Drejtësia

Lidhje me trafikantët e drogës në Greqi, SPAK zbardh rolin e 3 ish-policëve

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 3 policëve, të cilët ishin të lidhur me grupet kriminale në jug të vendit dhe ndihmonin në kultivimin e lëndës narkotike të kanabisit dhe transportimin e saj drejt Greqisë.

Sipas njoftimit, ish-policët, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj, akuzohen për shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Nga hetimet ka rezultuar se gjatë periudhës 2019-2021 në zonën e Sarandës dhe Tepelenë-Gjirokastër kanë vepruar dy grupe të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Greqisë.

SPAK thotë se këto grupe kishin role të ndara për sigurimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Mësohet po ashtu edhe një rast trafikimi më 7 mars 2020 në pikën kufitare të Qafë Botës, ku u sekuestrua një sasi e madhe kanabisi prej mbi 1 ton e 144 kg, si dhe produkte të përpunuara të kanabisit, me vlerë rreth 1.7 milion euro.

SPAK thekson se gjatë hetimeve janë konstatuar edhe lidhje mes anëtarëve të grupeve kriminale dhe punonjësve të policisë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar aktivitetin kriminal përmes informacionit dhe mosveprimit.

Sipas prokurorisë, ish-policët e përfshirë, në kundërshtim me detyrën, kanë dështuar të parandalojnë veprimtarinë kriminale dhe në disa raste kanë ofruar mbështetje për grupet e strukturuara, duke cenuar funksionimin e rregullt të policisë dhe besimin e publikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë