Ngjarje

UÇK-ja, nga Enver Hoxha tek Bill Klintoni

Në shkurt të vitit 1998, në Kosovë nisi lufta. Për dy vjet, Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) iu kundërvu policisë ushtarake serbe. Në përgjigje, forcat serbe shpërthyen në dhunë çnjerëzore, duke i larguar më forcë shqiptarët nga vendi i tyre. Ndërkohë që bastisjet, sulmet dhe ekzekutimet e policisë kundër anëtarëve të UÇK-së u rritën, mbështetja ndërkombëtare për grupin u fuqizua dita-ditës. Politikisht, UÇK-ja kishte fituar një betejë të rëndësishme: çështja e Kosovës doli në skenën ndërkombëtare. Ky ishte një hap i rëndësishëm në strategjinë afatgjatë të grupit, i cili shpresonte se ndërhyrja perëndimore do të ishte e vula e vetme e pavarësisë së Kosovës nga Republika Federale e Jugosllavisë. Dhe ata ia dolën. Në mars të vitit 1999, në përgjigje të dhunës së ushtruar nga ushtria serbe, forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore kundër Beogradit. Tërheqja e forcave serbe dhe zbarkimi i NATO-s në Kosovë dhe pastaj trupave të OKB-së, i hapën derën e pavarësisë së plotë të Kosovës në vitin 2008.

Kosova në duart e komunistëve

Kosova kishte vlerë të madhe simbolike dhe shpirtërore për kulturën serbe. Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore, komunistët jugosllavë u detyruan të gjykojnë midis dy pretendimeve rivale ndaj Kosovës, njëra e bazuar në lidhjet historike të Serbisë me rajonin dhe tjetra e rrënjosur mbi të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje kombëtare. Në ato kohë lëvizjet kombëtare e shikonin diktatorin komunist, Enver Hoxha si shpresën e vetme për Kosovën. Disa prej tyre mbështesnin ideologjinë e tij komnuniste dhe u formuan duke u bazuar tek politikat e tij. Fillimisht, komunistët jugosllavë dhe shqiptarë besonin se çështja do të zgjidhej pa konflikte. Më shumë se sa një “mollë sherri”, ata shpresonin se Kosova do të ishte një "urë" që do të bashkonte shqiptarët dhe serbët. Por çarja e Jugosllavisë dhe Bashkimin Sovjetik në vitin 1948, i dha fund kësaj perspektive. Ndërkohë që Shqipëria u bashkua me Stalinin kundër Titos, Kosova mbeti nën hijen e Serbisë, e sunduar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Beogradi.

Pas ndarjes, udhëheqja jugosllave hodhi poshtë kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për autonomi më të madhe. Ndërhyrja e ushtrisë dhe persekutimi i shqiptarëve u rritën. Racizmi kundër shqiptarëve si një popull "i prapambetur" dhe "primitiv" depërtoi thellë në shoqërinë jugosllave, por përsa i përket ekonomisë, Kosova u konsiderua si eksportuesja kryesore e lëndëve të para. Shtypja e policisë, varfëria dhe diskriminimi nxitën pakënaqësinë në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Pas ndarjes së Titos dhe Stalinit, Jugosllavia dhe Shqipëria ndoqën rrugë të ndryshme drejt socializmit. Jugosllavia, e dëshpëruar për të siguruar pavarësinë e saj dhe zhvillimin ekonomik, kërkoi hyrjen në rendin liberal të pasluftës.

UÇK-ja

Ndërkohë, nën sundimin e Enver Hoxhës, Shqipëria mori një rrugë rrënjësisht të ndryshme, duke mbajtur anën e Bashkimin Sovjetik kundër Jugosllavisë dhe më pas anën e kinezëve kundër sovjetikëve. Regjimi i Hoxhës mbeti i përkushtuar ndaj kontrollit të centralizuar të shtetit dhe kolektivizimit bujqësor. "Hoxhaizmi" u bë sinonim i një stalinizmi pa kompromis, përbuzës dhe të pamëshirshëm. Ishin pikërisht rrugët e ndryshme që morën Jugosllavia e Titos dhe Shqipëria e Hoxhës, ato që formuan lëvizjet kombëtare shqiptare në Kosovë gjatë Luftës së Ftohtë.

 Deri në fund të viteve 1970, një shtresë e shqiptarëve të Kosovës u integrua në burokracinë jugosllave të shtetit dhe një bashkëjetesë më e madhe filloi të lulëzonte në qytetet më të mëdha. Kjo atmosferë siguroi bazën për formimin e krahut të moderuar të lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë. Duke përjashtuar çdo lidhje me Republikën Popullore të Shqipërisë, kjo klasë politike vendase kërkoi autonomi më të madhe nëpërmjet integrimit më të thellë në institucionet jugosllave. Reformat politike dhe kulturore të viteve 1970, megjithatë, bënë shumë pak për të luftuar varfërinë në Kosovë. Në fillim të viteve 1980, Kosova ra shumë larg mesatares Jugosllave, dhe hendeku po rritej dita-ditës. Edhe pse shkalla zyrtare e papunësisë në provincë ishte 27.5 përqind, papunësia reale ishte shumë më e lartë. Për më tepër, prioriteti i industrisë së mineraleve e përjashtoi popullsinë rurale nga programet e zhvillimit të shtetit.

Tanket e NATO-s në Beograd

Dështimi i udhëheqësve së Kosovës për të zgjidhur këto probleme ekonomike siguroi një tokë pjellore për forcimin e lëvizjeve  kombëtare. Tensionet ndërmjet dy fraksioneve të ndryshme të lëvizjeve kombëtare shqiptare në Kosovë dolën në pah në fund të viteve 1980, kur Sllobodan Millosheviç u ngjit në pushtet. Ndërmjet viteve 1987-1990 autonomia Kosovës u shpërbë dhe institucionet shtetërore dhe partiake u pastruan nga shumica e anëtarëve shqiptarë. Shqiptarët u shkarkuan masivisht nga shtypi, radioja dhe televizioni i Kosovës dhe u zëvendësuan me serbët. Universiteti i Prishtinës u detyrua të ndalonte pranimin e studentëve shqiptarë dhe të rriste kuotat e serbëve dhe malazezëve. Ndërkohë që institucionet e Kosovës shkatërroheshin, ish-anëtarët e klasës politike të Kosovës u detyruan të bashkoheshin për të formuar një organizate të re: Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK). E themeluar në dhjetor të vitit 1989, LDK-ja u bë shumë shpejt një organizatë masive, duke u konsideruar si "qeveria në mërgim" e Kosovës. Nën udhëheqjen e shkrimtarit Ibrahim Rugova, LDK-ja filloi të kërkonte pavarësinë përmes një strategjie rezistencë.

Miqtë e Kosovës në Uashington

Që nga formimi i saj në fillim të viteve 1980, LPK-ja kishte ndjekur një rrugë të pandërprerë për çlirimin e Kosovës. Aktivistët në mërgim studionin taktikat ushtarake të grupeve çlirimtare si ETA, PLO dhe IRA. UÇK-ja u formua në vitin 1993 si krahu i armatosur i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gjatë viteve të ardhshme, aktivistët e UÇK-së mblodhën një sërë kontaktesh në komunitetet e varfra, rurale në Kosovë dhe modernizuan operacionet e tyre për mbledhjen e fondeve në diasporë. Dështimi i strategjisë pacifiste të LDK-së në vitin 1995 i la UÇK-së hapësirë që të largohej nga lëvizja politike.  Siç vë në dukje Henry Perritt, UÇK-ja besonte se ishte forca e vetme e armatosur që mund ta çlironte Kosovën. Fushata e tyre kishte për qëllim një strategji më të gjerë politike për të bërë të munduar ndërhyrjen perëndimore në Kosovë dhe për të mbështetur vetëvendosjen shqiptare. Rruga për çlirimin, tek e cila ata besonin, kalonte tanimë përmes Uashingtonit dhe Bill Klintonit.  Ndërhyrja e NATO-s ndihmoi në sigurimin e kushteve që Kosova të shpallte pavarësinë nga Serbia në 2008. Pas tërheqjes së forcave serbe në qershor të vitit 1999, Kosova u vendos nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, e cila mbikëqyri krijimin e institucioneve të përkohshme të qeverisjes./Jacobin/ 

Bill Clinton me fëmijët shqiptarë 

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë