Politike

Rihapet plaga e vjetër, një luftë me fashistë, komunistë e spiunë rusë

Mbledhja e 1 prillit e Komisionit të Ligjeve riktheu në vëmendje të opinionit publik një debat që ka shoqëruar për tre dekada opinionin publik. Në tryezë, deputetët e këtij komisionit kishin projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2018.

Relator për këtë çështje në Komision ishte deputeti socialist, Adnor Shameti. Ai foli për një veprimtari të lavdërueshme të Institutit, që drejtohet nga pedagogu dhe shkrimtari Agron Tufa. Me disa vërejtje estetike, por që nuk cenonin thelbin, dokumenti u miratua edhe nga deputetët e tjerë të Komisionit të Ligjeve, deri kur fjalën e mori Spartak Braho. Ai shënjestroi Agron Tufën.

Deputeti i PS, Spartak Braho

“Nuk jam dakord me përfundimin e relatorit që puna që ky institut ka bërë është e lavdërueshme. Ky institut, me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Partisë së Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe nuk ka asgjë shkencore në të gjitha analizat që ka bërë. Ky është thjesht një institut studimi që nuk ka pse të ngatërrohet me politikën, nuk ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është ndaluar me ligjin që kemi miratuar, në veprimtarinë e të cilit ka shumë helm. Në këto kushte unë nuk do të votoj pro kësaj rezolutë, madje do të kërkoj shkarkimin e Agron Tufës deri kur ai t’i thërrasë mendjes dhe të jetë më i ekuilibruar në të gjithë veprimtarinë tij”, deklaroi ai.

Pavarësisht votës kundër të Spartak Brahos, rezoluta u miratua. Ajo që pasoi ishte një valë artikujsh e sulmesh ndaj Agron Tufës në opinionin publik dhe media. Në to, kreu i këtij instituti akuzohej se po njolloste “lavdinë e Luftës Nacional-Çlirimtare”. Burimi i akuzave ishte libri “Krimet e komunizmit përgjatë luftës” me autor Dr.Çelo Hoxhën dhe botuar në vitin 2014 nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Libri mbyllet me një listë prej 265 emrash drejtuesish të komunistëve përgjatë viteve të luftës, të cilët sipas dokumentacionit të paraqitur nga autori akuzohen për krime.

Tufa reagoi menjëherë në disa intervista që dha për mediat. Ai kërkonte nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi që të marrë masa ndaj deputetit, ndërsa hidhte poshtë pretendimet e Spartak Brahos duke deklaruar se puna e ISKK-së ishte e pamotivuar politikisht, por vetëm pasqyrë e hulumtimeve shkencore të dokumentacioneve të kohës. Ai akuzonte vetë Brahon, ish-hetues gjatë komunizmit se kishte dhënë dënime politike të rënda, deri edhe me vdekje. Akuzat i shoqëronte me faksimile të vendimeve.

Gjyqtari i Kolegjit Ushtarak të PPSH, sot deputeti Spartak Braho, që kanoset nga salla e Kuvendit pluralist per prerje…

Gepostet von Agron Tufa am Sonntag, 7. April 2019

Reagimi i Agron Tufës dhe Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit jo vetëm që nuk bindi Spartak Brahon, por në krah të tij u rreshtuan me radhë një sërë emrash të tjerë, që nga ish-deputeti socialist, Sabit Brokaj, diplomati Fatos Tarifa e deri tek ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë e Pajtimit Kombëtar në 1997, Shaqir Vukaj. Që të gjithë këta shënjestronin Agron Tufën dhe termat e përdorur shkonin nga “spurdhjak”, “fashist”, “spiun rus” e të tjera.

Debati në distancë me artikuj e kundërartikuj, deklarata e kundërdeklarata dhe akuza e kundërakuza vijoi për ditë me radhë, deri kur vetë Agron Tufa dorëzoi në Gjykatën e Tiranës padinë ndaj Spartak Brahos, Fatos Tarifës, Shaqir Vukaj dhe të tjerëve me akuzën e shpifjes.

Agron Tufa u përgjigj duke deklaruar se ndjehej i kërcënuar, edhe fizikisht. Në një intervistë të fundit dhënë për “Top Talk” ai foli për qindra ish-sigurimsa që aktualisht janë punonjës në institucione të ndryshme shtetërore.

“Ka një kapitull në raportin tim që raportohet për praninë e madhe në institucionet tona të pavarura dhe varura, të administratës nga ish-sigurimsa. Janë me qindra ish-sigurimsa. 519 ish-sigurimsa janë vetëm në Policinë e Shtetit. Apeli im është që të reagojnë ndaj kësaj situate”, deklaroi ai.

Brahon e akuzon si “enverist” dhe thotë se për librin që është bërë “mollë sherri” ai e ka miratuar në 2014 duke votuar pro projektrezolutës së ISKK.

“Ne flasim për gjëra të vërtetueshme. Raporti nuk ka asnjë libër që ka të bëjë me luftën. Nuk kishte asnjë shkak për atë reagim. Ai i referohet librit ‘Krimet e komunistëve gjatë luftës”, që është botuar në vitin 2014. Ky libër është miratuar me rezolutën e Kuvendit që është votuar nga Parlamenti, madje edhe me votën e vetë zotit Braho. Krimet i kemi vërtetuar në dokumentet e vetë partisë së tyre, domethënë mbi dokumentet e arkivave të shteti. Asgjë nuk është e sajuar”, vijoi ai.

Mbi fashistin, fshatarin dhe spiunin rus, mikun dhe kolegun tim të dashur Agron Tufa!…

Gepostet von Artan Fuga am Mittwoch, 24. April 2019

Nuk munguan as emrat që morën në mbrojtje Agron Tufën, ndërsa pjesë e gjithë përplasjes është bërë së fundmi edhe Artan Fuga. Në reagimin e tij, Fuga shprehet skeptik mbi shifrat e librit “Krimet e komunizmit gjatë luftës”, por del në krah Agron Tufës duke ironizuar sulmet e adresuara ndaj tij.

“Kur të na bëhet mbarë edhe unë dëshiroj t’i them mikut tim Agron Tufa çfarë mendoj për ndonjë botim, i të cilit ai nuk është autor, sikur bisedojmë ngahera për libra të tjerë! Por, kur dëgjoj se ai qenkesh fashisti i fundit në Shqipëri, nuk e mbaj dot të qeshurën. Shqipëria nuk qenka çliruar akoma! Paska mbetur ushtari i fundit Agron Tufa! Goni është fashist po aq sa unë nuk jam biri i dy partizanëve në Luftën Çlirimtare, kujtimin e të cilëve në atë periudhë e kam të shenjtë në traditat familjare! Goni na qenka edhe fshatar! A thua se është sharje përbuzëse të vish nga zona dhe krahina plot tradita nga çdo cep i vendit! Sa qejf po të isha edhe unë fshatar si Gon Tufa! Goni qenka edhe spiun rus! Vërtet ka ca tipare si të Sorges ai! Ore mos është ai që i ka dërguar z. Putin planet e sulmit të fashistëve shqiptarë mbi Moskë që po përgatitet për 21 qershorin e këtij viti? Edhe kjo na duhet, të niset një fushatë makartiste si gjueti shtrigash ndaj intelektualëve tani!”, shkruan ai.

Çfarë është Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit?

ISKK është një institucion qendror shtetëror i pavarur i themeluar në vitin 2010 sipas ligjit numër 10242 të miratuar më 25 shkurt të atij viti. Ligji i përcakton qëllimin e krijimit dhe veprimtarisë së institucionit, duke i përcaktuar si objektiv administrimin, ruajtjen dhe kërkimin shkencor mbi materialet që dëshmojnë krimet e komunizmit.

Agron Tufa

Neni tre i ligjit përcakton se periudha e komunizmit nis më 29 nëntor 1944, ditën e Çlirimit dhe mbyllet më 8 dhjetor të 1990, por përfshin edhe vitet e luftës gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria e Partisë Komuniste për të ardhur në pushtet. Botimi i Çelo Hoxhës tek kjo periudhë ishte ndalur.

Ndërkohë, nga mënyra sesi e përcakton ligji funksionimin e këtij institucioni, Agron Tufa “s’është përgjegjësi” i vetëm i “njollosjes” së Luftës Çlirimtare. Organi kryesor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është Bordi Drejtues. Bordi përbëhet nga shtatë anëtarë, ku tre janë nga Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, një nga shoqëria civile dhe dy të tjera nga Konferenca e Rektorëve. Gjatë garimit, për çdo vend bosh të këtij bordi, duhet të propozohen minimumi tre emra.

Bordi zgjedh drejtorin e Institutit, miraton rregulloren, përcakton strukturën, miraton planin e vjetor të punës si dhe raportet vjetore dhe i dorëzon ato në Kuvend. Aktualisht, Uran Butka është kryetar i këtij bordi, Jonila Godole nënkryetare dhe anëtarë Gëzim Peshkëpia, Alfred Lako, Vasil Tole, Etleva Shehu dhe Enriketa Papa.

Në vitin 2014, kur është marrë vendimi për botimin e librit në fjalë, Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit përbëhej nga Kolec Topalli (kryetar), Pjetër Pepa, Uran Butka, Nebil Çika, Romeo Gurakuqi, Gëzim Peshkëpia, Alfred Lako. Në një vendim të marrë në fund të korrikut të 2014, ky bord i hapi rrugë botimit të një serie librash, mes të cilëve edhe “Krimet e komunizmit gjatë luftës”.

Në rolin e Drejtorit Ekzekutiv të Institutit, Agron Tufa është njeriu që mbikëqyr zbatimin e vendimeve të Bordit Drejtues. Detyrat kryesore të drejtorit ekzekutiv janë përgatitja e materialeve që shqyrton dhe miraton bordi, por edhe ajo e përfaqësimit të Institutit në marrëdhënie me të tretë.

Më Shumë