Arsim

Sondazhi: 89% e të rinjve të pakënaqur me arsimin

Në një raport të fundit nga Fondacioni “Friedrich Ebert” i realizuar në të gjithë Evropën Juglindore për vitin e fundit, tregohet qartë se shqetësimet e të rinjve shqiptarë për arsimin bazohen në një sërë faktorësh. Sipas raportit, vërehet se 38 për qind e të rinjve shqiptarë ndjehen “disi të kënaqur” më cilësinë e arsimit. Këto shifra tregojnë një rënie, në krahasim me 55.5 për qind të të rinjve që janë shprehur “disi të kënaqur” në raportin e vitit 2015. Ndër të tjera tregohet së 17 për qind e tyre nuk janë “fare të kënaqur” me arsimin dhe vetëm 11 për qind mendojnë se Shqipëria ka një arsim cilësor.

Për sa i përket blerjes së notës nënvizohet se ky fenomen ka arritur nivele edhe më të larta që prej vitit 2015. Rreth 54 për qind e të rinjve kanë deklaruar se kryhen pagesa për notën apo blerje e provimeve, ndërkohë që përqindja e të rinjve që dëshmonin këtë fakt në vitin 2015 ishte 45.7 për qind.
Nga raporti rezultoi se një element tjetër shumë i rëndësishëm për të rinjtë ishte edhe lidhja e shkollimit me tregun e punës. Të dhënat tregojnë se shkollimi dhe tregu i punës janë shumë larg njëri-tjetrit në vendin tonë. Rreth 63 për qind e të rinjve të intervistuar nga mosha 22-25 vjeç kanë deklaruar se sistemi i kualifikimit, shkollimit dhe studimeve universitare nuk është i përshtatur me tregun e punës. Ndërsa, 67 përqind e të rinjve të grupmoshës 26–29, që kanë kryer ciklet e studimit ende përballen me sfidat e punësimit.

Një tjetër hallkë e pa plotësuar në arsimin shqiptar janë praktikat mësimore ose intershipet, ku rreth 83 për qind e të rinjve të grup moshës 14-17 vjeç, pohojnë se ende nuk kanë marrë pjesë në to gjatë shkollimit.
Pavarësisht problemeve të ndryshme arsimore, një faktor në nivele të larta ishte se universiteti mbetet objektivi kryesor i arsimimit për të rinjtë shqiptarë. Në krahasim me vitin 2015, kur kjo shifër ishte 54.8 për qind, vërehet një rënie pren 26 për qind e të rinjve që kanë synim universitetin. Por raporti tregon se kjo nuk është reflektuar në zgjedhjen e formave të tjera të arsimimit nga ana e të rinjve.
Një tjetër fenomen shqetësues janë të rinjtë e zonave rurale. Rreth 43 për qind e tyre kanë përfunduar shkollën 9-vjeçare, 27 për qind arsimin e mesëm, 5 për qind arsimin profesional, 9 për qind arsimin universitar dhe 9 për qind arsimin pasuniversitar. Ndërsa për sa i përket gjinisë, shifrat tregojnë se 45 për qind e femrave kanë një prirje drejt arsimit sa më afatgjatë, përkundër 29 për qind të meshkujve.
Të dhënat tregojnë se edhe pse numri i të rinjve që ndjekin arsimin profesional është rritur, shumica e tyre vazhdojnë ta kenë si objektiv bazë përfundimin e një shkolle të lartë, duke besuar se do t’u ofrojë mundësi më të mira punësimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë