Gazeta Si – Besfort Lamallari ka deklaruar se kush do punonjës policie që tradhëton uniformën dhe bëhet palë me krimin, do të përgjigjet një për një para ligjit.
Duke iu referuar arrestimit të disa drejtuesve policorë në Sarandë, përfshirë dhe kreun e komisariatit, ministri i Bredshëm kërkoi një hetim të thelluar mbi përgjegjësinë e kujtdo që është përfshirë në rastet e shkeljes së ligjit.
Lamallari tha se lidhur me rastin do të ketë hetim të thelluar dhe do të mbahet përgjegjësi. Ministri u shpreh ndër të tjera, se mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare, por edhe prioritet i qeverisë.
“Jeni në dijeni për vizitën time në Sarandë, ku nga hetimet paraprake, u bë e mundur goditja e një rasti të dyshuar paligjshmërie, ku punonjës policie bëhen palë me krimin. Bregdeti, nga veriu në jug, mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare. Duhet të kemi hetim të thelluar.Do të ketë operacione në çdo cep të bregdetit”.
Sa i takon ndërtimeve pa leje, tha se ka pasur shumë masa administrative, gjatë muajit prill.
“Nga IKMT janë marrë 67 gjoba, në një vlerë prej 122 milionë lekë, vetëm për një muaj. Sigurisht nga gjobat, kalojmë edhe në referim apo ndjekje penale”, tha Lamallari, duke theksuar se mbrojtja e territorit është prioritet absolut i qeverisë shqiptare.
“Nuk do të neglizhohet asnjë rast, kushdo që shkel uniformën do të përgjigjet një për një para ligjit”, paralajmëroi Lamallari referuar kështu arrestimeve të fundit.
Ai njoftoi se është shtuar prania policore në territor, e sidomos në zonat turistike. “Do të kemi patrullime të veçanta dhe shërbime 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik-31 gusht 2026. Do të ngrihen stacione provizore, pranë zonave me interes të lartë turistik, konkretisht në Theth, Valbonë, Koman, Tale, Gjiri i Lalzit dhe Ksamil”.
Sa i takon luftës kundër kultivimit të kanabisit, Lamallari shtoi: “Nga 1 maji 2026 deri më 31 tetor, janë planifikuar në total 200 orë fluturimi, me 20 orë shtesë nga viti i shkuar, ku konkretisht risi do të jetë përdorimin e një avioni të veçantë që do të përcjellë në kohë reale koordinatat e ndryshuara”. Më tej, u fokusua te siguria në shkolla, për garantimin e së cilës do të implementohet “Smart City”.
Fillimisht plani do të zbatohet në 20 ose 21 shkolla të kryeqyteti, si projekt pilot, e më pas do të shtirhet në të gjithë territorin e Republikës. Sipas ministrit, projekti do të finalizohet vitin e ardhshëm arsimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje