Shendet

Variçela po prek dhe të rriturit, ISHP: Nuk e aplikojmë, por ka vaksinë. Adultët e kalojnë më rëndë

“Djali im kaloi lijen një javë më parë. Ai është 18-muajsh dhe gjendja e tij nuk ishte e rëndë. Pak ditë pas tij u mbusha në të gjithë trupin me puçrra të vogla dhe temperatura më shkoi deri në 39.5. Vetëm pas një jave kurë me antibiotikë munda ta kaloj, por shenjat në fytyrë i pata dhe për disa ditë të tjera”. Kështu shprehet Genti B., 32-vjeç, i cili nuk e kujton të ketë kaluar lijen në fëmijëri. Por ndryshe nga ai, djali i vogël e kaloi qetë.

Mjekja e përgjithshme në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, Suela Dodani thotë se pacienti ka referuar temperaturë të lartë për disa ditë. Sipas saj ky nuk është rasti i vetëm. “Janë shtuar rastet në qendër ambulatore të prindërve me sëmundjen infektive të lijes, si pasojë e infektimit nga fëmijët e tyre. Nga simptomat që shfaqin, duket se sëmundja nuk kalon lehtë tek të rriturit”, thotë mjekja Dodanni.

Burime pranë ISHP i thanë Gazetës “Si” se në Shqipëri nuk aplikohet vaksina e lisë së dhenve ose e variçelës siç njihet më shumë, por kjo vaksinë vitet e fundit është futur dhe në tregun tonë farmaceutik.

“Ne nuk e kemi përfshirë në kalendarin e vaksinimit. Në rast se nuk e kalon në fëmijëri dhe ndodh të kesh kontakt me një të infektuar, je i rrezikuar të prekesh nga kjo sëmundje edhe kur je i rritur. Rastet që referohen sot më së shumti i përkasin datëlindjes ’80-‘90”, thonë burimet.

Por prekja nga variçela nuk të bën imun ndaj Lisë së Majmunit, sëmundjes infektive me origjinë nga Afrika e cila po qarkullon në SHBA dhe Evropë duke iu afruar dhe rajonit tonë pasi rastet janë konstatuar së fundmi në Itali.

Mjekët bëjnë apel që të mos neglizhohen simptomat e lijes, por të mbahet kontakti i rregullt me mjekët specialistë për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Lija e Dhenve (variçela) është një sëmundje ngjitëse e përhapur në mbarë botën, e cila shkaktohet përmes virusit Varicela-Zoster. Bartja e saj bëhet përmes kontaktit me trup ose përmes frymëmarrjes (infeksionit me anë të pikëzave të ajrit). Përafërsisht 2 javë pas infektimit fillon reaksioni në lëkurë, i cili në të shumtën e rasteve shoqërohet me temperaturë: Njolla të vogla të kuqe shpërndahen shumë shpejt, në madhësi sa thjerrëza, të mbushura me lëng, të cilat turbullohen dhe pas disa ditësh përthahen.

Tipike është kruarja e fortë. Personi i sëmurë zakonisht 2 ditë para shpërthimit të sëmundjes dhe 5 ditë pas fillimit të paraqitjes së puçrrave të freskëta është infektues (sëmundja është ngjitëse). Pas kurimit të ekzemës në lëkurë, disa viruse mbeten në nyjat nervore (ganglion) të trurit dhe të palcës së kurrizit. Ato munden të bëhen aktive dhe të shkaktojnë herpesin Zoster sidomos tek të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar.

Te fëmijët e shëndoshë janë të rralla komplikimet e formave të rënda të lisë së dhenve si p.sh. super infeksioni bakteriologjikë i lëkurës, inflamacion (ndezje) e trurit ose mushkërive. Në të kundërtën adoleshentët dhe të rriturit kanë një rrezikshmëri më të lartë për të pasur komplikime. Veçanërisht në rrezik janë të gjithë pacientët e pambrojtur, të cilët kanë sistem të dobët imuniteti, i cili rrjedhë nga çrregullimi i lindur, i fituar ose në bazë të një çrregullimi të shkaktuar nga medikamentet. Tek fëmijët, të cilët vuajnë nga leukemia, lia e dhenve mund të ketë edhe ecuri vdekjeprurëse. Lia e dhenve është e rrezikshme edhe për gratë shtatzëna, të cilat nuk e kanë kaluar atë para shtatzënisë ose nuk janë vaksinuar kundër saj.

Kush duhet të vaksinohet?
Vaksina kundër lisë së dhenve u rekomandohet të gjithë fëmijëve dhe duhet që zakonisht të jepet në moshën 11 deri 14 muaj. Për të arritur një mbrojtje të sigurt të vaksinës, të gjithë fëmijët e moshës 15 deri 23 muaj vaksinohen përsëri.

Vaksinimi rekomandohet edhe për të gjithë personat e pambrojtur , për të cilët një infeksion do të ishte veçanërisht i rrezikshëm ose të cilët mund të transmetonin linë e dhenve te personat e tjerë të rrezikuar. Këto janë kryesisht pacientët me kancer, me pezmatim të rëndë të lëkurës (neurodemitis) dhe pacientët para procedurave të planifikuara mjekësore operative, të cilat dobësojnë sistemin imun (terapia që shtyp sistemin imunitar) si p.sh. përpara transplantimit të organeve apo me sëmundje të rëndë të veshkave. Gjithashtu është i domosdoshëm vaksinimi I personave që kanë kontakt të ngushtë me këta pacientë (familjarët, kujdestarët etj.) si edhe personeli i kujdesit mjekësor të këtyre pacientëve.

Kush nuk duhet të vaksinohet?
Individët të cilët vuajnë nga sëmundje akute të nevojshme për trajtim, me temperaturë >38,5°C nuk duhet që të vaksinohen. Nuk duhet të vaksinohen personat që kanë alergji nga përbërësit e vaksinës. Në përgjithësi, edhe individët me sistem të dobët imunitar nuk vaksinohen. Në rrethana të caktuara janë të mundshme dhe të nevojshme edhe përjashtime. Vaksinimi për mbrojtjen nga lia e dhenve nuk duhet bërë te gratë shtatzëna, pasi në teori viruset e vaksinës përbëjnë rrezik për fëmijën në mitër. Për të njëjtën arsye, shtatzënia duhet të parandalohet për një periudhë 1 mujore pas vaksinimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë