Mendim

Tërmete kemi çdo ditë që po na vrasin ngadalë e pa e kuptuar

Nga Roland Daja*

Duke dëgjuar zonjën në ekran teksa fliste m'u kujtua ajo shprehja që shpesh ma përmendin prindërit: "Në kohën tonë bëhej shkollë, ju tani më shume talleni". Zonja Luljeta ka folur për më shume se një ore me fakte dhe të dhëna për shkaqet e dëmtimeve në banesa, për cilësinë e ndërtimeve, për procedurat që duhet të ndiqeshin për ndërtimin e tyre etj. Fliste me një pasion dhe kthjellësi të frikshme për moshën e saj që të nxiste dëshirën për të ndjekur një shkolle të dyte për inxhinieri.

Po më vinte turp që nuk kisha dëgjuar më parë për zonjën Luljeta. Me disa kërkime në internet mësova që kishte botuar më shumë se 35 libra, kishte fituar çmim nga Universiteti i Cambridge dhe se fundmi ishte larguar nga puna si pedagoge nga dekani/rektori i UPT, i cili nuk kishte qoftë dhe një botim të vetëm. Nuk kisha informacion për Luljetën, sepse ndër vite jam mësuar që në televizione Lorenc Vangjeli, të bëjë analistin politik, analistin sportiv, inxhinierin, kuzhinierin , kamarierin, gjithologun.

Profesoresha Luljeta Bozdo duke folur në televizion


Në portalet e gazetat tona kam lexuar për Zogun e Tiranës, për promovimin e librit të Angela Martinit, për librin me receta të Arbanës ku një pjate shkon 2000 lekë të reja.
Kam lexuar për telefonin 7000$ të Kujtim Gjuzit, dhuratat që i bëri Blendi gocës për ditëlindje, për brekët e Noizyt apo se çfarë hëngri Mamaqi për drekë.

Jo më larg se dje një biznesmen hajvan dilte në ekran dhe shpjegonte duke bërtitur se çfarë ishte kapitalizmi dhe sesi ai donte të bëhej një oligark si Mane e për ta mbyllur në fund vinte në dukje se Kastrati ishte Kastrioti modern.

Në vendin tonë përjetojmë tërmete çdo ditë. Tërmet është kur lëpirësi partiak të zë vendin e punës, tërmet është edhe kur të shfrytëzojnë në pune çdo ditë, pa orar, pa kontrata të mirëfillta, pa të drejtën për të ngritur zërin. Tërmet është kur përballesh dhe me pedagogë të paaftë, nëpunës servilë, deputetë injorantë.

Bota të dridhet nën këmbë kur merr vesh që shoku i ngushte është nisur me kamion për në Angli, kur sheh që vendin e lulishtes së fundit në lagjen tënde e ka zënë një gradaçelë, kur vendin e Shtetit Social e zë Elvis Naçi, kur një shtet me rreth 3 milion banorë nuk ka qoftë edhe një qen të vetëm për kërkim-shpëtim.

Njëjtë është edhe kur sheh ushtarët e zjarrfikësit tanë të keq paguar që ndihen aq të pafuqishëm teksa heqin mbetje me duar si të ishin duke pastruar bregdetet. Tërmet është edhe kur ushtria ende e pa formuar e Kosovës mobilizohet më shpejt, është më e pajisur dhe përgatitur se ushtria jone. Dhe përsëri termet do të jetë kur jo më larg se vëren e ardhshme atyre që sot i quajmë vëllezër do i dyfishojmë çmimet e hoteleve dhe shërbimeve.

Nuk është termet si ai i mëngjesit të 26 Nëntorit, ama edhe ky vret, ngadalë, çdo ditë pa e kuptuar.

*Postimi i marre nga faqja personale ne Facebook


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë