popullsisë shqiptare ishte myslimane, Italia synonte që nëpërmjet krijimit të protektoratit, fillimisht në viset myslimane shqiptare, jo vetëm të balanconte ndikimin austriak te katolikët e Veriut por, me kalimin e kohës, të zgjeronte kufijtë e këtij protektorati në gjithë territorin shqiptar. Esat Pasha konsiderohej nga Italia njeriu kyç që do të mundësonte arritjen e këtij synimi. Largimi i Esatit nga Shqipëria shënonte njëkohësisht përmbysjen e planeve italiane në Shqipëri.

Së katërti, nëse marrim në konsideratë raportet sekrete të ministrit gjerman në Durrës, Lucius, arrijmë në përfundimin se, edhe Greqia kishte dorë në organizimin e kësaj kryengritje. Ndër të tjera ai raportonte në Berlin: “Nuk përbën më asnjë dyshim që kryengritja stimulohet dhe mbështetet në plan të parë nga Greqia. Pavarësisht faktit se, tashmë grekët bashkëpunojnë hapur me epirotët, edhe këtu unë kam zbuluar fakte të pakundërshtueshme që ministri dhe peshkopi grek punojnë pa pushim që ky vend (Shqipëria) të mos gjejë asnjëherë në qetësi. Për të arritur këtë qëllim, ata kanë hedhur në qarkullim shuma të mëdha parash...”

Në qendër të përplasjes së gjithë këtyre interesave qëndronte Wied-i. Ngjarjet e ndodhura së fundmi e kishin dëmtuar imazhin e tij si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Atij i mungonin trupa ushtarake për të luftuar kryengritjen brenda vendit ashtu edhe në Jug të Shqipërisë kundër andartëve grekë. Pavarësisht ndërhyrjes energjike të KNK-së u arrit vetëm një armëpushim dy javor, kohë në të cilën nuk mund të shpresohej në asgjë më shumë sesa që Wied-i të përgatitej për mbrojtjen e Durrësit nga kryengritësit.

Por, si është e mundur që, brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi Wied-i u prit me brohoritje nga banorët e Durrësit, në rrethinat e qytetit tashmë luftohej kundër tij?

Një nga arsyet kryesore është se shqiptarët kishin menduar se menjëherë pas ardhjes së Wied-it gjendja e tyre do të ndryshonte rrënjësisht. Mos ndryshimi i situatës dhe vazhdimi i gjendjes kaotike, madje në jug të vendit në përkeqësim, ia lehtësoi punën kundërshtarëve të Wied-it.

Më tej, duhet thënë se arsyet e dështimit të Wied-it janë më komplekse. Në vija të përgjithshme këto arsye bazoheshin në neglizhencën dhe qëndrim pasiv të Wied-it, në paaftësinë e zyrtarëve shqiptarë për të drejtuar në pozicione kryesore dhe në rivalitetet e tyre të shumta. Për sa i përket Wied-it, duhet të merret në konsideratë se ai ishte i pamësuar me një ambient të tillë dhe po ashtu nuk ishte i përgatitur për këtë detyrë. Për fat të keq, atij i mungonte edhe aftësia vendimmarrëse dhe guximi për të urdhëruar si edhe aftësia për të kontrolluar zbatimin e urdhrave të tij. Po ashtu, shumica e nëpunësve i përkisnin shkollës turke dhe me ta nuk mund të ngrihej një administratë e fortë perëndimore. Si pasojë, mbledhja i linte vendin mbledhjes, secili ministër bënte çdo gjë dhe asnjëri prej tyre nuk bënte diçka të hairit.

Gabimi më i madh që bëri Wied-i ishte largësia që ai mbajti nga populli, që në fillim shpresoi aq shumë prej tij. Rregullat, veset, mënyra e sjelljes së tij dhe organizimi i jetës në pallat ishte tepër perfekt edhe për ndonjë oborr të vjetër aristokrat në Europë. Por, kjo mënyrë sjellje tepër ceremoniale ndaj një populli analfabet dhe me një nivel të ulët kulturor bëri që simpatia ndaj të tij të bjerë shumë shpejt. Me përjashtim të disa udhëtimeve të tij të shkurtra në Tiranë, Vlorë dhe Kavajë, ai thuajse nuk doli asnjëherë para popullit të tij. Wied-i nuk arriti të kuptojë mentalitetin dhe problemet e popullit shqiptar. Këtë gjë e shpjegon edhe fakti që, Princesha erdhi e veshur me një dekolte të hapur, ndërkohë që shqiptarët as që mund ta imagjinonin dot një veshje të tillë. Sigurisht që ky veprim pati pasojë për «mbretin kaur».

Periudha e qeverisjes së Wied-it në Shqipëri, nga 7 marsi deri më 3 shtator 1914, është e ngjeshur me kontradikta politike dhe ushtarake si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike dhe po ashtu nga zgjedhja që iu diktua Shqipërisë nëpërmjet vendosjes së një pushteti ksenokrat.

Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kthyen Shqipërinë në një «kukull loje». Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja e një figure të panjohur gjermane, siç ishte Wied-i. Në këto gjashtë muaj mbretërim dolën në pah rivalitetet ndërmjet Austrisë dhe Italisë. Për të dyja palët, kontrolli i bregdetit shqiptar kishte një rëndësi strategjike. Po ashtu edhe aktiviteti që ushtronte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) mund të konsiderohet si një pushtet paralel i Fuqive të Mëdha përkrah sundimit të Wied-it. Ky komision e minonte autoritetin e Wied-it në disa aspekte, si për shembull e drejta e KNK-së për të nënshkruar marrëveshje bilaterale etj.

Fillimi i Luftës së Parë Botërore bëri që vëmendja e Fuqive të Mëdha të zhvendosej nga Shqipëria, e cila nuk përbënte më lajm. Tashmë situata kishte ndryshuar. Wied-i, të cilit kjo ngjarje i erdhi për shtat dhe në një farë mënyre e shpëtoi nga telashet, i kërkoi Kajzerit që të rimerrej si oficer aktiv në ushtrinë perandorake gjermane. “Një Princ gjerman që është i aftë për të luftuar, duhet të jetë pjesë e ushtrisë gjermane” tha Kajzeri Wilhelm II kur i paraqitën kërkesën e Wied-it.

Wied-i do ta mbyllte luftën si major dhe oficer shtabi, pa ju dhënë asnjë trupë në komandim, sikurse i takonte rangut e sërës së tij. Ndoshta kjo ishte hakmarrja e kajzerit ndaj tij, kur ai nuk e dëgjoi këshillën e kajzerit gjerman, të mos përzihej në një vend të ngatërruar siç ishte Shqipëria.

PS: Nga konferenca shkencore për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë