Shendet

Studimet e fundit/ HIV, a është e mundur të ndërpritet terapia kur virusi nuk është në gjendje të riprodhohet?

Dihet se deri më sot, nuk ka asnjë kurë që mund të eliminojë përgjithmonë virusin HIV nga trupi. Njerëzit që jetojnë me këtë infeksion duhet të jenë në terapi antiretrovirale gjatë gjithë jetës për të mbajtur nën kontroll virusin duke e parandaluar atë që të riprodhohet në gjak.

"Një nga sfidat e komunitetit shkencor në luftën kundër HIV-it është që t'u lejojë njerëzve me një virus të paaftë të riprodhohet që të pezullojnë terapinë," thotë Claudio Mastroianni, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin ‘Sapienza’ të Romës dhe drejtori i Shoqërisë së Sëmundjeve Infektive.

Një synim për të cilin spitali Bambino Gesù në Romë po punon së bashku me Institutin e Teknologjisë të Massachusetts (në Boston). Ekipi i studiuesve, i koordinuar nga Paolo Palma, drejtor i Njësisë Klinike të Imunologjisë dhe Vaksinologjisë të spitalit romak, studioi aplikimin e një procedure diagnostike për të karakterizuar mbetjet virale në nivel molekular brenda qelizave të infektuara të adoleshentëve dhe të rinjve të lindur me HIV (i trashëguar nga nëna nëpërmjet transmetimit vertikal), i cili ka bërë të mundur të kuptojmë nëse virusi është i fjetur (dmth joaktiv) apo është ende i aftë të shumëzohet me shpejtësi nëse terapia ndërpritet. Kjo procedurë quhet leukaferezë dhe konsiston në marrjen e vetëm të qelizave të bardha të gjakut, duke përfshirë qelizat CD4, të pranishme në limfocitet T, të cilat strehojnë sasinë e mbetur të virusit.

Virus i fjetur

“Është një teknikë e filtrimit të gjakut që lejon që vetëm qelizat e infektuara të mblidhen dhe të gjithë përbërësit e tjerë të gjakut të rifuten në trupin e pacientit – shpjegon Palma –. Në fakt, do të ishte e pamundur të studioheshin karakteristikat e virusit tek njerëzit që i nënshtrohen terapisë që nga lindja, të cilët për këtë arsye kanë një frekuencë shumë të ulët të qelizave të infektuara.

Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve të studimit janë: “Të kenë filluar trajtimin në fazën e hershme, pra brenda gjashtë muajve të infektimit, demonstruar efikasitet në ruajtjen e terapisë dhe mungesë të ngarkesës virale të dallueshme në gjak”, përshkruan Palma. “Për momentin – vazhdon doktori – ne e kemi testuar këtë qasje në nëntë subjekte të moshës nga 13 deri në 25 vjeç që trajtohen në spitalin tonë dhe pesë nga këta djem kanë karakteristika virologjike për të cilat mund të ndërpresin terapinë pa asnjë rrezik. Në vitin 2023 ne do ta shtrijmë anketimin në 60 pacientë të tjerë. Presim të gjejmë rreth 5% të rasteve me virus të fjetur për të cilët do të mund të pezullohet trajtimi”

Terapia apo vaksina

Rezultatet e studimit do të prezantohen gjatë edicionit të tridhjetë të "Konferencës mbi retroviruset dhe infeksionet oportuniste", e cila do të mbahet nga 19 deri më 23 shkurt 2023 në Seattle. “Qëllimi i këtij hetimi nuk është aq shumë për të aplikuar procedurën e zhvilluar për të gjitha subjektet kandidate, por për të kuptuar arsyet pse disa pacientë janë në gjendje të kontrollojnë riprodhimin e virusit pa pasur nevojë të marrin kurën. Nëse e zbulojmë këtë, do të jetë e mundur të identifikohet një terapi me bazë imunologjike ose një vaksinë që është në gjendje të përsërisë këto përgjigje mbrojtëse në mënyrë të tillë që për pjesën tjetër të jetës së personit të mos detyrohet të marrë ilaçe antiretrovirale”, thotë Palma.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se janë 1.8 milionë fëmijë midis moshës 0 dhe 14 vjeç që janë të infektuar me HIV dhe rreth 150,000 infeksione të reja shfaqen te fëmijët çdo vit. Në Itali në vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të Institutit të Lartë të Shëndetësisë, janë regjistruar dy raste të reja nga 0 deri në 2 vjet.

Efekte anësore

“Nëse nëna ndjek terapinë adekuate, ajo nuk e transmeton infeksionin tek fetusi – nënvizon Luisa Galli, shefe e sëmundjeve infektive në spitalin e fëmijëve Meyer në Firence dhe koordinatore e regjistrit kombëtar për infeksionin HIV në pediatri –Studimi është shumë interesant dhe shumë premtues, sepse një nga problemet aktualisht është se nëse terapia pezullohet, virusi fillon të riprodhohet dhe shkakton mungesë imuniteti. Dhënia e mundësisë së ndërprerjes së terapisë me ilaçe pacientëve që kanë një ngarkesë virale të mbetur, u mundëson atyre të kenë një cilësi më të mirë jetese dhe të eliminojnë efektet anësore afatgjata të terapisë, si dhe të kursejnë para për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar” Mastroianni përfundon: "Është një hulumtim bazë eksperimental, i dobishëm për të kuptuar mekanizmat e kontrollit të infeksionit në mungesë të terapisë antiretrovirale në kushte të veçanta dhe për të eksploruar mundësinë e projekteve të ardhshme për të çrrënjosur plotësisht infeksionin nga organizmi".

Marrë nga corriere.it / Përshtati në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë