Drejtësia

Shtyhet gjyqi në Apelin e GJKKO për Fredi Belerin, nuk ka zgjedhur ende avokatët mbrojtës

Gazeta Si- Shtyhet seanca në GJKKO për Fredi Belerin, i cili kundërshton dënimin e dhënë me 2 vite burg nga Shkalla e Parë për korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Seanca e radhës u vendos të mbahet më 7 qershor.

Sot, në seancë gjyqësore, në shkallën e dytë të gjyqësorit nuk ishte i pranishëm Beleri, i cili ndodhet pas hekurave për blerje votash, ndërsa kishte plotësuar një deklaratë se nuk dëshironte që të ishte në seancë, ndërsa theksonte se nuk kishte zgjedhur ende një avokat.

Ai kishte bërë një deklaratë ku thekson se nuk dëshiron të marrë pjesë dhe se akoma nuk ka zgjedhur avokat. Gjykata sipas akteve ka njoftuar avokatin Edmond Dema e Artjon Kasa, dhe më pas i pandehuri kishte kërkuar që do mbrohej nga Geni Gjyzari teksa ky i fundit njoftoi se nuk është avokat i të pandehurve.

Në këto kushte, gjykata ka caktuar avokat kryesisht Pranvera Docin për Belerin, ndërsa Kokaveshit i jepet koha për ta zgjedhur avokatin, por paraprakisht është caktuar Arben Peco.

Ndërkohë në seancë ishte i pandehuri Pandeli Kokaveshi, i cili po ashtu nuk e ka zgjedhur ende një avokat.

Në Apel, Alfred Beleri kundërshton dënimin me 2 vjet burg dhënë nga shkalla e parë për akuzën e "korrupsionit në zgjedhje", ndërsa Kokaveshi dënimin me 1 vit e 6 muaj, që më pas iu konvertua në Shërbim Prove.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë