Para

Tkurren depozitat në valutë të huaj, biznesi ka përdorur para nga kursimet gjatë karantinës

Banka e Shqipërisë thotë se stoku i depozitave në sistemin bankar është shtuar me rreth 13.6 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit, ose rreth 6% në terma mesatarë vjetorë.

Zgjerimi i tyre ka ardhur si pasojë e shtimit të depozitave në lekë, të cilat kanë shënuar rritje me 17 miliardë lekë, duke kompensuar tkurrjen me rreth 3.4 miliardë lekë të depozitave në valutë.

Rënia e depozitave në valutë gjatë kësaj periudhe është e përqendruar në muajin prill.

Banka argumenton se kjo sjellje reflekton kryesisht tkurrjen e depozitave në valutë të bizneseve, të cilat në kushtet e pandemisë Covid-19, kanë përdorur pjesërisht fondet e tyre për plotësimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.

Depozitat e individëve kanë kontribuar në zgjerimin e stokut total të depozitave, duke shënuar rritje me rreth 9 miliardë gjatë kësaj periudhe.

Gjatë kësaj periudhe është vënë re se depozitat pa afat në sistemin bankar përbëjnë rreth 48.5% të totalit të depozitave në muajin qershor, duke shënuar një rritje të peshës së tyre me 0.7 pikë përqindjeje nga fundi i tremujorit të parë të vitit.

 Ndërkohë, ka vijuar dhe zhvendosja e pjesshme drejt depozitave me afat maturimi mbi dy vjet, por me ritme më të ulëta. Pesha e tyre është rritur me 0.2 pikë përqindje nga muaji mars, në 13.6% ndaj stokut total të depozitave.

Likuiditete

BSH bën me dije se masa monetare në ekonomi ka vijuar të rritet që nga fillimi i vitit, duke përshpejtuar më tej normat e rritjes në tremujorin e dytë të vitit.

Treguesi i parasë së gjerë, shënoi rritje mesatare vjetore me 7% gjatë kësaj periudhe, rreth dy pikë përqindjeje më shumë krahasuar me tremujorin e parë. Zgjerimi i ofertës monetare sipas BSH-së, reflekton financimin e sektorit privat dhe atij publik me mjete monetare.

Huamarrja e sektorit privat në sistemin bankar është mbështetur nga paketat e masave të ndërmarra nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, për zbutjen e pasojave negative në aktivitetin kreditues dhe efekteve zinxhir në ekonomi, të shkaktuara nga pandemia.

Në veçanti, masat e ndërmarra nga qeveria, të ofruara plotësisht në monedhë vendase, kanë ndikuar ndër të tjera në zgjerimin e shpejtë të parasë në lekë. Ky i fundit shënoi rritje vjetore mesatare me 8.5% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me 3.9% në tremujorin e parë.

Po ashtu edhe treguesi që mat likuiditetin ka pësuar gjithashtu rritje të shpejtë, me 15.6% në terma mesatarë vjetorë për të njëjtën periudhë.

Raporti i parasë jashtë bankave ndaj agregatit në lekë, shënoi vlerën 28.6% në muajin qershor, një rritje me mbi 1 pikë përqindjeje nga fundi i tremujorit të parë.

Në terma afatshkurtër, kjo rritje ka ardhur si nga shtimi i kërkesës për para likuide për arsye transaksionesh, ashtu dhe ndikimin e ndihmave financiare të dhëna nga qeveria në kuadër të pandemisë.

Gjithashtu, normat e ulëta të interesit kanë ndikuar rritjen e kërkesës për mjete monetare likuide.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë