Shendet

Bino: Vaksina e variçelës nuk ka lidhje me linë e majmunëve. Kalo: Të vaksinuarit para vitit ’83 kanë imunitet

Alarmi për linë e majmunëve ka nisur që prej fillimit të muajit maj. Lija e majmunëve ka shqetësuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë pasi sipas deklaratës së fundit virusi ka ndryshuar.
Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino i ka thënë Gazetasi.al se në vendin tonë nuk ka asnjë rast me linë e majmunëve. E pyetur nga Gazetasi.al ekspertja shpjegon se vaksina e lisë së majmunit nuk ka lidhje me variçelën (linë e dhenëve).
“Nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunëve”, shton Bino.

Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino.

Lidhur me variçelën, e cila është e përhapur gjerësisht në Shqipëri, Bino tregon se nuk ka stok të vaksinës për këtë sëmundje. Ajo shton se Agjencia Europiane e Barnave(EMA) ka miratuar shumë pak vaksina për këtë sëmundje. Kështu sipas epidemiologes vaksinat e variçelës prodhohen shumë pak dhe as vendet europiane nuk kanë stok.
Bino thotë gjithashtu se do të mblidhet Komiteti i Vaksinimit në ISHP, për të përcaktuar se çfarë do të bëhet me këtë vaksinë.
Ekspertja shpjegoi më tej se të lindurit pas viteve '83 janë të rrezikuar për t’u prekur dhe duhet ta marrin këtë vaksinë.

“Ka rëndësi sepse është hera e parë kemi transmetim nga njeriu tek njeriu”, shton Bino.

Ndërkaq, mjeku infeksionist Tritan Kalo, në një postim në rrjetin social “Facebook”, shkruan se individët e vaksinuar para vitit 1983 për linë e vërtetë, kanë imunitet edhe ndaj lisë së majmunëve.
Kalo shkruan se pas këtij viti OBSH ka rekomanduar që kjo vaksinë të hiqet nga skemat e vaksinimit. Duke shpjeguar specifikat e sëmundjes, mjeku infeksionist shpjegon se një individ është infektues 7 ditë para dhe 21 ditë pas shenjave klinike.
“Përkujdesi dhe trajtimi i të sëmurëve në të dy sëmundjet, është pothuajse i njëjtë”, shton Kalo.
Lija e majmunit për nga klinika si dhe shenjat e lëkurës, duhet diferencuar me variçelën. Lija e majmunit është një sëmundje, e cila është zbuluar në vitin 1958.

LEXO EDHE:
-Vaksina për linë e majmunëve dhe specifikat e saj.

Simptomat fillestare të lisë së majmunit përfshijnë ethe, dhimbje koke. Gjithashtu edhe dhimbje muskujsh, dhimbje shpine dhe nyje limfatike të fryra.
Virusi mund të hyjë në trup përmes lëkurës së çarë, traktit respirator ose përmes syve, hundës ose gojës.
Mund të përhapet gjithashtu nga kontakti me kafshët e infektuara. Ndër to renditen majmunët, minjtë dhe ketrat. Gjithashtu, edhe nga objektet e kontaminuara me viruse, si shtrati, veshjet dhe pajisjet e kuzhinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë