Gazeta Si- Shtyhet për disa orë mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për kryetarin në detyrë Alfred Balla, për marrjen e vendimit nëse mund të qëndrojë ose jo në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA për përjashtimin e tij nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.
Disa nga anëtarët kërkuan kohë që të përgatisin relacionin me shkrim, pasi sipas tyre, kjo është një vendimmarrje e rëndësishme.
Ndërsa Alfred Balla mungoi, mbledhja u drejtua nga nënkryetari Tartar Bazaj dhe ajo ka nisur me debate të forta mes 10 anëtarëve.
Debatet mes anëtarëve
“Jam i detyruar të thërras këtë mbledhje, nuk ndihem aspak komod. Jemi dhjetë anëtarë, zoti Balla mungon”, është shprehur Bazaj.
Ndërsa Bazaj tha se Ballës i ka mbaruar mandati, ka replikuar anëtarja Nurihan Seiti, e cila i ka thënë se i ka mbaruar edhe atij mandati.
“Jeni në konflikt interesi, hidhe në votë! Alfred Balla ka përgjegjshmëri dhe profesionalizmin”, u shpreh ajo.
Duke u bazuar te Kushtetuta, Sokol Stojani kërkoi të zbatohet menjëherë kërkesa e Kolegjit të Posaçëm të Apelit.
Seiti është përplasur me kolegun Sokol Stojani duke i thënë se Balla duhej të ishte i pranishëm, sikurse dhe kishte kërkuar me shkrim.
Reagimi i Alfred Ballës
Ndërkohë, Balla ka komunikuar me kolegët e tij të KLP-së me dy emaile, duke kërkuar që të shtyhet dhe të respektohet e drejta e tij kushtetuese për t’u dëgjuar e mbrojtur dhe po ashtu ka kërkuar përjashtimin e Tartarit për drejtimin e mbledhjes së sotme.
Vetë Balla, i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhje, me një shkresë drejtuar KLP sfidon vendimin e KPA për përjashtimin e tij me 15 vite nga drejtësia, duke thënë se nuk është i menjëhershëm dhe se ai nuk është zgjedhur nga Kuvendi si përfaqësues i shoqërisë civile.
"Unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare që më ka mbaruar mandati ligjor 5 vjeçar prej datës 18.12.2023 dhe që aktualisht po qëndroj në detyrë. Në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në detyrë, tashmë duhet të shprehet ky Këshill, apo organi i emërtesës sime që është Kuvendi i Shqipërisë, apo Gjykata Kushtetuese?", shkruan Balla.
Teksa mandati i zyrtarit më të rëndësishëm të KLP ka përfunduar prej dhjetorit 2023 dhe ishte në detyrë derisa të zëvendësohej, me vendimin e formës së prerë të Vettingut Alfred Balla nuk mund të emërohet as gjyqtar, as prokuror, apo anëtar KLP, KLGJ dhe inspektor deri në vitin 2035.
Vendimi i KPA-së
Kolegji i Pavarur i Apelimit shpalli se Balla ishte dorëhequr me dëshirën e tij nga kontrolli i 3-fishtë i vettingut ndryshe nga pretendimi i tij që këmbëngul se nuk kishte statusin e magjistratit përderisa e kishin shkarkuar nga detyra si ndihmës ligjor në gjykatën e lartë dhe më pas në KLP mori një mandate si anëtar i shoqërisë civile.
Çështja e kryetarit të KLP u mbyll në shkallën e parë të vettingut pa një vendim përfundimtar, dhe për këtë arsye komisioneri publik apeloi në KPA.
Trupa gjyqësore e përbërë nga Ina Rama Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo e shfuqizoi shkallën e parë dhe vendosi të ndërpresë vettingun për Ballën, një vendim marrje që do të thotë largim për 15 vjet dhe që më herët mbas dorëheqjes nga procesi është aplikuar edhe ndaj ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Vendimi për Alfred Ballën u dha gjatë kohës që ai ishte në një vizitë studimore në Romë së bashku me anëtarët e Këshillit dhe meqenëse është vendim i formës së prerë, sipas ligjit zëvendësimi i tij i përkohshëm deri në hapjen e garës do të bëhet nga Tartar Bazaj.
Por Bazajt, sikurse edhe Nurihan Seitit u ka mbaruar mandati prej dhjetorit 2023 dhe pritet të zëvendësohen.
Alfred Balla u zgjodh në KLP nga Kuvendi, si kandidat i propozuar nga shoqëria civile.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.