Drejtësia

Fitoi të drejtën në Strasburg / Prokurorja e shkarkuar nga Vettingu, Sevdari rikthehet në detyrë me vendim të KPA

Gazeta Si- Pas 5 vitesh betejë gjyqësore, Antoneta Sevdari është rikthyer në detyrën e saj si prokurore pas rishqyrtimit të çështjes nga Kolegji i Posaçëm i Apelit, duke marrë shkas nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Strasburgut.

Sevdari, e cila u shkarkua si prokurore në vitin 2019 nga procesi i Vettingut, shënon kështu rastin e parë që një subjekt i shkaruar nga detyra nga KPA, rikthehet në sistemin e drejtësisë po me vendim të KPA-së, por jo me të njëjtët gjyqtarë si para 5 vitesh. Mësohet se Antoneta Sevdari do të ushtrojë detyrën e prokurores në Prokurorinë e Tiranës.

Në një komunikim për mediat Sevdari me zërin që i dridhej tha se ishte tepër e emocionuar pas këtij vendimi.

“Keni qenë një forcë e madhe për mua në rrugën time për të ardhur tek kjo ditë. Ndihem e gëzuar që arrita të marr drejtësinë që meritoja, kam 2-fish përgjegjësi të jem e përkushtuar ndaj drejtësisë Faleminderit! Jam e emocionuar, s’mund të them gjë tjetër”.

Në vendimin që u lexua nga kryesuesja e seancës, Natasha Mulaj thuhet se: “Kolegji arrin në konkluzionin se në kushtet kur parashikimet e konventës evropiane për të drejtat e njeriut si dhe vendimmarrjen e GJEDNJ lidhur me respektimin e saj referuar parashikimeve kushtetuese janë të detyrueshme për zbatimin nga shteti shqiptar. Sa kohë lidhur me çështjen objekt gjykimi, dhënia e masës shkarkim nga detyra është çmuar nga GJEDNJ që ka cënuar nenin 8 të konventës, e vetmja alternativë është konfirmimi i saj në detyre”.

Gjykata e Strasburgut e kishte gjetur në disproporcion me qëllimin që kishte ligji për Vettingun vendimin e shkarkimit të Sevdarit.

Të njëjtin qëndrim për këtë vendim më herët kishin mbajtur edhe vëzhguesit ndërkombëtar të procesit të Vettingut në Shqipëri.

Ky proces në KPA vjen pas një vendimmarrje të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila pranoi ankimin e prokurores Antoneta Sevdari dhe dënoi Shqipërinë që ta dëmshpërblente me rreth 25 mijë euro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit.

Kjo është hera e parë që një vendim shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me formë të prerë rimerret në shqyrtim, duke shënuar një ndër rastet kur procesi i Vettingut merr notë ngelëse në Strasburg.

Gjykata e Strasburgut dënoi Shqipërinë me dëmshpërblimin e ish-prokurores me disa paga prej rreth 25 mijë eurosh dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit të saj, pasi i janë shkelur disa të drejta gjatë rivlerësimit kalimtar.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim në Kolegj, erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit të Vettingut në tërësi.

Prokurorja Sevdari kaloi pa probleme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së, për hetim jo të plotë në lidhe me dyshimin se i janë gjetur parregullsi për burimin e ligjshëm të të ardhurave, të deklaruara nga emigracioni i bashkëshortit gjatë viteve 1997-2004.

Në 23 korrik 2023, qeveria njoftoi se do të dëmshpërblejë me mbi 24 mijë euro Antoneta Sevdarin. Në vendimin e qeverisë, thuhet se 19.600 euro do t’i marrë në lidhje me dëmin pasuror dhe jo-pasuror, si dhe në shumën 5.000 euro si kompensim, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

Kështu, 5 vite nga shkarkimi me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Antoneta Sevdari rikthehet në sistemin e drejtësisë po me vendim të KPA-s, që pranoi të rivlerësojë mangësitë e gjetura nga Gjykata e Strasburgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë