Drejtësia

Kërkoi shfuqizimin e arrestit, Kushtetuesja mbyll pa vendim seancën për Veliajn

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese nuk doli me një vendim, pasi shqyrtoi për rreth 2 orë kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj i cili ka kërkuar shpalljen “jo-kushtetuese” të masës së parë të “arrestit me burg” të vendosur nga GJKKO më 10 shkurt të vitit të kaluar.

Seanca e këaj të mërkure u mbyll pa një vendim përfundimtar, ndërsa kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm. Tashmë vendimmarrja pritet të shpallet në seancën e radhës, data e së cilës ende nuk është caktuar zyrtarisht. 

Veliaj pretendon se me këtë masë i është shkelur liria individuale dhe i është pamundësuar ushtrimi i detyrave të tij si kryebashkiak.

Në ankesën e tij, Veliaj thotë se kriteret për caktimin e masës së sigurisë nuk janë analizuar, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që kushdo, pas kalimit të një periudhe kohore, duhet të gjykohet në liri kundrejt një garancie financiare.

Nga ana tjetër, SPAK argumenton se fakti që Veliaj ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, i rëndon pozitat e tij dhe se detyra e tij si kryebashkiak, është e mjaftueshme për të ndikuar tek dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Kjo është hera e parë që Kushtetuesja shqyrton një masë të tillë për një kryebashkiak.

Në janar të këtij viti, Veliaj u rikthye në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, e cila rrëzoi shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak si anti-kushtetues.

veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, pasi akuzohet nga SPAK për disa vepra penale, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Në të njëjtin hetim, në akuzë është vënë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa biznesmenë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë