Para

Tregu financiar dhe i sigurimeve më të paguarit, shitjet e shërbimet nënvlerësohen

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, sipas të dhënave të INSTAT gjatë tremujorit të parë 2019, është 51.531 lekë, duke u rritur me 4,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Por pagat ndryshojnë sipas aktiviteteve ekonomike , sektorëve dhe gruprpofesioneve. Sektori që ka pagat më të kënaqshme është aktiviteti financiar dhe ai i sigurimeve. Më të diskriminuarit janë shitjet dhe shërbimet.

Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 97,4 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupsektorin e Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit është 26,3 % më e ulët.

Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi, ka rritjen më të madhe prej 16,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimi është i vetmi grup-aktivitet që ka ulje prej 2,8 %.

Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 87,6 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve është 37,2 % më e ulët.

Paga për grup-profesionin e nëpunësve ka rritjen më të madhe prej 8,1 % gjatë tremujorit të parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve si në Forcat e Armatosura ka uljen më të madhe, prej 0,4 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë