Mendim

Të vërtetat universale të Covid-19 dhe skenarët e përballimit të epidemive

Nga Dr Myftar Barbullushi - Albert Kamy, shkrimtar dhe filozof francez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, e fillon romanin e tij të famshem ‘Murtaja’ nëpërmjet një përshkrimi realisht befasues për lexuesin.

‘Në mëngjesin e 16 prillit, ndërsa dilte nga salla e operaracionit, Dr Bernard Rieux ndjeu se shkeli në diçka të butë. Ishte një mi i ngordhur në mes të dhomës. Meqë nxitonte, e shtyu me këmbë dhe zbriti shkallët qetë-qetë’.

Miu i ngordhur simbolizon dhe mishëron rrugën e heshtur, detajet e vogla, gati gati të padukshme, përmes të cilave shfaqen epidemitë. Më pas, artistikisht, mjeshtri zbërthen thelbin e veçantë të epidemisë, shtrirjen e saj në formën e një drame artistike në 4 akte, elementet e parë të epidemisë, perceptimi individual i saj, interpretimi shoqëror, dhe përgjigjja mjekësore dhe sociale ndaj saj.

Pikërisht në këtë përshkrim të jashtëzakonshëm të epidemisë së murtajës nga Albert Kamy,  do ta gjente frymëzimin Charles Rosenberg për të realizuar strukturën arketipike të epidemive, në bërthamën e së cilës mund të gjenden e identifikohen të vërtetat universale në lidhje me mënyrën se si shoqëritë në shekuj kanë pësuar, e më pas kanë reaguar, ndaj epidemive të sëmundjeve ngjitëse. Pra, thjesht një çelës ky, kopil, në pritje të çelësave me të cilat po merren shkencëtarët në të gjithë botën, që do të shkyçin përfundimisht enigmat e kësaj drame të kohëve moderne të rivizituara nga Covid-19.

Të vërtetat e epidemive në shekuj

Aspekti më dramatik i reagimit të shoqërive ndaj epidemive është dëshira për të identifikuar përgjegjësit. Nga hebrenjtë në Europën mesjetare e deri te çantat e lojërave në tregjet kineze, gjithmonë është dikush fajtor. Ky diskutim i fajit favorizohet nga ndarjet ekzistuese shoqërore si feja, raca, përkatësia etnike, klasa apo identitetit gjinor. Kina na e solli, themi të gjithë sot.

Së dyti, epidemitë shenjestrojnë kokën e punonjësve të shëndetësisë. Sa shumë mjekë dhe infermierë vdiqën gjatë epidemive të murtajës në Europën mesjetare, gjatë epidemisë se etheve të verdha në Filadelfia në 1793, gjatë epidemisë së Ebolës në 2014 dhe tani në Kinë. Edhe pse kjo vdekshmëri e lartë pasqyron gatishmërinë e mjekëve dhe infermierëve për të vënë veten në rrezik në emër të mbrojtjes së jetës, ajo gjithashtu mund të padisë qeveritë që i lënë klinicistët të përballen me epideminë pa mjetet dhe sistemet e duhura, pa të cilat ata nuk mund të jenë të sigurt. Nëse shohim shifrat tona modeste të epidemisë, numri i punonjësve të shëndetësisë, të prekur, është dukshëm i lartë.

Së treti, një temë tjetër e përsëritur në analizat historike të epidemive është se ndërhyrjet mjekësore shpeshherë nuk arrijnë të realizojnë premtimin e tyre, të ndalojnë epideminë. Edhe pse vaksina kundër Lise u përshkrua për herë të parë në 1798, u deshën gati 180 vjet për të arritur suksesin. Në vitin 1900, drejtuesit e shëndetësisë në San Francisko rrethuan me litar Chinatoën në përpjekje për të izoluar shpërthimin e murtajës bubonike; vetëm të bardhët (dhe me sa duket edhe minjtë) mund të hynin e të dilnin nga lagja. As ky operacion nuk pati efektin e dëshiruar.

Sifilisi, një nga sfidat e mëdha të fillimit të shekullit XX, mund të ishte zhdukur, së paku teorikisht, nëse të gjithë do të kishin respektuar dy gjëra në dukje të thjeshta, por të domosdoshme, abstinencën seksuale absolute ose një regjim monogamie.

Virusi i imunitetit të njeriut (HIV), në vitet 1980, mund të ishte dominuar, por nuk ndodhi. Megjithëse ardhja e terapisë efektive antiretrovirale në 1996 e uli në mënyrë drastike vdekshmërinë e lidhur me SIDA-n, ajo nuk mundi t’i japë fund asaj.

Pra, siç konkludon historiani Allan Brandt, “premtimi i sferës magjike nuk është përmbushur kurrë në asnjë epidemi”.

Së katerti, kursi i epidemive të deritanishme ka qenë shumë i ndryshem,  nga histori epidemish katastrofike, ekstremisht të rralla, e deri në epidemi si flakë kashte, që nuk na ndihmojnë për një parashikim mbi kursin e pritshëm të Covid-19.

Disa ekspertë fataliste paralajmërojnë se gjysma e popullsisë së botës do të infektohet brenda ketij viti, një incidencë që mund të rezultojë në mbi 100 milion vdekje. Historitë e epidemive katastrofike janë shumë të rralla, ndaj një skenar i tillë duhet të jetë thuajse i pamundur. Megjithatë, fatkeqesisht, ekziston si mundësi. Këtë skenar ata e mbështesin në kombinimin e një virusi shumë agresiv me shoqëritë aktuale, që ofrojnë kontaktin njeri-kafshë, dyndjen urbane, udhëtimet globale dhe një popullsi të stresuar nga rritja e  pabarazisë sociale. Historia sugjeron që, pikërisht, kjo mundësi ekstremisht e vogël në çdo epidemi shoqërohet nga paniku dhe frikëra të ekzagjeruara, që janë më të rrezikshme sesa vetë epidemia. 

Nga ana tjetër, historia na sjell shumë shembuj të panikut ndaj epidemive, që, në të vërtetë, nuk u materializuan kurrë (psh. Gripi H1N1 në 1976, 2006 dhe 2009). Për më tepër, Kina tregoi se kjo epidemi mund të mbahet nën kontroll.

Së pesti, skenarët e përballimit të epidemive të mëparshme kanë qenë të ndryshëm. Historia e  epidemive na ofron të pakten 2 skenare, të cilat po gjykohen si zgjedhje në Europën e sotme.

Mosizolimi, pra lënia e virusit të qarkulloje lirshëm që të prekë 60% të popullatës e kësisoj të çojë në të ashtuquajturën imunizim i tufës, përndryshe i komunitetit human. Por, cili eshte çmimi i ketij imunizimi? Le të bëjmë një llogari. Marrim me optimizem vdekshmërinë 2%. Në 1 milion banorë, nëse nuk do mjekojmë, do kemi 20 mijë të vdekur. Më tej me llogaritë vazhdoni vetë. Pra ky do të ishte çmimi i këtij imunizimi.

Izolimi, pra vendosja e masave kufizuese, janë skenari tjetër i mundshëm. Ky skenar tenton të zgjidhë problemin përmes distancimit social dhe vetizolimit në shtëpi, ndër të tjera, edhe për të mos mbingarkuar, përtej kapaciteteve funksionuese, sistemet shëndetësore të përfshira në përballimin e një epidemie të tillë. Sipas mbështetësve të këtij skenari, është më humane të arrish imunizimin e shoqërisë, nëpërmjet vaksinës dhe jo duke e lënë të lirë virusin. Për më tepër, ende nuk e dimë nëse imuniteti i realizuar do jetë i përjetshëm apo jo.

Sfida më e madhe e përzgjedhjes së skenarit të duhur, i takoi Kinës, e cila vendosi për aplikimin e masave drakoniane që në thelb kishin izolimin. Kina ia doli, me gjithë koston e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Italisë iu desh, edhe pse me vonesë, të ndjekë të njëjtën rrugë. Vonesat dhe pasiguritë në lidhje me qasjen e duhur rrezikuan të kolapsojnë sistemin shëndetësor mjaft solid si ai i Lombardisë. Fatmirërisht, nga raportimet më të fundit, edhe pse nuk është arritur ende piku, trendi i rasteve të reja të infektuara është në rënie. 

Shqipëria ka zgjedhur pa mëdyshje, që në fillim, të njëjtën qasje, duke nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e fqinjve italianë.

Anglezët, gjithmonë me qasje më ndryshe, shokuan mbase me frazën e bujshme të Boris Johnson “Përgatituni të pranoni viktima në familje dhe në njerëzit tuaj të dashur“, duke zgjedhur të mos izolohen,  por nuk kaloi shumë e, edhe ata, po shkojnë drejt izolimit.

Në vend të refleksioneve…..

Ndërsa epidemia e Covid-19 është shpalosur me një panik të paparë në kohët moderne, natyrshëm lindin një sërë dilemash.

Përse kaq shumë njerëz në botë refuzojnë vaksinat e gripit? Përse Kina e mbylli ekonominë e saj për të luftuar Covid-19, ndërsa bën shumë pak për të ndaluar përdorimin e cigareve, përgjegjës për miliona vdekje? Përse bota është e qetë kur vetëm në një vit vdesin 4 milionënga diabeti, apo kur rreth 14% e popullatës po humb funksionin e veshkave dhe shkon drejt dializës?

Besoj se, pasi virusi të kalojë e ne të riderdhemi në jetën tonë të mëparshme, disa gjëra të ripara e të rivleresuara në dhomen e zezë të izolimit t’i kemi mësuar.

Sa gjëra po mesojmë.

Po mësojmë të  reflektojmë. Sa shumë kemi nevojë të reflektojmë… Po mësojmë se duhet të ridimensionojmë e rivlerësojmë disa profesione që, duke i marrë të mirëqena, harrojmë se i nëpërkëmbim.

Po mësojmë se edhe ato vajzat e reja që qëndrojnë në kasat e supermarketeve, të hapura ditë e natë, me njerëz që iu afrohen në fytyrë, të paktën t’i falenderojmë.

Po kujtohemi për raportin me shtëpinë dhe vlerat e vërteta të saj. Po rikujtohemi se në cilen qoshe të shtëpisë, prej vitesh i kemi hedhur librat, apo po kujtohemi që bibliotekat nuk janë dekor. Po mësohemi ta kalojmë darkën pa sport.

Po rikuptojmë bukurinë revolucionare të internetit dhe të mjeteve të tjera sociale, që, kur përdoren mirë, janë të mrekullueshme. Po mësojme se, kur vdekja pipëtin në ajër, paraja nuk qenka gjithçka. Po mësojmë se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin. Nëse ti del, më bën dëm mua. Nëse une dal, të bëj dem ty.

P.S.  në mbyllje të librit Kamy insiston “murtaja nuk zhduket dhe nuk vdes asnjëherë përfundimisht. Ajo qëndron e fshehur për dhjetëra vite… te mobiliet ose rrobat… pret me padurim në dhomat e gjumit, qilaret, te shamitë, apo letrat e vjetra dhe, kur të vijë dita, murtaja do të ringjallet dhe do të dërgojë minjtë e saj për të mbjellë vdekjen në një qytet që jeton mirë e bukur”.

Fatkeqesisht, librin nuk e kishim lexuar aq mirë dhe u gjendëm të papergatitur e, mbase prapë kështu do të jemi përsëri, pasi të ketë mbaruar edhe akti i fundit i kësaj drame që, gjithsesi, do të mbyllet me sukses. Kurajo miq.

Shkrimi është marrë nga profili i mjekut në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë