Trend

Të rraskapitur për shkak të punës? Nuk është faji juaj, thonë psikologët

Një libër i ri i botuar së fundmi ka një mesazh qetësues për punonjësit që ndihen në 'burnout' nga puna e tyre: nuk është faji juaj!

Në “Sfidën e Burnout-it: Menaxhimi i Marrëdhënieve të Njerëzve me Punën e Tyre” [The Burnout Challenge: Managing People’s Relationships with Their Jobs], të botuar 25 vite pas librit të tyre të parë në lidhje me këtë fenomen, psikologët Christina Maslach dhe Michael Leiter përshkruajnë arsyet pse punonjësit ndihen të lodhur nga puna e tyre.

Shkurtimisht: “Burnout është një problem i menaxhimit”, tha Leiter.

Që kur Maslach zhvilloi vlerësimin e parë të vërtetuar shkencërisht në vitin 1981 dhe pas botimit të librit të saj të parë mbi këtë temë në vitin 1997, ndërgjegjësimi për burnout-in është rritur dukshëm.

Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë e njohu burnout-in si një “dukuri profesionale”. Gjatë pandemisë, kjo dukuri u rrit jo vetëm në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe të punonjësve të vijës së parë, por edhe midis punonjësve të zyrave që papritur u izoluan në shtëpitë e tyre.

Tani, ky koncept është aq i përhapur sa mund të përkuziohet si “çdo gjë për të cilën ndiheni sikur nuk mund ta përballoni më ose me të cilën nuk dëshironi të merreni më,” tha Maslach.

Autorët thonë se arsyeja pse ne fajësojmë individët që përjetojnë burnout në vend të punëdhënësve të tyre, ka të bëjë me një koncept të thjeshtë psikologjik sipas të cilit njerëzit janë të predispozuar që t’i atribuojnë problemet te veprimet ose personaliteti i një personi, dhe jo te mjedisi rrethues.

Për të ndihmuar në vendosjen e thelbit të diskutimit në fokus, Maslach dhe Leiter identifikojnë gjashtë elementë të punës që kontribuojnë te burnout-i, nëse nuk menaxhohen siç duhet: ngarkesa në punë, kontrolli, shpërblimet, komuniteti, drejtësia dhe vlerat. Shumë çështje të tjera në vendin e punës janë si “gurat në këpucë” – të vazhdueshme, por të zgjidhshme, tha Maslach.

Shpesh, bisedat me drejtuesit lidhur me përmirësimin e vendeve të punës nuk shkojnë mirë për shkak të arsyeve ekonomike ose për shkak të faktit se menaxherët mendojnë që këto përmirësime do të kërkonin ndryshime tepër të mëdha, tha Maslach. “Zakonisht menaxherët thonë: ‘Epo, ne nuk mund ta përballojmë dot financiarisht këtë. Do të na duhet të bëjmë më shumë me më pak’.”

Drejtuesit kanë gjithashtu një ide të rrënjosur thellë se stresi kronik në vendin e punës është i pashmangshëm, se të ndjekësh idenë “më shumë me më pak” është e nevojshme për të përmbushur objektivat financiarë.

Studimi i psikologëve nuk e mbështet këtë ide: stresi kronik ka ndikime të rënda negative në mirëqenien dhe shëndetin e punonjësve, duke sjellë miliarda dollarë kosto për kujdes shëndetësor dhe humbje të produktivitetit në të gjitha industritë, tha Maslach.

Megjithatë, Maslach dhe Leiter mbeten shpresëplotë. Bota duket shumë më e hapur ndaj studimeve të tyre, sidoms tani që pandemia hodhi poshtë kaq shumë supozime lidhur me mënyrën se si duhet të funksionojë puna, për shembull: puna pesë ditë nga zyra.

Për të theksuar se punët duhet të përputhen me nevojat e një individi dhe jo anasjelltas, Maslach dhe Leiter bënë një krahasim me kanarinat që përdoreshin dikur nga minatorët e qymyrit për të identifikuar monoksidin e karbonit dhe gazrat e tjerë të dëmshëm.

“A duhet të përpiqemi të rregullojmë kanarinën për ta bërë atë më të fortë dhe më fleksibël, si një zog të vjetër e të fortë që mund t’i përballojë të gjitha kushtet me të cilat përballet?” thuhet në hyrjen e librit.

“Apo duhet të rregullojmë minierën, duke e pastruar nga tymrat toksike dhe duke bërë çdo gjë tjetër të nevojshme për ta bërë atë ambient të sigurt për kanarinat (dhe minatorët) ndërkohë që ato bëjnë punën e tyre?”

Burimi: Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë