Shkencë

Astronomët zbulojnë vrimën e zezë më të madhe në Rrugën e Qumështit: 33 herë më e madhe se Dielli

Astronomët kanë zbuluar një vrimë të zezë gjigante e cila u formua si pasojë e një ylli në shpërthim, vetëm 2000 vjet dritë nga Toka.

BH3 është vrima e zezë yjore më masive e gjetur deri tani në Rrugën e Qumështit dhe u zbulua nga studiuesit vetëm falë tërheqjes së fuqishme që ushtron mbi një yll shoqërues që rrotullohet rreth objektit në yjësinë e Aquilas (Shqiponja).

Zbulimi i papritur është aq i rëndësishëm sa shkencëtarët publikuan detaje të objektit më herët se sa ishte planifikuar për t'u mundësuar astronomëve të tjerë të kryejnë vëzhgime të mëtejshme sa më shpejt të jetë e mundur.

“Është vërtet një surprizë”, u shpreh Dr.Pasquale Panuzzo, astronom dhe bashkëpunëtor i Observatorit Gaia të Parisit. “Është vrima e zezë më masive me origjinë yjore në galaktikën tonë dhe e dyta më e afërt e zbuluar deri më tani.”

Vrimat e zeza yjore formohen kur yjet masivë shemben në fund të jetës së tyre. Dhjetra të tillë janë gjetur në Rrugën e Qumështit, shumica me peshë rreth 10 herë më të madhe se masa e Diellit.

Vrima e zezë më mbresëlënëse në Rrugën e Qumështit, Shigjetari A, ka një masë të kombinuar prej disa milionë diejsh. Ajo fshihet në zemër të galaktikës dhe nuk u formua nga një yll në shpërthim, por nga shembja e reve të mëdha të pluhurit dhe gazit yjor.

Studiuesit zbuluan BH3 në grumbullin e fundit të të dhënave të mbledhura nga misioni Gaia i Agjencisë Evropiane të Hapësirës. Teleskopi hapësinor u lëshua në vitin 2013 me synimin për të përpiluar një hartë 3D të rreth një miliardë yjeve.

Ndërsa studiuesit po shqyrtonin vëzhgimet e Gaias, ata vunë re një lëkundje të dallueshme në një nga yjet në Aquila, një plejadë që është e dukshme në qiellin e verës në hemisferën veriore. Lëvizja sugjeroi që ylli po tërhiqej nga një vrimë e zezë 33 herë më e madhe se Dielli.

Vëzhgime të mëtejshme nga Teleskopi i Madh i Observatorit Jugor Evropian në shkretëtirën Atacama të Kilit konfirmuan masën e BH3 dhe orbitën e yllit, i cili rrethon vrimën e zezë një herë në 11.6 vjet.

Burimi: The Guardian, Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë