Njerez

Spanjë, skllave pune dhe të përdhunuara në plantacionet e luleshtrydheve

Prillin e kaluar, Samira Ahmed puthi foshnjën e saj për herë të fundit, duke shkuar në punë në fushat e luleshtrydheve që ndodhen në Spanjën jugore. Në çantën e saj, ajo kishte vizën spanjolle dhe një kontratë pune që premtonte një pagë ditore prej 40 eurosh, plus ushqimin dhe akomodimin. Gjatë tre muajve të parë në punë, e vetmja gjë që mendonte ishte të punonte për të mbajtur familjen e saj.
Por, puna e rregullt dhe fitimet normale nuk vazhduan shumë dhe jeta e saj u shkatërrua. Për një periudhë të gjatë ajo përfundoi, duke u fshehur së bashku me nëntë gra të tjera me shtetësi të ndryshme, të cilat njëjtë si Ahmend kishin përjetuar sulme seksuale nga punëdhënësit.
Ahmed shprehet se gabimi më i madh që ajo kishte kryer ishte paraqitja tek autoritetet spanjolle.
“Para se të dilja nga shtëpia më shikonin të gjithë si një heroinë. Askush në fshatin tim nuk kishte pasur mundësinë të shkonte të punonte, në një vend të pasur si Spanja. Por rezultoi vendimi më i keq në jetën time,” tha ajo.
Pikërisht në këtë periudhë, është koha kur shumë emigrantë (sidomos nga Maroku), shkojnë në Spanjë për të punuar në serat e mëdha me luleshtrydhe. Emigrantet janë një përqindje e madhe e fuqisë punëtore në këtë sezon, të punësuar nën një skemë për vizat që operohet nga marrëveshjet mes qeverive, kryesisht asaj spanjolle dhe marokene.
Forca punëtore duhet të kultivojë dhe mbledh 400.000 ton luleshtrydhe që eksportohen në supermarketet e gjithë botës. Spanja deri tani është eksportuesi më i madh i luleshtrydheve dhe ky lulëzim i industrisë së eksportit prej 580 milionë eurosh, është aq i rëndësishëm për ekonominë e brishtë spanjolle, saqë është quajtur "ari i kuq" i vendit.
Gjatë viteve të fundit, raportet mbi abuzimin seksual dhe fizik janë bërë transparente në të gjitha media, por qeveritë kanë minimizuar akuzat duke bërë që ky problem të jetë i papërfillshëm.
Megjithatë, Alicia Navascue, nga grupi i të drejtave të grave “Mujeres 24”, shprehet se gratë emigrante janë më të dhunuarat.

“Gratë që punojnë në terren na kanë përshkruar kushtet e këqija të punës, ku gjatë ditës kishin vetëm 30 minuta pushim, edhe pse punonin në temperaturën prej 40 gradësh nën sera. Përgjithësisht ata kërkojnë punëtore të cilat nuk kuptojnë gjuhën dhe nuk mund të kërkojnë të drejtat e tyre. Është një sistem punësimi i manipuluar,” shprehet ajo.
Ahmed shprehet se kishte dëgjuar për histori të tilla përpara se të nisej, por i kishte injoruar.
“Nuk mendoja se tregime të tilla mund të ishin të vërteta në një vend të pasur si ky. Ferma ku punonin ishte shumë larg nga qyteti më i afërt, ne ishim të izoluar plotësisht. Nuk flisnim spanjisht dhe ishim të shqetësuar për vete dhe familjet tona. Gratë që kishin ardhur më parë aty, na tregonin se punëdhënësit kishin abuzuar seksualisht më to, gjithashtu i kishin detyruar të punonin edhe si prostituta,” shprehet ajo.
Pas rreth gjashtë javësh në fermë, Ahmed dhe tetë gra të tjera shkuan për t’u ankuar tek oficerët e Policisë Civile të vendit për të raportuar se ishin shfrytëzuar, përdhunuar dhe sulmuar seksualisht. Vetëm me anë të një investigimi që kreu një gazetare spanjolle u zbulua e gjithë gjendja e punonjëseve.
“Menduam se kur të shkonim në polici do të gjenim qetësi, se do të merrnim pagat tona dhe do të largoheshim nga ai vend, por në vend të kësaj na braktisën dhe na lanë të vdesim nga uria,” shtoi Ahmed.
Mendohet se këtë vit qeveria spanjolle do të marrë situatën nën kontroll, duke i kontrolluar vazhdimisht pronarët e të mbjellave për cilësinë e jetesës që ofrojnë për punëtorët e tyre, gjithashtu edhe duke takuar gratë vazhdimisht për të kuptuar nëse fenomeni i abuzimit dhe përdhunimit vazhdon.
Ahmed shprehet se gjithçka që ka pasur u shkatërrua. “U lutem grave që të mos vinë në këtë vend, pasi nëse u ndodhin gjëra të këqija, askush nuk do t'ju ndihmojë. Qëndroni në shtëpi me familjet tuaja,” shprehet ajo. /The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë