Shkencë

Teknologjia ARN, përveç Covid po ndihmon edhe për vaksinë kundër kancerit

Si po ndryshon qasja ndaj trajtimit të sëmundjeve falë përparësisë dhe shpejtësisë së metodave të reja

Vaksinat e koronavirusit, të cilat do të jenë shumë shpejt gati, ngjan se do të sjellin një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si i trajtojmë sëmundjet.
Ekspertët vërejnë se këto vaksina mund të jenë pionierë të një teknologjie të re, potencialisht më të sigurt të imunizimit, një teknologji që mund të ndryshojë mënyrën se si do të luftojmë pandemitë virale në të ardhmen, e madje edhe kancerin.
Suksesi fillestar i të ashtuquajturave vaksina lajmëtare të acidit ribonukleik (mARN) u provua në fazën e vonë të testimeve nga “Moderna” dhe “Pfizer” dhe partneri i saj gjerman, “BioNTech”.
Të dyja vaksinat eksperimentale kishin shkallë efikasiteti mbi 90% bazuar në gjetjet e ndërmjetme, të cilat ishin shumë më të larta se sa pritej dhe shumë më tepër se pragu prej 50%, për të cilin rregullatorët amerikanë këmbëngulin për vaksinat.
Tani shkencëtarët thonë se teknologjia, një revolucion me lëvizje të ngadaltë në krijim, që nga zbulimi i mARN gati 60 vjet më parë, mund të përshpejtojë zhvillimin e vaksinave të reja.
Metoda tradicionale e krijimit të vaksinave - futja e një virusi të dobësuar ose të vdekur, ose një të një pjese prej tyre, për të stimuluar sistemin imunitar të trupit - zgjat mesatarisht mbi një dekadë, sipas një studimi të vitit 2013.
Krijimi i një vaksine për gripin pandemik zgjati mbi tetë vjet, ndërsa i vaksinës së hepatitit B, gati 18 vjet deri në prodhimin e saj.
Ndërsa kalimi nga sekuencat e gjeneve në injeksionin e parë njerëzor për vaksinën “Moderna” kërkoi një kohë prej 63 ditësh.
Me kandidat vaksinat e “BioNTech” dhe “Pfizer” për COVID-19, në një trajektore të ngjashme, të dy kompanitë mundën të marrin miratimin për prodhimin e vaksinës 12 muaj pas shfaqjes së koronavirusit.
Kompani të tjera po ndjekin të njëjtën teknologji të prodhimit të vaksinave, siç është “CureVac” në Gjermani.
“Ne do të themi me bindje se ky është një moment kur shkenca me të vërtetë bëri një hap përpara”, shprehet Jeremy Farrar, drejtor i Njësisë së Kërkimeve Klinike të Universitetit të Oksfordit, që mbështetet nga “Wellcome Trust”.
Zbuluar në 1961, mARN mbart mesazhe nga ADN-ja e trupit në qelizat e tij, duke “u thënë” atyre të bëjnë gati proteinat e nevojshme për funksione kritike, siç janë koordinimi i proceseve biologjike, si: tretja ose luftimi i sëmundjeve.
Vaksinat eksperimentale nga “Moderna”, si dhe “Pfizer” dhe “BioNTech” përdorin mARN të prodhuar në laborator, për të udhëzuar qelizat për të krijuar proteina (glikoproteina që del nga zarfi i disa viruseve - të tilla si koronavirusi dhe lehtësojnë hyrjen e virusit në një qelizë pritëse, duke u lidhur me një receptor në sipërfaqen e një qelize pritëse të ndjekur nga bashkimi i membranave të qelizave virale dhe të strehuesit) të koronavirusit, të cilat nxisin sistemin imunitar të veprojë pa u kopjuar si virusi aktual.
Në vitin 1990, shkencëtarët arritën të gjenerojnë proteina duke injektuar mARN, një shenjë e hershme e potencialit të teknologjisë.
Por ithtarë të hershëm, si Katalin Kariko, një shkencëtare hungareze dhe nënkryetare e lartë në “BioNTech” u përballën me pengesa të tilla, si paqëndrueshmëria e mARN në trup dhe prirja e saj për të shkaktuar përgjigje inflamatore.
Një përparim erdhi rreth vitit 2005 kur Kariko, sëbashku me kolegët e saj në Universitetin e Pensilvanisë, zbuluan se si të jepnin mARN pa e goditur sistemin imunitar dhe pa e mbingarkuar atë.
Megjithatë u deshën akoma edhe 15 vjet dhe një pandemi që gjunjëzoi ekonominë e botës, për të arritur kulmin e suksesit.
“Kolegët shkencëtarë u tallën me mua, së fundi, kur mësuan se do të bashkohesha me “BioNTech” shtatë vjet më parë dhe kuptuan që kjo kompani nuk kishte madje asnjë faqe në internet. Por tani, ata mësojnë për “BioNTech” dhe se ne mund të bëjmë gjëra të mira”, shprehet Kariko.
Ajo pohon se tashmë puna për gjetjen e vaksinave të tjera për gripin dhe sëmundjet infektive dhe madje edhe kancerin, është më e lehtë.
Vaksinë për kancerin?
“Moderna” dhe “BioNTech”, për shembull, po përdorin gjithashtu teknologjinë mARN në ilaçet eksperimentale të kancerit.
“Biontech” po teston një ARN anti-melanomë me gjigantin farmaceutik zviceran “Roche” dhe tani ndodhen në fazën e dytë të testimit.
Ndër projektet më të përparuara të “Moderna”-s, përveç vaksinës COVID-19, janë përbërjet e ARN-së për të trajtuar kancerin e vezoreve ose isheminë e Miokardit, të cilat janë gjithashtu në fazën e dytë të testimeve.
Asnjë nga terapitë e mundshme të kancerit të mARN nuk ka arritur në provat kritike në shkallë të gjerë të Fazës III, megjithatë edhe Kariko e pranon që gjetja e një vaksine kundër kancerit paraqet një sfidë më të madhe.
Ndërkohë që një virus është një “trup” i huaj, qelizat kancerogjene, sado malinje, vijnë nga brenda trupit, duke i bërë ato më të ashpra dhe është më e vështirë që të ekspozohen, në mënyrë që të sulmohen.
“Ndonjëherë kanceri shkaktohet thjesht nga dyfishimi i gjeneve dhe kromozomeve dhe gjithçka në lidhje me të duket normale dhe qeliza thjesht po ndahet më shumë sesa duhej”, shprehet Kariko.
Për vaksinat kundër sëmundjeve infektive, qasja tradicionale e industrisë farmaceutike ka qenë që t'i rrëmbejë në bioreaktorë të mëdhenj, një proces që kërkon kohë dhe i kushtueshëm në pajisje, që mund të shkojnë deri në 700 milionë dollarë për t'u ndërtuar.
Në të kundërt, Zoltan Kis, një studiues i Imperial College në Londër, që modelon prodhimin e vaksinave, vlerëson se një bioreaktor pesëlitërsh brenda një strukture 20 milionë dollarëshe, mund të prodhojë një miliard doza të disa llojeve të vaksinave mARN në vit.
Prodhuesi i ilaçeve “Lonza”, i regjistruar për të prodhuar përbërës për 400 milion doza të vaksinës “Moderna” në vit në SHBA dhe Zvicër, pritet të fillojë prodhimin këtë vit me linjat e prodhimit që kushtojnë 60 deri në 70 milionë dollarë secila.
“Ne jemi duke prodhuar mARN në shkallë më të vogël dhe në ambiente më të vogla nëse i krahasojmë me pajisjet dhe pajisjet tradicionale në shkallë më të gjerë”, thotë Andre Goerke, drejtuesi global i Lonza për projektin “Moderna”, ndërsa shton se “Niveli i prodhimit është më i shpejtë dhe më ekonomik.”
Përgjigje ultra të shpejta
Raymond Schiffelers nga Qendra Mjekësore Universitare në Utrecht në Holandë, i cili kryeson një program të Bashkimit Evropian për terapitë mARN, thotë se përparësia kryesore e teknologjisë ishte se zhvilluesit e vaksinave mund të krijonin një “përgjigje ultra të shpejtë”.
“Jemi duke prodhuar mARN në shkallë më të vogël dhe në ambiente më të vogla krahasuar me pajisjet dhe pajisjet tradicionale”, shprehet Andre Goerke, drejtuesi global i “Lonza”-s për projektin “Moderna”.
Sipas tij, “Niveli i prodhimit është më i shpejtë dhe më ekonomik.”
“Brenda javësh, testimi mund të fillojë dhe është një avantazh i madh në krahasim me vaksinat konvencionale”, tha ai.
Në momentin që dihet sekuenca gjenomike e një patogjeni, mARN sintetike mund të projektohet e tillë që kodifikon pjesët kyçe të virusit, siç është proteina potencialisht vdekjeprurëse e koronavirusit.
Vështirësitë
Megjithatë rreziqet dhe sfidat për mARN mbeten.
Vaksinat e prodhuara në këtë mënyrë duhet të ruhen në temperatura jashtëzakonisht të ftohta, duke e bërë shpërndarjen potencialisht të vështirë në vendet me infrastrukturë të kufizuar.
“Ato gjithashtu mund të jenë shumë të vështira për t'u transportuar”, thotë Schiffelers.
Vaksina e “BioNTech”, përshembull, duhet të transportohet në minus 70 gradë Celsius, megjithëse “Moderna” tha të hënën se mund të dërgojë vaksinën e saj në frigoriferë normalë.
Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA, i cili financoi zhvillimin e vaksinave “Moderna”, gjithashtu thotë që vaksinat e ARN mund të mos jenë një plumb argjendi kundër gripit, pasi pësojnë mutacion kaq shpejt, saqë arritja e efikasitetit 90% nuk ka gjasa.
Por për COVID-19, Collins tha që ARN ka të ngjarë të jetë një revolucion.
“Është padyshim disa muaj më e shpejtë se çdo metodë tjetër. Në një moment krize, disa muaj kanë vërtet rëndësi.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë