Politike

Ali Ahmeti, nderi i Tiranës

Me propozim të kryebashkiakut Erion Veliaj, Këshilli Bashkak i Tiranës miratoi të martën pasdite dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ky titull iu akordua, Ali Ahmetit në shenjë falënderimi për gjithë kontributin e tij në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

Ali Ahmeti është një prej figurave më të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore të Ballkanit Perëndimor. Ceremonia për titullin u organizua në Bashkinë e Tiranës të enjten në mesditë.

Mes duartrokitjesh, Ahmeti u shpreh se Tirana i ka mbajtur të gjithë në gjirin e saj.

“I dashur Edi! Sot edhe ju e keni në qendrën e Tiranës Skëndërbeun, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër në qendër. Edhe ju me krenari është flamuri kombëtar por edhe dënohen nëse nuk e kam flamurin kombëtar, në kancelari, në zyra, në komuna, 5000 euro është gjoba...

Dua të falenderoj nga zemra për mbështetjen, përkrahje që na ka dhënë shteti shqiptar.

Tirana, e njoh Tiranën e 91 dhe sot nuk e njoh Tiranën e 2024. Humb, nuk e di ku jam. Tirana  është Tiranë tjetër krejtësisht, dhe kjo më gëzon mua, gëzon çdo shqiptar që vjen dhe viziton.

Do përpiqem Erion të jem qytetar i disiplinuar, çfarë do aktiviteti të keni do jem pjesëmarrës sepse është dhe qyteti im.

Këtë nder e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi patriotë, të burgosurit politik. E ndaj me 3000 mbetje mortore në vendlindjen time në nënën shqiptare, për atë flamur janë vrarë, për atë gjuhë.  Më keni nderuar mua, ju faleminderit shumë, suksese paçi në gjitha veprimtaritë e jetës”, tha i emocionuar Ali Ahmeti

Edhe Rama nuk i kurseu lavdet. Në një ceremoni ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe ish-presidentë, Edi Rama foli me superlativa për figurën e Ali Ahmetit, duke e cilësuar atë si një nga shqiptarët më të mirë të historisë.

“Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë shqiptare. Një histori me mundime të mëdha dhe për shkak të fuqive të mëdha për të cilët Shqipëria ishte një bezdi. Nuk besoj se ka komb tjetër që e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetit. Ali Ahmeti një shqiptar që iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta në Maqedoni. Por me armë nuk kërkoi gjakderdhje, por vendosi në rendin e ditës domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve. Armët në krahun e asaj rezistence nuk synonin ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj në të njëjtin flamur të popullit shqiptar dhe maqedonas. Rruga që hapi Ali Ahmeti ishte ajo e një misioni patriotik paqeje. Armët nuk ishin një shaka aventurierësh, por deklarata e sosjes së durimit nga shpërfillja diskriminuese. Është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët. Ali Ahmeti është mjeshtri më i madh i përdorimit të armës së diplomacisë. Pa Ali Ahmetin, shqiptarët në RMV nuk do të ishin në ditën e tyre më të mirë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë