Histori

Të daktilografosh veprën dhe dashurinë – Gratë pas shkrimtarëve të mëdhenj

Vera dhe Vladimir Nabokov.

Ai shkruante, ajo daktilografonte. Madje vitet e fundit rrinin aq shumë kohë  bashkë brenda shtëpisë, që  do t’i lidhte edhe më tepër në dashurinë e tyre pesëdhjetedy vjeçare sa njëri  të mos e duronte dot gjatë mungesën e tjetrit. Kështu ishin Sadije dhe Dritëro Agolli. Të pandarë, deri në ditën që shkrimtari mbylli sytë, në shkurt të 2017-ës. Dy vjet më pas, po në shkurt, edhe e shoqja u nda nga kjo botë, duke i shkuar pranë, në të përtejmen që ne që jemi ende gjallë, mundemi veçse ta imagjinojmë. Nuk ishte vetëm bashkëshortja, shoqja më e afërt në jetë, por Sadija ishte gjithaq lexuesja e tij e parë dhe redaktorja. Ishte ajo që e kthente kaligrafinë e poetit, hedhur në blloqe e fletore, në shtypshkrim. Madje edhe shkrimet publicistike që dilnin në shtyp, i daktilografonte ajo për t’ua dorëzuar më pas gazetarëve, gjithnjë të interesuara për mendimet dhe qëndrimet e njeriut me urtësi të rrallë. “Nga shtypshkrimi në makinë më janë shtrembëruar gishtërinjtë”,  thoshte ajo, e cila sa ishte gjallë i shoqi, ndihej e re dhe plot energji për t’iu  bërë krah, në punën e tij krijuese. Ishte shembulli se, pas një burri të madh, qëndron gjithnjë një grua e madhe, do të thoshin shumë, pas lajmit të ndarjes nga jeta të bashkëshortes së shkrimtarit.

Nuk janë të rrallë shkrimtarët, ashtu si Dritëro Agolli, që mbështeteshin pas grash të forta. Jo nga ato që rrinin në hije për të bërë thjesht bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve, por duke u përfshirë në mënyrë aktive me veprën, përmes ndihmës praktike, siç ishte të lexuarit kritik  apo edhe daktilografimi. Sophia Tolstaya  jo vetëm që i dha Leo Tolstoy-it 13 fëmijë, por gjithashtu i botoi librat dhe u kujdes për financat e familjes. Ajo shërbeu si sekretarja e të shoqit, duke kopjuar “Lufta dhe Paqja” – përfshi edhe shumë rishikime – shtatë herë. Në epokën përpara makinës së shkrimit, të shkruarit bëhej me dorë. Leoja, siç kanë vendosur studiuesit, ishte shumë më pak sesa mirënjohës. Në moshën 82 –vjeçare, duke ndjekur aktin legjendar të dorëheqjes, në të cilin ai fali sasi domethënëse të pronave të çiftit, për të bredhur vendin me një tas lypsari, familja e tij, ra në mjerim.

Stenografia, ishte një punë e njohur për gratë e shkrimtarëve. Më 1886-ën, Fyodor Dostoyevsky  punësoi një stenografe me emrin Anna Grigoryevna  që ta ndihmonte për të përfunduar romanin e tij “Kumarxhiu”, për të cilin kishte nënshkruar një kontratë me rrezik. Nëse nuk do e dorëzonte deri në muajin nëntor, botuesi i tij, F. T. Stellovsky do të përfitonte të drejtën për t’i botuar veprat e tij edhe për nëntë vjet të tjerë, pa asnjë kompensim. Fyodor –i ia diktoi “Kumarxhiun” dhe Anna e stenografoi e më pas,  e kopjoi të plotë. Fyodor-i i propozoi Anna-s brenda tetë javëve dhe u martua me të, dy javë më vonë. Anna mori në dorë financat e të shoqit, e bëri të hiqte dorë nga kumari  dhe e pengoi të firmoste të tjera kontrata me rrezik.

 Përveçse ishte poeti me më shumë ndikim i kohës së tij, T.S. Eliot ishte drejtor i “Faber & Faber” dhe në këtë post, punësoi një daktilografe me emrin Esme Valerie Fletcher , si asistenten e tij. Drejt fundit të 1956-ës, poeti 68 -vjeçar i propozoi martesë. Ai shkroi poemën “Dedikim Gruas sime”,  mbushur me vargje si “Asaj që i detyrohem për kënaqësinë ngazëlluese” dhe të tjera fraza të ëmbla që janë pothuajse të pangjashme me Eliot-in për ngrohtësinë dhe ndjeshmërinë e tyre. Pas vdekjes së tij, Valerie u bë redaktorja dhe komentuesja e veprave të Eliot-it.

T.S. Eliot dhe bashkëshortja, Valery

Bashkëshortja e Nabokovit, Vera, ishte kritikja më e ashpër e të shoqit dhe admiruesja e tij më e madhe. Vera shërbente si daktilografja e tij, redaktorja dhe agjentja letrare dhe ngiste makinën. Vera ishte syhapur duke e bërë Nabokovin të rishkruante  prozën e tij të stërholluar nëse nuk ishte gati të ngacmonte. Ka edhe një histori se ajo e shpëtoi Lolitën nga flakët, kur dorëshkrimi u braktis në një valë zemërate nga shkrimtari.

Jo vetëm e motra e  William Wordswort, Dorothy-ja prodhoi kopjet e pastra të veprës së të vëllait, por edhe bashkëshortja dhe kunata madje, ndihmuan në transkriptim. Zërat thonë se Dorothy-ja kish bërë më shumë sesa transkriptimi: ajo kishte shërbyer edhe si ekzekutorja e tij letrare, pas vdekjes dhe kish redaktuar veprat e tij të pabotuara.

F. Scott Fitzgerald dhe e shoqja, Zelda.

F. Scott Fitzgerald ishte më shumë borxhli ndaj së shoqes, Zeldas, sesa do ta pranonte. Ndërsa  Zelda do të lajmëronte ashpër, pas botimit të “Kjo anë e Parajsës”:  Njoh një pjesë të një ditari të vjetër timin, që u zhduk mistershëm pas martesës dhe copa letrash, të cilat, megjithëse konsiderueshëm të redaktuara, më tingëlluan vagullt të njohura. Në fakt, Fitzgeraldi, dukej se besonte se plagjiatura nis në shtëpi. Në një libër të botuar së fundi “Arti Subversiv i Zelda Fitzgerald” nga Deborah Pike,  mund të lexohen pasazhet e marra dhe burimi i tyre, për karshi.

 “Willy”  ishte emri letrar i shkrimtarit  dikur të famshëm, por tashmë të harruar Henry Gauthier-Villars,  një vetëpromovues tejet i suksesshëm dhe autor i 50 romaneve, shkruar nga një seri shkrimtarësh fantazmë, përfshi edhe bashkëshorten e tij. Historia e tij apokrife thotë se  Henry do të shkonte aq larg,  sa do ta kyçte të shoqen në një dhomë, derisa të kishte prodhuar sasinë e dëshiruar të prozës. Një ditë, e shoqja, duke vendosur se i kishte ardhur në majë të hundës, u largua. Ajo e botoi pjesën tjetër të veprës së saj, nën mbiemrin Colette.

Alison Summers ishte bashkëshortja dhe redaktorja e Peter Carey-it për njëzet vjet. Ajo është falënderuar për shumë më shumë sesa thjesht daktilografimi në veprat e tij më të njohura, si “Histori e Vërtetë e  Kelly Gang,  ku ai e falënderon Summers për “inteligjencën e pastër letrare dhe instinktin e patëmetë dramatik”. Por e gjithë kjo ndryshoi pas shkurorëzimit të tyre, pas së cilit Summers pretendonte se ishte shndërruar në një personazh të vogël, përshkruar si “Alimony Whore” –  tek “Vjedhja: Një Histori Dashurie”. Carey e mohoi lidhjen.

Në një atmosferë më të lumtur,  Samuel Clemens – i njohur si  Mark Twain – u njoh me Olivia Langdon-in  më 1867 dhe,  e mori me vete në një lexim nga Charles Dickens. Ata u martuan dhe Olivia, pashmangshëm u bë redaktorja e të shoqit, duke e ndihmuar me librat, por edhe me gazetarinë, deri në vdekjen e tij, më 1904-ën.

Virginia Woolf dhe i shoqi.

Për të falënderuar e bashkëshorten  dhe pwr ta bërw  punën siç duhet, nuk ka shembull më të mirë sesa John Stuart Mill. Vrulli i tij, falë së shoqes Harriet-ës, është shembullor. Mill shkroi, në dedikimin tek “Mbi Lirinë” se Harriet-a kishte qenë përgjegjëse për të gjitha “mendimet e mëdha” që ai kishte pasur. Disa kritikë të ashpër janë marrë me pretendimin e Mill, duke argumentuar se disa nga ato mendime, ishin botuar përpara sesa John-i dhe Harriet-a të njiheshin.

Dedikimi i Mill për të shoqen në librin "Mbi Lirinë".

Ka pasur kohëra kur punët e vështira kanë rendur nga drejtimi tjetër. Portreti i  George Eliot-it për  Dorothea Brooke, në “Mesmars”,  e skllavëruar si asistente për bashkëshortin e saj tejet të patalentuar, Edward Casaubon, që shkruante librin e tij të pambaruar “Çelësi për të gjitha Mitologjitë” nuk është portret i marrëdhënies së saj. Dashuria e saj, George Henry Lewes kurrë nuk u lëkund në admirimin e tij për partneren shumë më të famshme. Legjenda e do se, ai  shkonte t’i blinte  librat e saj në librari. Leonard Woolf,  bashkëshorti i Virginia-s, autore e “Një dhomë më vete” – ndoshta argumenti më i famshëm i  hapësirës për shkrimtaret gra,  në traditën e dominuar nga burrat – gjithashtu hoqi dorë për t’i krijuar komfort bashkëshortes së tij, të pangushëllueshme. Ai e mori në udhëtim në Harley Street dhe në kura të gjata nëpër të gjithë vendin. Siç Virginia shkruante në shënimin e vetëvrasjes, më 1941-shin, “Ke qenë krejtësisht i duruar me mua dhe jashtëzakonisht i mirë...Nuk mendoj se dy njerëz do të kishin qenë më të lumtur sesa  kemi qenë ne. 

Një  akademik amerikan, do të vinte re së fundi se tek seksioni i mirënjohjeve në veprat akademike, autori mashkull falënderonte bashkëshorten e tij, pa emër, për daktilografimin. Kështu akademiku, Bruce Holsigner, nisi të ndante fotografi në Twitter nën  hashtagun #ThanksforTyping. ( Faleminderit për daktilografimin) dhe përgjigja ishte e pabesueshme. Një ushtri e vërtetë grash të papaguara, befas u bë e dukshme. Jo vetëm që kishin shtypur dhe rishtypur, por edhe kishin përkthyer, redaktuar dhe bërë punë kërkimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë