Shendet

Të mos u tregosh as fëmijëve që je me HIV/AIDS

Nga Gazeta 'Si' - “Janë të martuar prej 20 vitesh dhe të dy janë diagnostikuar me Hiv/Aids para 7 vitesh”. Kështu e nis A. L, punonjëse e ndihmës ekonomike në një nga njësitë administrative të Bashkisë së Krujës të tregojë 2 nga 5 rastet e personave që janë të diagnostikuar me HIV/AIDS që trajton me ndihmë ekonomike.

E pyetur nga Gazetasi.al se si është jeta e personave të diagnostikuar me Hiv/Aids, ajo thotë se “është një jetë e fshehur”, ndër të tjera.

“Nuk e di askush se janë të diagnostikuar me HIV/AIDS, dhe për 3 prej tyre nuk e dinë as familja. Vetëm unë dhe kolegia ime e zyrës e dimë, dhe ne sepse kemi parë dosjen e tyre mjekësore”, thotë A.L. e cila shton se arsyeja kryesore pse personat nuk tregojnë është sepse e dinë se askush nuk do u afrohet.

LEXO EDHE:
- Rritje e rasteve me HIV/AIDS, ekspertët: Vetëm 5 mijë testime në 26 mijë lindje, në 2023 do të futet profilaksia para ekspozimit
- Studimet e fundit/ HIV, a është e mundur të ndërpritet terapia kur virusi nuk është në gjendje të riprodhohet?
- HIV/AIDS në Shqipëri, ISHP: 80 raste të reja dhe 11 viktima në 10 muaj, virusi aktiv te moshat e reja

Arjan Harxhi, mjek infeksionist thotë për Gazetasi.al se në përgjithësi personat e diagnostikuar me HIV/AIDS e mbajnë të fshehtë nga frika e stigmës dhe diskriminimit. 

Arjan Harxhi, mjek infeksionist

“Ndonjëherë edhe nga familja kur kjo lidhet edhe me sjellje seksuale siç është për shembull MSM (meshkuj që bëjnë seks me meshkuj)”, thotë Harxhi i cili shton se gjithsesi mbajtja fshehur nuk ndikon në përhapje nëse flasim për rrugën seksuale sepse “në një raport seksual, të dyja palët duhet të kryejnë marrëdhënie të sigurta”. 

Gjithashtu, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar kështu që tregimi ose jo i statusit të HIV nuk ndikon në përhapje, siç thotë Harxhi.

“Janë persona që kanë një jetë sociale normale”, thotë punonjësja e ndihmës ekonomike, ku çifti i 42 vjeçarëve i kanë treguar punonjëses se dy fëmijët kanë lindur para se të diagnostikoheshin dhe në çdo moment janë treguar të kujdesshëm, por nuk u kanë treguar për sëmundjen e tyre që mos ti trembin e as mos t’u tregojnë të tjerëve. 

“Nuk u kanë treguar fëmijëve sepse kanë frikë mos e merr vesh njeri jashtë shtëpisë. Për ta është e pa imagjinueshme që dikush të dijë se janë të diagnostikuar me HIV/AIDS. Dhe jo vetëm çifti por të 5 personat janë shumë “fanatik” për sëmundjen e tyre. Çdo herë që i kam pyetur, më kanë thënë se për to, është shumë e rëndësishme që të mos e dijë njeri se janë me HIV/AIDS. Kështu bëjnë një jetë më të qetë”, thotë A.L e cila prej 7 vitesh punon në një prej njësive administrative të Bashkisë Krujë.

Ajo tregon se të 5 personat i kanë treguar se pavarësisht se kanë informacione dhe i dinë mënyrat se si mund të infektohen, përsëri kanë frikë për familjarët e tyre por edhe për çdo person që takojnë.

“Mundohen të sillen shumë normalisht por përsëri ne që e dimë arrijmë ta kuptojmë sa në siklet janë. Qëndrojnë gjithmonë larg nga unë apo kolegia ime. Edhe kur firmosin, mundohen të marrin dokumentin në anën tjetër të tavolinës. Më kanë thënë se kanë shumë frikë mos njerëzit e kuptojnë se ka diçka që nuk shkon pikërisht për shkak të sjelljes së tyre”. 

Mjeku infeksionist Harxhi thotë se e rëndësishme është që personat e infektuar të marrin mjekim sepse përmes mjekimit të suksesshëm, personat e infektuar bëhen jo transmetues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë