Histori

Çfarë ishin Kalorësit Tempullarë? Historia e vërtetë e luftëtarëve të epokës së Kryqëzatave dhe rënia e tyre e përgjakshme

Kalorësit Tempullarë ekzistuan për qindra vjet përpara rënies së tyre të tmerrshme, edhe pse ka nga ata që besojnë se nuk u shpërbënë asnjëherë. Kur abati francez me shumë ndikim Bernar Klervo u ul për të shkruar rreth “Kalorësve Tempullarë” rreth vitit 1136, ai i përshkroi anëtarët e këtij urdhri si “kalorës guximtarë të mbrojtur nga armatura e ‘besimit’ dhe ‘çelikut’.

Për këtë arsye ata “nuk kishin frikë as nga demonët dhe as nga njerëzit”. Në fakt, grupimi i vogël i “murgjve luftëtarë”, që fillimisht u krijua për të mbrojtur të krishterët evropianë që udhëtonin drejt Tokës së Shenjtë pas Kryqëzatës së Parë, u zgjerua dhe fuqizua aq shumë, saqë anëtarët e tij nuk kishin frikë nga askush.

Të drejtuar nga një grup rregullash shumë të ashpra, kalorësit mbrojtën pelegrinët, ngritën një rrjet të gjerë bankash dhe nuk i jepnin llogari askujt përveç Papës. Por fuqia e tyre nuk zgjati shumë. Teksa evropianët e humbën kontrollin e tyre në Tokat e Shenjta, nisi të bjerë edhe reputacioni deri vonë i pathyeshëm i Kalorësve Tempullarë.

Ky grupim u vu në shënjestrën e monarkëve dhe u shpërbë në shekullin XIV, ndërsa anëtarët e tij u torturuan, u burgosën dhe u dogjën në turrën e druve. Gjatë Kryqëzatës së Parë (vitet 1096-1099), ushtritë evropiane marshuan në Lindjen e Mesme për të rimarrë kontrollin e “Tokave të Shenjta” që ishin pushtuar nga forcat myslimane.

Megjithëse ishin të suksesshme, Tokat e Shenjta mbetën një vend i rrezikshëm, sidomos për pelegrinët e krishterë që mësynë në masë. Pas kryqëzatave të para, pelegrinët e krishterë binin shpesh pre e hajdutëve dhe banditëve. Kalorësi francez Hugues de Payens, që kishte kaluar disa kohë në Jerusalem, e kuptoi se këta pelegrinë duhej të mbroheshin.

Për këtë arsye ai krijoi një urdhër ushtarak rreth vitit 1119 së bashku me 8 ose 9 të afërmit dhe të njohurit e tij, të cilët i quante “bashkëluftëtarët e varfër të Krishtit dhe Tempulli i Solomonit”. Baza e tyre ishte në Malin e Tempullit, dhe shumë shpejt ata do të njiheshin si Kalorësit Tempullarë.

Në fillim, ata bënë pikërisht atë që kishte menduar De Payens. Të njohur zyrtarisht nga Mbreti Balduin II i Jerusalemit, ky grup ushtarësh shoqëronte dhe mbronte pelegrinët. Në këmbim, mbreti ndau me ta të ardhurat që merrte nga taksat (edhe pse anëtarët e parë të urdhrit ishin tashmë të pasur).

Gradualisht Kalorësit Tempullarë filluan të shndërrohen nga një grupim periferik me detyra të kufizuara në një organizatë zyrtare. E udhëhequr nga rregulla shumë të përpikta dhe e miratuar nga Kisha Katolike, ky urdhër nisi të shtrihej shumë përtej Tokave të Shenjta.

Në vitin 1129, Këshilli i Truasë hartoi dhe miratoi një listë të gjerë rregullash që duheshin ndjekur nga Kalorësit Tempullarë. Ato varionin nga ato më themelore (si për shembull mbajtja e mjekrës, lloji i kuajve që duhet të përdornin etj.) deri në ato më ekstremet.

Për shembull, kalorësit tempullarë nuk mund të kishin kontakte me gratë, madje as me ato të familjeve së tyre dhe as të tërhiqeshin gjatë një beteje. Prej tyre pritej të luteshin, të qëndronin të pastër moralisht dhe të betoheshin për varfëri dhe bindje. Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të sillte pasoja të rënda.

Anëtarët e këtij urdhri i nënshtroheshin ndëshkimit trupor, detyroheshin të hanin bukë përtokë apo dëboheshin nga grupi. Gjithsesi shumë nga këto rregulla, u dobësuan kur  Kalorësit Tempullarë u shtuan shumë në numër. Por ky zgjerim nuk ndodhi pa përplasje.

Shumë kalorës, duke përfshirë Mjeshtrin e Madh, u shpallën fajtorë dhe u dogjën në dru.

Burrat fetarë nuk duhej të mbanin shpata, dhe shumë prej tyre protestuan kundër përdorimit të dhunës nga kalorësit. Por Kisha Katolike i legalizoi. Madje Papa Inocenti II firmosi një dekret që e shenjtëroi këtë urdhër. Në vendimin e tij, theksohej se anëtarët e këtij grupimi përjashtoheshin nga të gjitha taksat ndaj shtetit apo Kishës.

Ata kishin leje të udhëtonin përtej kufijve të mbretërive, dhe jepnin llogari vetëm përpara Papës. Gjatë 2 shekujve që pasuan, Kalorësit Tempullarë, të udhëhequr nga një Mjeshtër i Madh i vendosur fillimisht në Akra të Izraelit, nisën të merreshin me shumë me tepër gjera sesa mbrojtja e pelegrinëve.

Anëtarët e tij luftuan në Kryqëzata, krijuan degë në të gjithë Evropën, por edhe një sistem bankar që i lejonte pelegrinët të menaxhonin fondet e tyre. Madje vunë nën kontrollin e tyre të plotë ishullin e Qipros. Ku urdhër nisi të bënte biznes me mbretër, ndërtoi kështjella dhe kisha dhe kishte flotën e tij të anijeve.

Por ky pushtet nuk do të zgjaste shumë. Ndërsa Kryqëzatat nisën të dëmtonin më shumë ushtritë evropiane, edhe opinioni publik nisi të kthehej kundër Kalorësve Tempullarë.

I kritikuar gjithnjë e më shumë për pasurinë dhe pushtetin e tij të madh, ky urdhër u përball me shumë akuza.

Mbreti Filipi IV i Francës, që ishte në borxhe ndaj grupit dhe ndoshta ishte zemëruar pse po refuzonin t’i jepnin më shumë kredi, urdhëroi arrestimin e tempullarëve francezë më 13 tetor 1307. Ata u përballën me akuza të rënda të adhurimin të idhujve demoniakë, për pështyrjen mbi kryq dhe për puthje me njëri-tjetrin gjatë ceremonisë së anëtarësimit.

Dan Jones, autor i librit “Tempullarët: Ngritja dhe rënia spektakolare e Luftëtarëve të Shenjtë”- tha për Live Science në vitin 2021, se kjo ceremoni përfshinte një “Puthje të Paqes”, por nuk u konsiderua problematike deri në momentin arrestimit të kalorësve.

Nën tortura të tmerrshme, të cilat përfshinin urinë, privimin e gjumit dhe marrjen në pyetje për orë të gjata, si dhe torturat me zjarr në pjesë të ndryshme të trupit, shumë kalorës i pranuan akuzat. Madje edhe drejtuesi kryesor, Mjeshtri i Madh Jacques de Molay, rrëfeu se kishte hequr dorë nga Krishti dhe kishte pështyrë pranë (por jo mbi) kryq.

Ndonëse Papa Klementi V i shfajësoi kalorësit heretikë në vitin 1308, 4 vite më vonë ai shpalli shpërndarjen e urdhrin nën presionin e fortë të Filipit IV. Dhjetëra kalorës, përfshirë vetë De Molay, u dogjën në turrën e druve. Ndonëse ky grupim është shpërbërë më shumë se 700 vjet më parë, vazhdon ende të magjepsë.

Kështu vazhdojnë spekulimet që i lidhin Kalorësit Tempullarë me objekte të tjera të shenjta, përfshirë Qefinin e Torinos dhe Arkën e Besëlidhjes. Po kështu, Dan Broën sugjeron në romanin e tij “Kodi i Da Vinçit” se Kalorësit Tempullarë ishin të betuar të ruanin trashëgimtarët e Jezu Krishtit.

Sot ata janë shumë popullorë tek neofashistët evropianë. “Knights Templar International” bën bashkë aktivistët e ekstremit të djathtë në internet, veçanërisht në Britaninë e Madhe. Edhe vrasësi masiv norvegjez Anders Breivik, pretendon se ishte pjesë e këtij grupi.

Burimi: ATI. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë