Trend

Pse sekreti i gjysheve italiane për jetëgjatësi po bëhet trend

Nga Nicole Karlis*- Kur u zhvendosa në Itali në vitin 2024, një nga gjërat e para që vura re ishte mënyra shumë e veçantë si jetojnë gjyshet italiane. Ecin kudo, pa pasur nevojë për ndihmë.

Shumë prej tyre vishen bukur deri në detaje, por pa u përpjekur të fshehin moshën.

Prandaj nuk u habita fare kur pashë në rrjetet sociale trendin e ri të mirëqenies: “nonnamaxxing”- ideja se mund ta përmirësosh jetën duke përqafuar zakonet e gjysheve italiane. Dhe, në fakt, ka sens.

Ka vërtet shumë për të mësuar prej tyre.

Italia kryeson në Bashkimin Europian për jetëgjatësi, dhe numri i njëqindvjeçarëve po rritet. Madje, disa fshatra në Sardenja janë pjesë e pesë “Zonave blu” në botë- zona ku njerëzit jetojnë më gjatë.

Në rrjete sociale këshillat janë të thjeshta: lër pak telefonin, ha ushqim shtëpie, vish rroba të rehatshme pambuku, shijo drekën pa nxitim me miqtë. Disa prej tyre përputhen me atë që sheh realisht në Itali, por sekreti është më i thellë.

Ja çfarë mund të mësojmë nga gjyshet italiane:

Prano plakjen

Gjyshet italiane nuk e fshehin moshën. Në plazh apo pishinë, veshin bikini pa komplekse. Kjo tregon një kulturë ku plakja shihet si pjesë natyrale e jetës, jo si diçka për t’u luftuar.

Të pranosh moshën me qetësi ul ankthin dhe të ndihmon të jetosh më mirë.

Ndihmo të tjerët

Në Itali, gjyshet janë pjesë aktive e familjes: kujdesen për nipërit, ndihmojnë në përditshmëri dhe mbajnë familjen të lidhur.

Studimet tregojnë se kujdesi për të tjerët dhe ndjenja e dobisë ndihmojnë trurin, kujtesën dhe mirëqenien emocionale.

Ec çdo ditë

Në Itali ecja është mënyrë jetese, jo ushtrim.

Qytetet janë të ndërtuara për të ecur, rrugët janë të ngushta, dhe njerëzit lëvizin natyrshëm.

Edhe 15–30 minuta ecje në ditë përmirësojnë zemrën, humorin dhe jetëgjatësinë.

Jeto me ritëm të ngadaltë

Gjyshet dinë të ndalen: pinë një kafe pa telefon në dorë, vëzhgojnë njerëzit, flasin me fqinjët.

Ky është thelbi i “dolce far niente” — ëmbëlsia e të mos bërit asgjë.

Të jesh i/e pranishëm/e në moment ul stresin dhe lodhjen mendore.

Ha sipas stinës

Në Itali ka kulturë të fortë të ushqimit të freskët dhe sezonal. Perime, fruta, vaj ulliri, bishtajore, drithëra të plota: baza e dietës mesdhetare.

Kjo dietë lidhet prej kohësh me shëndet më të mirë dhe plakje më të ngadaltë.

Qëndro i lidhur me njerëzit

Gjyshet italiane janë shumë të lidhura me komunitetin: njohin fqinjët, dalin, flasin, kujdesen.

Izolimi të plak më shpejt- lidhjet shoqërore të mbajnë aktiv, me humor dhe me qëllim.

Në fund, sekreti i tyre nuk është ndonjë formulë magjike: është të jetosh më thjesht, më ngadalë, me më pak stres, më shumë lëvizje, dashuri dhe lidhje me të tjerët.

Siç thonë vetë: mërzia është gjëja që të plak vërtet.

Burimi: Self.com/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Nicole Karlis është gazetare e shëndetësisë dhe shkencës, fituese e disa çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë