Rend dhe Ligj

Emrat, 4 të arrestuar për skandalin e pagave. Dy specialistët e IT te Tatimet dhe AKSHI ia shitën subjekteve private

Zbardhet skema e skandalit të publikimit të të dhënave të mbi 630 mijë qytetarëve shqiptarë. Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka dhënë detaje në lidhje me aksionin që çoi 4 persona në pranga për këtë skandal.

Të arrestuar janë dy specialistët e IT, Eni Qirjako te AKSHI dhe Andi Agaraj te Tatimet, si dhe Klodian Sota dhe Endri Ikomomi, punonjës në sektorin privat.  

Imeraj tha se 2 nga personat e arrestuar, janë punonjës të administratës publike dhe dy të tjerë i përkasin sektorit privat në fushën e përmbarimit.

Sipas saj, specialistja e IT, Eni Agaraj, e cila është e punësuar te AKSHI-ja, duke pasur akses në të dhënat personale, ia ka dhënë një kolegu të saj, Andi Agaraj.

Më pas, ky i fundit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare, ia ka shitur punonjësve të subjekteve private në sektorin e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, të cilët i kanë përdorur për qëllime të ndryshme.

Imeraj nuk e tregoi shumën e vlerave monetare për shitjen e të dhënave, por tha se nuk ka ndërhyrje në sistemin kompjuterik në formë hakerimi nga persona të jashtëm.

“Prokuroria vazhdon hetimet intensive dhe në pista të tjera edhe në institucionet e tjera, - vijoi Imeraj. – Një veprimtari e tillë ka ca muaj që po zhvillohet, me patronazhistët dhe të dhënat sensitive, policia dhe prokuroria po punojnë për të nxjerrë para ligjit personat përgjegjës. Edhe për njerëzit që i kanë shitur te subjekte të ndryshme dhe për ata që kanë pasur akses te këto të dhëna”.

Imeraj shtoi se garanton qytetarët për hetim objektiv të plotë dhe për të zbuluar qëllimin e autorëve. Arrestimi i tyre është bërë nga policia me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, e cila prej të paktën dy javësh ka nisur një hetim në lidhje me këtë çështje.

Të dhënat financiare të mbi 630 mijë qytetarëve shqiptarë për muajin janar 2021 qarkulluan lirisht pak javë më parë përmes aplikacionit Whatsapp, por skandali u thellua edhe më tej pasi doli edhe një listë e shtuar deri në 690 mijë punonjës, me të dhënat e muajit prill.

Së bashku me të dhënat e qytetarëve, në qarkullim dolën edhe targat e automjeteve dhe emrat e pronarëve të makinave.

Materialet përmbajnë të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar ata, përfshirë pozicionin e punës dhe numrin e telefonit.

Hetimet e nisura, bazohen në akuzat për shpërdorim detyre, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike dhe në sistemet kompjuterike nga persona ende të panjohur.

Pas këtij skandali kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve që ishin pjesë e dokumentit me të dhëna personale.

Opozita fajësoi Partinë Socialiste dhe qeverinë e saj si “shpërdorues të këtyre të dhënave për qëllime elektorale”, siç bëri edhe “në fillim të vitit me patronazhistët” gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë