Drejtësia

‘Kemi drejtësi që performon me dy standarde’/ Kreu i KLGJ: Dosjet stivë, rrezikohet kolapsi! Nuk kemi ambiente e gjyqtarë!

Nga Gazeta 'Si'-Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në Ditën e Drejtësisë ka adresuar problematikat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.

Duke u ndalur te gjyqësori, Sadushi tha se gjyqtarët kanë një drejtësi që performon me dy standarde, duke shtuar se “në një gjykatë, qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në salla gjykimi, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve”.

“Nuk arrihet të kuptohet se përse është në atë gjendje kritike Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë (dhoma Penale dhe Civile), që detyron zhvillimin e seancave gjyqësore në zyrë dhe gjyqtari nuk guxon të dalë prej saj, sepse në çdo moment do të ndeshet në korridoret e gjykatës me palët dhe me avokatët? Përse duhet të pranojmë ne gjyqtarët të kemi drejtësi, që perfomon me dy standarde, ku në një gjykatë, qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në salla gjykimi, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve?

Përse në Gjykatën e Posaçme kemi rregulla standarde për hyrjen e palëve në godinë dhe solemnitetin e zhvillimit të seancave gjyqësore, ndërsa në gjykatat e tjera palët përballen me një tjetër standard, që veçse e delegjitimon drejtësinë? Si është e mundur që është pranuar nga të gjithë ne dhe, në veçanti nga KLGJ, që dy gjykatat e apelit të kryeqytetit të mos kenë mjaftueshëm zyra dhe salla gjykimi për gjyqtarët? A kemi ndonjë zgjidhje afatshkurtër apo afatgjatë për to?

KLGJ duhet të fokusohet tek misioni dhe funksioni i saj për të qenë bashkëpunuese me gjykatat, që të mirëadministrojnë dhënien e drejtësisë. Ky organ është formatuar me përbërje mikse, gjyqtarë dhe jo gjyqtarë. Me sa duket, ky miksim përvojash, megjithëse me gjyqtarë në shumicë, nuk po arrin të ketë eficencën e dëshiruar. Gjyqtarët që zgjidhen si anëtarë të Këshillit, në platformat që paraqesin për këtë qëllim, mbi të cilin marrin edhe besimin e kolegëve, përfshijnë edhe çështje të administrimit më të mirë të gjykatave”, tha Sadushi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë thotë se gjyqtarët po përballen me dosjet që po rriten në mënyrë drastike.

"Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë