Politike

Tufa i përgjigjet Ramës: Të gënjyen për ligjin

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve tha se ligji me të cilin është ngritur Instituti për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ja ndalon këtij të fundit që të ketë si objekt studimor vitet e luftës për çlirim.

“Në pikëpamje të luftës për çlirim deri në 29 nëntor 1944 nuk mund të jetë objekt i një instituti që paguhet me taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i punës së atij instituti dhe i takon Kuvendit që të bëjë vlerësimet e nevojshme në raport me ligjin apo shkeljen e ligjit, apo dëmin e shkaktuar nga një i tillë institut", u shpreh ai.

Deklarata e Kryeministri mori shkas nga debatet që ky Institut dhe kreu i tij, Agron Tufa janë përfshirë me disa deputetë socialistë, që e akuzojnë Institutin dhe botimet e tij se po përbaltin luftën nacionalçlirimtare.

Agron Tufa iu përgjigj pak orë më vonë kreut të Qeverisë. Ai ndan një tjetër mendim me Ramën dhe i citon nenet e ligjit mbi bazën e të cilit funksionon instituti që ai drejton.

“Nëqoftëse ndërmjetës qenka Ligji dhe respektimi i tij, atëherë qenkemi krejtësisht në rregull, vetëm se Kryeministrin e paskan rrejt dhe rrejt besa keq. Siç thoshte poeti i ndjerë Ali Podrimja Kryeministrit i paskan servirë një "rrenë klluqe". Duket qartë që Kryeministri nuk e ka parë ende nenin specifik të ligjit”, shkruan ai.

Tufa citon Nenin 3, Pika a) të ligjit në fjalë i cili thotë nuk përjashton periudhën para 29 nëntorit 1944 si objekt të punës studimore të institutit.

“Periudha e komunizmit” është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë", thuhet aty.

“Kryeministri i Shqiperisë, z. Edi Rama, nuk duhet t'u zërë besë as enveristëve përreth tij, që e gënjejnë kaq vrazhdë e trashë në lidhje më periudhën që ligji i jep në shqyrtim ISKPK; nuk duhet të më zërë besë as mua, që mund të kem "konflikt interesi" në këtë çështje. A ka punë më të thjeshtë e më të pastër sesa të shohësh vetë ligjin nr.10242 për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit"? Aty thuhet gjithçka qartë e shqip: Pra si t'ia bëjmë asaj pjesës "si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944"?”, thotë Agron Tufa.

Më pas, kreu i ISKPK-së shton se edhe vetë Kryeministri ka ndarë vite më parë një qëndrim antikonformist.

“Si ky citim pikant: Duhet pranuar më në fund hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi nënjë luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë", shton ai.

https://www.facebook.com/atufa3/posts/10218970016512586

Tufa mendon se me deklaratën e bërë së fundmi, Kryeministri po bie ndesh me qëndrimin e tij në fillim të viteve ’90 dhe se thotë se nuk i trembet kërcënimeve për mbyllje të Institutit.

"Por sot, me 5 maj 2019, Kryeministri më përmendi në mesazhin e tij qetësues për të shqetësuarit e kotë. Përmendi hetimin parlamentar, nëse ne jemi konform ligjit. Dhe… nëse puna jonë ka sjellë dëm. Dëm kujt? Të vërtetës, apo enveristëve? Ne me punën tonë po provojmë se tezat e tij të vitit 1992 në Refleksione, janë absolutisht të drejta e të vërteta, sepse konfirmohen në arkiva. Kryeministri mund të urdhërojë me pushtetin që ka gjithë ingranazhet e qeverisë dhe Parlamentit. Mund ta mbyllë dhe Institutin tonë, që studion krimet e komunizmit. I ka këto mundësi. Por ne do të provojmë të mbrohemi me logjikë, arsye e dinjitet, kundrejt një kryqëzate fanatike enveriste, deri më tash, vetëm me solidaritetin e pjesës më serioze të shtypit”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë