Shendet

Rritje e rasteve me HIV/AIDS, ekspertët: Vetëm 5 mijë testime në 26 mijë lindje, në 2023 do të futet profilaksia para ekspozimit

Nga Gazeta Si - Shqipëria duket se ka dështuar në zbatimin e strategjisë së parandalimit të infektimit të HIV/AIDS. Shifrat e periudhës janar-tetor 2022 treguan që ndër vite, virusi i HIV qarkullon brenda vendit në moshat aktive riprodhuese përmes rrugës seksuale. Po ashtu, numri i lartë i viktimave, 5 prej të cilëve të identifikuar gjatë këtij viti në stadin e fundit të AIDS, tregoi gjithashtu se sa pak punë është bërë në testimet tek grupet e rriskut siç janë kategoritë e meshkujve që bëjnë seks me meshkuj, MSM, punonjëset e seksit dhe përdoruesit e drogave.

Edhe infektimi me HIV i dy fëmijëve gjatë këtij viti, tregoi se rruga vertikale e transmetimit të virusit vijon të jetë prezent, në një kohë kur nuk duhet të kishte ndodhur.

I pyetur nga Gazetasi.al, infeksionisti në klinikën e trajtimit të pacientëve që jetojnë me HIV në QSUT, Arjan Harxhi tha se gjatë 2022 nga 26 mijë lindje vetëm 5 mijë gra shtatzëna u testuan për HIV/AIDS, çka tregon se testimet janë shumë të pakta.

Por çfarë duhet të ndryshojë në strategjinë e parandalimit të infektimit me HIV/AIDS?

Infeksionisti Arjan Harxhi thotë se e nevojshme është targetimi i grupeve në rrisk, sidomos MSM (meshkujt që bëjnë seks me meshkujt), skrinimi i gruas shtatzënë, për të identifikuar në kohë dhe ndërhyrë menjëherë që të mos transmetohet virusi nga nëna tek fëmija.
“Strategjia e parandalimit të HIV/AIDS duhet të përfshijë që testimin e HIV duhet ta kryejnë mjekët. Fakti që kemi 2 fëmijë të prekur me HIV tregon se nënat nuk janë testuar. Ndërsa sa i takon MSM, megjithëse shoqatat janë mbështetur me fonde për kryerjen e testimeve, kjo kategori është e diskriminuar ndaj aksesi për ta është i vështirë”, thotë mjeku infeksionist në QSUT, Arian Harxhi.
Nisur nga situata e shifrave të publikuara nga ISHP, për 80 raste të reja në 10-mujorin e 2022, po parashikohet që të ndërhyhet për profilaksinë e grupeve të rriskut para ekspozimit.
“Duhet filluar profilaksia para ekspozimit dhe ka disa përqasje.
Natyrisht që barnat ARV për profilaksinë duhet ti ofrojë shteti
Këtë vit është planifikuar që të bëhet një analizë e situatës për këtë tip ndërhyrje”, tha infeksionisti Harxhi për Gazetasi.al.

Çfarë është profilaksia para ekspozimit?

Profilaksia para ekspozimit lidhet me përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalim
Studimet kanë konfirmuar se nëse një person HIV pozitiv i përmbahet një trajtimi efektiv antiretroviral, rreziku i transmetimit të HIV-it te partneri i tij seksual i painfektuar mund të reduktohet me 96%. OBSH rekomandon profilaksionë para ekspozimit me terapi antiretrovirale te të gjithë njerëzit që jetojnë me HIV, për reduktimin e transmetimit të HIV-it.

Profilaksia para ekspozimit për partnerët HIV negativ

Profilaksia para ekspozimit është përdorimi i përditshëm i barnave nga persona të painfektuar për të penguar marrjen e HIV-it.
Në shtator 2015, Organizata Botërore e Shëndetit ka publikuar udhëzuesin për fillimin e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë para ekspozimit të HIV-it, i cili rekomandon përdorimin e terapisë për njerëzit në rrezik të konsiderueshëm infektimi, si pjesë e metodave të parandalimit.

SHIFRAT 2022
- 80 RASTE TE REJA
- 71% meshkuj, 29 % femra
- 61 meshkuj dhe 19 femra
- 11 viktima
- Mosha mesatare 39 vjeç e gjysmë
- 2 fëmijë të infektuar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë